Dosjet e mbartura, Gjykata e Lartë drejt paralizimit

Reformat e ngadalta të ekzekutivit në sistemin gjyqësor mund të sjellin paralizimin e Gjykatës së Lartë, e cila prej disa muajsh nuk funksionon me trupë të plotë, pasi disa nga kandidaturat për anëtarë të propozuar nga Presidenti i Republikës janë rrëzuar në Parlament. Si rrjedhojë, mijëra çështje civile janë mbartur prej vitit 2007, duke sjellë zvarritje dhe mbingarkesë. Alarmi i dhënë disa muaj më parë nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, e cila informonte për këto probleme Presidentin, Kryeministrin dhe Kryetaren e Parlamentit, nuk është marrë në konsideratë nga ekzekutivi, i cili ka lënë në harresë plotësimin e vendeve vakante. Një sërë reformash të tjera që kanë lidhje me Gjykatën Supreme në Shqipëri nuk janë marrë parasysh, duke sjellë që sistemi gjyqësor në Shqipëri të jetë në mëshirën e fatit. Disa javë më parë, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, paralajmëronte se këshilli mund të paralizohej dhe si rrjedhim nuk mund të kryente funksionet kushtetuese. Pra dy institucionet më të rëndësishme të gjyqësorit mund të paralizohen dhe në të tilla kushte duhet vënë menjëherë “dorë”, pasi mund të kemi një kolaps të drejtësisë në vend. Ajo çka kërkon drejtësia është që ekzekutivi të kthejë sytë nga ky sistem i rëndësishëm për funksionimin normal të një shteti ligjor.
Gjykata e Lartë u kërkoi disa muaj më parë krerëve më të lartë të shtetit se duhen rishikuar disa ligje të rëndësishme, si dhe të shtohen anëtarët e Gjykatës së Lartë. Kodet në fuqi të procedurave penale dhe civile parashikojnë ankimimin me rekurs në Gjykatën e Lartë të të gjitha vendimeve civile e penale të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës së Shkallës së Parë, pa bërë asnjë kufizim dhe vlerësim të konflikteve që mund dhe duhet të vijnë për shqyrtim pranë kësaj gjykate. Tërësia e këtyre kompetencave kaq të gjera ka bërë që Gjykata e Lartë të jetë e mbingarkuar me gjykimin e çështjeve nga më të thjeshtat deri te më të komplikuarat, të shmanget nga qëllimi i saj kryesor, që është gjykimi i çështjeve vetëm për shkaqe ligjore dhe të zbehet kompetenca e saj kushtetuese për unifikimin e praktikave gjyqësore. Sipas të dhënave, janë në pritje për t’u shqyrtuar rreth 7000 çështje gjyqësore, një numër shumë i lartë ky, duke pasur parasysh faktin se Gjykata e Lartë nuk është një gjykatë fakti, por është gjykatë ligji që shqyrton ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave të shkallëve më të ulëta. Nga analizat vjetore rezultojnë se në Gjykatën e Lartë vijnë mesatarisht 4050 çështje në vit, nga të cilat shqyrtohen rreth 2680 dhe numri i mbartjeve vjetore shkon në 1370 çështje. Gjykata e Lartë vazhdon gjykimin e çështjeve të vendosura në radhë dhe të mbartura që nga viti 2007. Ndërkohë, është rritur numri i çështjeve, për të cilat Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar.
Sipas analizave vjetore të kësaj gjykate, gjykimi i çështjeve fillestare (Gërdeci, Durrës-Kukës dhe paditë e politikanëve për shpifje ndaj njëri-tjetrit), ka sjellë që gjykata të humbë energji dhe ka vështirësuar procesin e formimit të trupave gjyqësore, për shkak të numrit të vogël total të gjyqtarëve që ka Gjykata e Lartë, por edhe ka ngadalësuar gjykimin në tërësi të çështjeve të mbartura.
#