Dosjet, Patozi kërkon reflektim nga opozita
Tiranë- Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka kërkuar sot nga opozita të ndryshojë qëndrim lidhur me projektligjin për “Dosjet”, ndërkohë që e ka quajtur thjesht çështje teknike mosmiratimin e projektligjit në Kuvend.
Gjatë një konference për shtyp, Patozi ka kritikuar qëndrimin e deputetëve të opozitës, të cilët bojkotuan seancën.
"Grupi i PS-së dje bëri një figurë shumë të shëmtuar dhe ky është një lajm shumë i keq. Forca kryesore e opozitës, edhe pas 18 vitesh, gjendet ende e mbërthyer në të shkuarën kriminale të diktaturës komuniste", tha deputeti Patozi.
Sipas tij, ajo që mund të pritet nga PS është që të reflektojë gjatë këtyre ditëve dhe të ndryshojë qëndrimin e saj, duke u distancuar nga e shkuara kriminale e diktaturës dhe nga ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit që janë ende në krye të disa institucioneve tona.
Patozi ka theksuar më tej se janë ezauruar të gjitha format e kompromisit gjatë këtyre ditëve dhe viteve që ky ligj ka qenë në shqyrtim.
Në seancë ka pasur vërshime amendamentesh nga deputetë të ndryshëm që kërkonin përmirësimin dhe ndryshimin e disa neneve të këtij p/ligji. “Në respekt të rregullores ishte e detyrueshme që Komisioni i Ligjeve të shqyrtonte të gjitha këto amendime dhe ajo që pritet tani është miratimi përfundimtar, brenda pak ditësh, i këtij p/ligji", - tha ai.