E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dosjet", PS: Ligji, brenda javës në Kushtetuese

Nga Darina Tanushi
“PS-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar pavlefshmërinë e ligjit të miratuar me shumicën e kartonëve nga maxhoranca e djathtë” 

TIRANE- Socialistët kanë gati ankesën ndaj ligjit të dosjeve, që do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit. Burimet nga kjo parti bënë të ditur se, rreth datave 29-30 të këtij muaji, që do të thotë ose të enjten, ose të premten e kësaj jave, PS-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar pavlefshmërinë e ligjit të miratuar me shumicën e kartonëve nga maxhoranca e djathtë. PS-ja e cilësoi që në fillim një ligj jokushtetues, madje i ofroi maxhorancës edhe ndihmën e saj për të diskutuar dhe hartuar një ligj sipas standardeve europiane së bashku me ekspertë të huaj. PS-ja e cilësoi këtë ligj si një vegël që Berisha dhe maxhoranca po përdor për të uzurpuar institucionet e drejtësisë. Ligji i cilësuar ndryshe si ligji i lustracionit, nuk u firmos nga Presidenti i Republikës, por u quajt me fuqi ligjore, pa u shprehur kreu i shtetit. Ndërkaq, duke marrë parasysh edhe periudhën që ligjit i duhet të botohet edhe në fletoren zyrtare, llogaritë çojnë që datat e fundit të këtij muaji janë ato që mund t’i japin të drejtë edhe deputetëve të PS-së për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese. Përveç socialistëve, rrëzimin e këtij ligji do e kërkojnë edhe deputetët e LSI-së, por edhe deputetë të partive të tjera të opozitës. Opozita mendon se ligji i dosjeve është shumë i ashpër dhe ka karakter ndëshkimor vetëm për një pjesë gjykatësish dhe prokurorësh që kanë çështje të rëndësishme. Kështu, menjëherë pas kalimit të ligjit në Kuvend, dha dorëheqjen prokurori i çështjes “Gërdeci”, Zamir Shtylla. Gjatë gjithë periudhës së diskutimit në Parlament, ky ligj është goditur edhe nga ndërkombëtarët. Të njëpasnjëshme kanë qenë reagimet e ambasadës së SHBA-së apo të një prej përfaqësuesve të lartë të Këshillit të Europës, Terry Devis. Nga ana e saj, ambasada e SHBA-së, pasi ndoqi me vëmendje miratimin e ligjit në Kuvend, reagoi me shpejtësi të nesërmen, duke thënë se “ligji ngre pikëpyetje serioze ligjore, qeverisëse dhe kushtetuese tek partnerët ndërkombëtarë, përfshirë edhe SHBA-në”. Ndërsa, reagimi i ardhur nga Strasburgu nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Terry Davis e cilësoi atë një iniciativë të duhur, por që nuk përmbush shumë kritere të vendosura nga Këshilli i Europës. “Analiza e ligjit nga ekspertët e Këshillit të Europës ka evidentuar disa probleme në lidhje me standardet e Këshillit të Europës. Këto përfshijnë: shtrirjen tepër të gjerë të ligjit, për sa i përket kategorive të zyrtarëve që mund të preken, dhe fakti që ligji përfshin persona që aktualisht janë në detyrë; Paanësinë dhe proporcionalitetin e procedimeve të lustracionit dhe rreptësinë e sanksioneve të parashikuara si dhe fakti që nuk ka një limit kohor”. Pikërisht, bazuar edhe në këto kritika, por edhe në ato që socialistët i kanë bërë të ditura gjatë fundit të vitit të kaluar, por edhe ditët e para të fillimit të punës së Kuvendit, janë pjesë e ankesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit tashmë duhet të pezullojë veprimin e ligjit, menjëherë me marrjen në dorë të ankesës, deri në dhënien e përgjigjes përfundimtare. Ligji i dosjeve u miratua më 22 dhjetor të vitit 2008, vetëm më votat e maxhorancës. Opozita nuk votoi për ligjin në fjalë, duke deklaruar që në fillim se nuk do të ishte pjesë e diskutimit dhe e miratimit.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›