E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dosjet” dhe “Biberaj”, KE sot në Tiranë

Dy reporterë të Këshillit të Europës vizitojnë sot Tiranë. Takimet do të fokusohen në debatet që ka shkaktuar miratimi i ligjit “Për pastërtinë e Figurave”, situata në prag zgjedhjesh. Dy reporterët do takohen edhe me Aleksandër Biberajn 

TIRANE- Sot në vendin tonë mbërrijnë dy reporterë të Këshillit të Europës, Jako Lakson dhe Dejvid Uillshajer. Ata do të zhvillojnë një sërë takimesh me personalitete të politikës shqiptare si dhe me përfaqësues të diplomacive të huaja në vendin tonë. Takimet e dy reporterëve do të fokusohen edhe në mbledhjen e të dhënave për debatet që ka shkaktuar miratimi në mënyrë të njëanshme i ligjit “Për pastërtinë e Figurave” apo i njohur ndryshe edhe si ligji i lustracionit. Por, një tjetër arsye e ardhjes së dy reporterëve të Këshillit të Europës është edhe situata në prag zgjedhjesh e Shqipërisë. Ata do të njihen nga afër me standardet që janë duke u përdorur në përgatitjet e zgjedhjeve si dhe në fillimin e fushatave. Një takim i konfirmuar tashmë është edhe ai me deputetin demokrat, Aleksandër Biberaj, i cili u shkarkua në mënyrë të papritur nga detyra si kryetar dhe anëtar i delegacionit shqiptar pranë KE-së, nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Biberaj, gjatë një prononcimi mediatik, bën të ditur se në këtë takim do të njohë reporterët me vendimin e marrë nga kryetarja Topalli, në shkelje të rregullores së institucionit që ajo drejton. Këshilli i Europës e mori vendimin për dërgimin e misionit të monitorimit, pas përfundimit të seancës në të cilën iu njohën edhe kredencialët e deputetëve shqiptarë.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›