E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet, si mund të hapen

Çështja e hapjes së dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit në kohën e diktaturës, edhe kësaj radhe, po rrezikon të behet një temë e fortë mediatike që me kalimin e ditëve humb rendësinë, sepse kështu do të gjykojnë redaktorët dhe drejtuesit e shtypit, çka në fund të ditës do të sjellë 0 rezultat.

Ngjan se kësisoj kemi të bëjmë me një strategji. Cila është një mënyrë për ta mbajtur mbyllur këtë debat, që nga më shumë se vetë viktimat reale, konsiderohet si plaga e trasheguar e shoqërisë sonë, e cila detyrimisht duhet mjekuar se nuk mund të shkohet para ndërsa një pjesë e trupit lëngon? Duket se një nga mënyrat është pikerisht zhurma që tekembramja nuk sjell asnjë nismë konkrete.

Debati për fat të keq, sic ka treguar përvoja e mëparshme nuk sjell asgjë të mirë. Sepse ata që e drejtojnë, që e dirigjojnë diskursin, në më të shumtën e rasteve janë njerëz të përfshirë në zullumet komuniste.

Për me keq, ky debat i ndihmon ata, pasiqë u jep mundësinë të manifestojnë në publik, kinse një lloj vullneti pro-hapjes, në mënyrë që të krijojnë imazhin se nuk kanë asnjë peng prej së shkuarës.

Ndodh jo rrallë që flamurtarët më të zellshëm të jenë bash ish-bashkëpunëorët më të thekur të spiunimit dhe lincimit të mijëra shqiptarëve gjatë regjimit të Hoxhës.

Faktikisht, në mënyrë që të hapen dosjet do të duhej një iniciativë parlamentare. Jo vetëm ata që kanë vuajtur, por edhe pjesa e pandotur e shoqërisë sonë, kërkon që të bëhet kjo transparencë, ky katharsis.

Parlamenti ynë deri me tani, nuk ka kaluar as rezolutën që dënon krimet e kryera nga sistemi komunist, një imperativ jo vetëm i kërkuar nga normaliteti i zhvillimeve të brendshme, por edhe nga Këshilli i Europës.

Duke qenë se një pjesë e mirë e kartonave në Kuvend, nga ata më të fortët, i mbajnë njerëz të painteresuar për hapjen e dosjeve, nuk kemi se ç’te presim prej këtij institucioni.

Kështu që hapja apo mos-hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit shndërrohet në një çështje të brendshme të politikës, e cila edhe pse është e përfshirë në një lojë të fortë antagoniste, në këtë rast gjen gjuhën e komunikimit për të rënë dakort kundër transparencës.

Në këtë rrethanë, përfaqësuesit tanë politikë, elita e zgjedhur nga vetë ne, votues janë edhe ata që janë përndjekur, duhet vënë seriozisht në provë.

Së pari, duhet shpëtuar debati, ai duhet zgjeruar. Nëse marrin pjesë mendje të hapura, në fund të fundit vetë viktimat, por sidomos të rinjtë, një gjeneratë që përbën shumicën e popullsisë, atëhere opinioni do të drejtohet natyrshëm drejt asaj çka duhet të ndodhe, dhe jo siç kërkohet të drejtohet në qorrsokake.

Se dyti, ekziston mundësia që Parlameentit t’i imponohet. Ka një rregull që thotë se iniciativa ligjore, mund të ndërmarrin vetë qytetarët duke bashkuar firmat. Dhe sigurisht gjenden në këtë vend më shumë se 20 mije vetë që janë të interesuar që katharsisi të ndodhë.

Kjo do t’u japë shansin qytetarëve për të parë se si do të reagojne ata që na udheheqin dhe sa legjitimë janeë ata. Ne duhet, dhe e kemi për detyrë ta dimë se kë kemi në krye, kush qeveris, dhe sidomos cilët janë ata që do ta kërkojnë sërish votën tonë. Shqipëria nuk meriton të shkojë në BE, as në NATO, nëse ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit vazhdojnë të jenë pjesë e vendimarrjeve më të rëndësishme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›