Rama: Berishës ti vijë turp për dyfytyrësinë
Tiranë- Shfaqje të shëmtuar dyfytyrësie e ka quajtur sot kryesocialisti Edi Rama, fjalën e kryeministrit Sali Berisha në Kuvendin e Shqipërisë, ku teksa fliste për ligjin e “Dosjeve” lëshoi akuza të hapura në drejtim të familjes së tij.
Sipas Ramës janë të panumërta arsyet pse Berishës duhet t’i vijë turp, si shkelës dhe dhunues i familjes, por mbi të gjitha për rolin e mbrojtësit të zjarrtë të të përndjekurve nga diktatura komuniste, për të cilët nuk ka dhënë asnjë qindarkë.
Ndërkohë që në emër të të përndjekurve, ka thënë Rama, ai shkeli Kushtetutën vetëm e vetëm për të shkatërruar një pushtet gjyqësor që po heton qeverinë e tij, është kryeministri që ka një sekser serb, i cili, i vetëm,ka bërë me korrupsion në 3 vjetët e kësaj qeverisjeje, aq para sa do të duheshin për të dëmshpërblyer 3 milionë e 375 mijë ditë burgu politik ose 6 milionë e 750 mijë ditë internimi.
Ai ka theksuar se mbrëmë shqiptarët e shqiptaret patën rastin të shohin sekretarin e djeshëm të partisë së Enver Hoxhës dhe kryeministrin e sotëm të vendit, komunistin e vjetër dhe demokratin e flaktë Sali Berisha, në njërën prej shfaqjeve më të shëmtuara të politikës së vjetër të dyfytyrësisë.
Nuk është hera e parë që Sali Berisha prek të vdekurit e të gjallët e familjes së tij, - tha Rama, duke shtuar kur kam marrë përsipër të udhëheq betejën për ta larguar nga skena politike këtë monument të dyfytyrësisë së politikës së vjetër të 17 vjetëve tranzicion, i ka marrë parasysh të gjitha.
Kreu i socialistëve ka kujtuar edhe njëherë se qëllimi i Berishës nuk është dënimi i diktaturës së komunizmit, po mbrojtja e diktaturës së korrupsionit.