Dështoi tenderi për zëvendësuesit në Gjykatën Kushtetuese
Për t’u dekretuar nga institucioni i presidencës duhet të jesh “Sergei Bubka” i lartësive të financës, por ky kriter ka sjellë edhe mosvotimin në parlament të kandidaturave që s’i plotësojnë kriteret morale e profesionale. Steka e antikushtetueshmërisën është ngritur lart nga presidenca, por ende publiku s’e ka sjellë në rendin e ditës shqyrtimin e propozimeve për “impeachment”
Gjendja e rëndë në Gjykatën Kushtetuese merret vesh se është ushqyer për shkak të mosveprimit të institucionit të presidencës. Por një analizë e hollësishme meriton të kryhet për të qëmtuar arsyet që kanë çuar në kënetën ligjore, në të cilën gjendet gjykata më e lartë në vend. Me përfundimin e mandatit të shumicës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kjo instancë mbetet në funksionim me anëtarë në detyrë, pra me ata njerëz që ishin gjerësisht të lidhur me regjimin e shkuar (kujto Fehmi Abdiun), apo pa ndonjë kurajo profesionale, meqenëse s’munden të ndërtojnë kurrfarë perspektivë në këtë limonti institucionale. Por kjo situatë ka ardhur për shkak se institucioni propozues s’ka mundur të sjellë dot në parlament, njerëzit që gëzojnë konsensusin e duhur për të marrë pëlqimin. Kleçka ka qenë se njerëzit e ardhur s’kanë qenë ata të duhurit, meqenëse tenderi i institucionit ka dështuar. Tenderi s’ka qenë i natyrës profesionale, e natyrisht kriteret e vendosura s’kanë qenë profesionale... Rrethet e gjyqtarëve e të juristëve i kanë të mbushura ditët e tyre me historitë personale se si kanë dështuar në përpjekjen për ta fituar këtë tender, pasi kriza e rëndë financiale globale e kishte bërë shumë të vështirë edhe fitimin e këtij tenderi. Afërmendsh, nga kriza financiare, steka ishte ngritur shumë lart, dhe do të duhej të ishe “Sergei Bubka” i atyre punëve, në mënyrë që edhe të formalizoheshe për atë institucion. Afërmendsh, stekën e kanë kaluar më vonë të tjerë juristë, jo në lartësinë e duhur profesionale, por që kanë arritur lartësinë e “tenderit” të imponuar nga institucioni i presidencës. Prej këndej, kemi regjistruar edhe rrëzimin e njëpasnjëshëm të dekreteve dhe ardhjen në një moment, kur presidenti i republikës Bamir Topi deklaron publikisht se s’ka ndërmend të ushtrojë prerogativën e tij kushtetuese të emërimit të kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse ka më shumë se 50 ditë, që ka skaduar afati kushtetues i kryetarit të shkuar dhe ky institucion praktikisht nuk është më në funksionim.
Kjo sjellje antikushtetuese ka ardhur pikërisht për shkak të dështimit të tenderit për emërimin e anëtaërve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, por çështja më shqetësuese është mungesa e angazhimit të atyre personaliteteve e përfaqësuesve që e kanë ideal zbatimin e ligjshmërisë e të shtetit ligjor, pasi një angazhim sado i vogël do të kishte sjellë në rendin e ditës, për herë të patë në historinë 20 vjeçare të demokracisë tonë edhe tezën e “impeachment”-it.