Gjermani, festa që u kthye në tragjedi
19 të vdekur dhe të paktën 340 të plagosur. Ka qenë ky bilanci tragjik i “Love Parade” në Duisburg, festivali i kushtuar muzikës tekno që çdo vit tërheq më shumë se 1 milion e gjysmë të rinj nga e gjithë Europa. Fillimisht u mendua se shkaku i kësaj tragjedie ishte paniku i shkaktuar në një tunel. Detajet e reja mbi shkaqet e mundshme tregojnë se shumë djem dhe vajza të reja ishin ngjitur në disa shkallë të ngushta urgjence dhe në një skelë për altoparlantët dhe më pas kanë rënë nga lartësia e madhe. Ata kishin provuar që të arrijnë më shpejt në hapësirat ku po zhvillohej parada. “Rreth orës 17.14 para hyrjes së tunelit, pra jo në tunel brenda, ka ndodhur një ngjarje tragjike. Viktimat humbën jetën, pasi janë ngjitur në disa shkallë të ngushta urgjence për të kaluar pengesat e murit të tunelit", deklaroi Wolfgang Rabe, drejtues i shtabit të krizës në qytetin e Duisburgut. Por edhe pse tragjedia po merrte përmasa të frikshme organizatorët kishin vendosur që të mos e ndërprisnin menjëherë paradën për të mos shkaktuar panik te të rinjtë që ishin mbledhur për të festuar. Nga altoparlantët e mëdhenj të vendosur në hapësirat e stacionit të dikurshëm hekurudhor të mallrave në qytetin Duisburg dëgjohej ende muzika tekno, mijëra njerëz po vallëzonin dhe vazhdonin festën e tyre. Ndërkohë që helikopterët e emergjencës fl uturonin në ajër mbi vendin ku kishte ndodhur tragjedia. Shumë prej pjesëmarrësve në paradë nuk e kishin kuptuar ende se çfarë kishte ndodhur. Në mënyrë që të evitohej ndonjë panik masiv i mundshëm, organizatorët vendosën që të mos e ndërpresin menjëherë paradën. Në fillim mendohej se numri i viktimave ishte 15 dhe që të gjithë kishin vdekur si pasojë e mbytjes dhe shkeljes së njëri-tjetrit në hyrjen e një tuneli që i çonte drejt vendit ku organizohej festa. Kjo festë e gëzueshme u shndërrua në një nga tragjeditë më të rënda të historisë moderne të qytetit. Menaxhimi i situatës ka qenë i jashtëzakonshëm. Ekipet e emergjencës u munduan t’i jepnin fund paradës pa ndonjë incident tjetër. Ato kishin hapur të gjitha daljet emergjente të hapësirave ku zhvillohej parada. Të gjitha autoritetet e larta të vendit u shprehën të tronditura nga ajo çka kishte ndodhur në atë që duhej të ishte një festë kushtuar të rinjve. “Jam e tronditur dhe shumë e trishtuar përballë kësaj vuajtje dhe kësaj dhimbjeje. Në këtë moment të vështirë po mendoj vetëm për familjarët e viktimave. U shpreh ngushëllimet të gjitha familjeve të prekura. Këta të rinj kishin ardhur për të festuar, por shumë prej tyre humbën jetën, ndërsa të tjerë mbetën të plagosur”, tha Kancelarja Merkel. Edhe Presidenti i vendit, Christian Wulff, i tronditur nga kjo ngjarje, tha se shpresonte që të afërmit e të plagosurve të marrin shpejt ndihmën për të përballuar këtë situatë. “është e tmerrshme që një tragjedi e tillë e ndodhur gjatë një feste paqeje dhe gëzimi, ku merrnin pjesë të rinj nga e gjithë bota, shkaktoi vdekje dhe shumë dhimbje”, tha Presidenti, i cili kërkoi zbardhjen e menjëhershme të shkaqeve. E organizuar për herë të parë në Berlin në vitin 1989 gjatë momenteve të rrëzimit të Murit, “Parada e Dashurisë” është organizuar sërish pas një viti pushim. Ndërkaq, kjo ngjarje i bëri organizatorët të vendosnin përfundimisht për të mos e organizuar më “Paradën e Dashurisë”. "Në shenjë respekti ndaj viktimave dhe familjeve të tyre dhe miqve ne nuk do ta vazhdojmë më këtë aktivitet. Kjo do të thotë fundi i ‘Love Parade’", tha organizatori Rainer Schaller. Ndërkohë, prokuroria ka nisur zyrtarisht hetimet. Drejtuesi i shtabit të krizës në Duisburg, Wolfgang Rabe, deklaroi në një konferencë shtypi se ia ka dorëzuar prokurorisë të gjitha dokumentet që dispononte. Sipas të dhënave të para, ndër viktimat ka edhe nënshtetas të huaj.
#