E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, rëndohet gjendja e grevistëve

Gjirokastër-Në ditën e dytë të grevës së urisë janë vënë re shqetësimet e para të banorëve grevistë. Mjeku, Dilaver Stroka tha për Shekulli Online se “3 nga 10 grevistët kanë pasur sot probleme me zemrën, si aritmi, tension të ulët, etj”. Ndërkohë që njëri prej grevistë nuk duhet të qendrojë asnjë ditë në ambientet ku po zhvillohet greva, sepse është me kancer. 10 kryefamiljarë që humbën njerëzit e familjes dhe shtëpitë e tyre nga shembja e pallatit në Gjirokastër një muaj më parë janë futur në grevë urie për fituar dëmshpërblimin monetar që iu premtoi qeveria.

Makina e urgjencës së Spitalit të Gjirokastrës ka shkuar dy herë sot në ambientit te grevës për t’iu ardhur në ndihmë grevistëve që paraqitnin probleme shendetësore. Ata kane shqetësime jo vetëm nga mungesa e ushqimit por edhe nga ambienti tepër i ftohtë e me lagështirë ku po qendrojnë që s’është që tjetër veçse ngë garazh makinash. Pjesa më e madhe e burrave të ngujuar janë rreth të 60-ve ç’ka e shton më shumë rrezikun për jetën e tyre.

Sot ata kanë hartuar edhe nje peticion që ia kanë nisur Presidentit Bamir Topi, Kryeministrit Sali Berisha dhe deputetit të zonës, Genc Ruli, ku shkruajnë se “në ditën e tragjedisë ju na u gjendet pranë dhe na premtuat se do të merrni masa për na e lehtësuar dhimbjen, por sot pas më shumë se një muaji ne gjendeni në qiell të hapur dhe nuk kemi marrë asnjë lekë për shtëpitë e e humbura”. Ndërsa vijojnë se “nuk shohim asgjë konkrete për zhdëmtimin tonë. Ju lutemi na ndihmoni brenda kuadrit ligjor”, përfundojnë ata.

Më datë 9 nëntor në qytetin e Gjirokastrës ndodhi një tragjedi. Pallati 5 katësh u shemb, duke zënë brenda pjestarët e 14 familjeve që jetonin aty, 3 prej të cilëve humbën jetën. Janë arrestuar pronarët e firmës ndërtuese dhe punonës të bashkisë, ndërsa për banorët e dëmtuar qeveria premtoi dëmshpërblim për banesat e tyre të humbura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›