E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Të nxitohet me investimet

Banka e Shqiperise paralajmeroi dje se kriza e rritjes se çmimeve do te vazhdoje ne vendin tone ndoshta per disa vjet

Banka e Shqipërisë paralajmëron se kriza e rritjes së çmimeve do të vazhdojë për një periudhë afatmesme, e nxitur kjo nga rritja e çmimit të drithërave dhe naftës në tregjet ndërkombëtare. Përveç kësaj, kriza pritet të thellojë edhe më tej humbjet në tregti, për shkak të çmimeve të lartë të importeve, në një kohë kur Banka e Shqipërisë shprehet se ardhurat e emigrantëve kanë shënuar rënie. Sakaq, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e djeshme, pasi vlerësoi zhvillimet e fundit në ekonominë vendase dhe të jashtme, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 6.25 për qind. Në këto kushte, guvernatori i Bankës Qendrore i ka kërkuar qeverisë të marra masa për zhvillimin e bujqësisë dhe të mos përqendrojë kryerjen e investimeve vetëm në fund të vitit. “Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, situata fiskale ka qenë e kontrolluar në drejtim të të ardhurave, por jo shumë aktive në drejtim të kryerjes së shpenzimeve. Konvertimi i tepricës aktuale në deficitin e programuar deri në fund të vitit, duhet të kryhet në mënyrë graduale, duke evituar përqendrimin e shpenzimeve në muajt e fundit të vitit”, thuhet në deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës. Për sa u përket zhvillimeve të ardhshme makroekonomike, Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja ekonomike dhe investimi në sektorë strategjikë si bujqësia, energjia dhe ndërtimi, duhet të përbëjnë prioritetet e politikëbërësve në të ardhmen afatshkurtër dhe afatmesme. Pra, gjatë tremujorit të parë të vitit 2008, presionet nga ambienti i jashtëm në ekonominë vendase janë përkthyer kryesisht në rritjen e vazhduar të çmimeve të mallrave ushqimorë, të çmimeve të lëndëve të para dhe të çmimeve të naftës. Banka e Shqipërisë ka rritur tri herë normën bazë të interesit gjatë vitit 2007, duke e çuar atë nga 5.5 për qind, në 6.25 për qind. Efektet e shtrëngimeve të kaluara të politikës monetare duket se po materializohen gradualisht në ngadalësimin e ritmit të rritjes së ofertës monetare dhe në frenimin e rritjes me ritme të larta të çmimeve të ndërtimit. Megjithatë, nga ana e Bankës së Shqipërisë vlerësohet se shtrëngimet e njëpasnjëshme të politikës monetare gjatë vitit të kaluar nuk kanë dhënë ende ndikimin e tyre të plotë në ekonomi.

-Kriza e çmimeve do të zgjasë

-Deficiti tregtar do të thellohet

-Të ardhurat e emigrantëve kanë rënë

-Të evitohen investimet vetëm në fund të vitit

-Politikëbërësit sytë nga bujqësia, energjia dhe infrastruktura 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›