E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, pezullohet puna në Port, shkak reshjet

Reshjet e shumta të shiut kanë bërë të pamundur vazhdimin e punës në Portin e Durrësit. Shiu që vazhdon të bjerë ka penguar përpunimin e anijeve tregtare. Ndërkaq disa nga rrugët kryesore të Durrësit janë plot më ujë 

DURRËS- Reshjet e shumta të shiut kanë bërë të pamundur vazhdimin e punës në Portin e Durrësit si dhe kanë shkaktuar përmbytje të shumta në rrugët e qytetit. Burime zyrtare nga kapiteneria e portit të Durrësit bënë të ditur se shiu që nisi sot në orët e para të mëngjesit po pengon përpunimin e anijeve tregtare në portin e Durrësit. Të njëjtat burime theksojnë se hambaret e anijeve tregtare nuk janë hapur sot paradite për shkak të shiut që vazhdon të bjerë. Situata nuk parashikohet të përmirësohet as në orët në vazhdim. Ndërsa tragetet e linjës kanë mbërritur sipas grafikut të parashikuar. Të tre tragetet e linjës Bari-Durrës u ankoruan normalisht në kalatat e portit, ndërsa pasdite pritet të mbërrijë një traget tjetër nga Ankona. Sipas burimeve të portit, të gjitha motopeshkatoret janë kthyer që prej disa ditësh në basenin portual dhe presin përmirsimin e motit.
Por, përvec porti, situata problematike vazhdon në rrugët e qytetit të Durrësit. Shiu i sotëm ka krijuar vështirësi në disa nga kryqëzimet kryesore të qytetit. Më e rënduar situata paraqitet në zonat periferike të qytetit bregdetar. Rrugët e Shkozetit, Plazhit dhe Spitallës, janë nën ujë. Shkak për këtë është bërë sidomos amortizimi dhe dëmtimi i sistemit të kanalizimeve të cilat në cdo kohë shirash shkakton herë pas here grumbullimin e ujrave në rrugë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›