E Diel, 1 Nëntor 2026

Skenari i mundshëm i Pavarësisë së Kosovës

"Që Kosova do ta fitojë pavarësinë kjo dihet tashmë, puna është se kur dhe si"? Kështu do ta shpjegonte ecurinë e prosecit të statusit të Kosovës një analist i njohur britanik. Dhe duket se megjithë stuhinë në gotë të Rusisë, Kosova do të jetë e pavarur në një mënyrë apo në një tjetër. Por ndërsa 120 ditët përmbyllen, pra luhen minutat shtesë ne duket se po u afrohemi penalltive, pasi palët janë ndarë baraz në fushë. Dhe penalltitë mund të gjuhen më datë 11 dhjetor. Këtë e tregon pulsi i matur i Prishtinës, deklaratat gjithëfarëlloj që mbajnë firmën Ishinger, qëndrimet e luhatura të Tiranës zyrëtare dhe një qetësi olimpike amerikane e cila duket se megjithë Rusinë, do ta çojë ujin në arën e vet.
Pra durimi ka një kufi, dhe shprehja "enough is enough - mjaft është mjaft", e Presidentit Bush duket se vlen për këtë temë e kohë më shumë se kurrë. Të gjithë janë të lodhur, kosovarët, rajoni, vetë serbët, Bashkimi Europian, amerikanët... ata që luajnë të palodhurin janë rusët, që e bllokuan sa mundën dhe e zgjatën sa deshën ndeshjen mes Prishtinës dhe Beogradit. Kosovarët janë shumë larg ditëve kur thërrisnin për "Lulien me limona..." në shkallët e stadiumit të Prishtinës, tashmë ata e kanë çuar dhe e çojnë zërin më lart e më tej dhe duket se do e ndërmarrin hapin e madh.
Shqipëria ka luajtur një rol të balancuar në mbështetje të Kosovës, duke ruajtur edhe linjën amerikane. Ne jemi koordinuar me Uashingtonin, por duket se në ditët e fundit kami matur edhe pluse. Ndërsa kryeministri Berisha bën thirrje për maturi kosovare, (mediat ndërkombëtare e kishin cituar), ministri Basha lë të hapur mundësinë e njohjes së pavarësisë së njëanshme të Kosovës, që është edhe afërmend ajo që duan shqiptarët e Shqipërisë. Por ne nuk do të jemi të parët...
Në qarqet mediatike, lidhur me burime amerikane, flitet qartë për pavarësinë e njëanshme. Çështja nuk është top që të rrotullohet edhe për ca vite të tjerë, pasi kjo do t`i shkaktonte edhe më shumë probleme rajonit. (Pavarësia e Malit të Zi e përshpejtoi integrimin e këtij vendi...). Bashkimi Europian nuk e do këtë, Shtetet e Bashkuara sigurisht që nuk duan një konflikt tjetër në Ballkan kur e kanë mendjen në Irak, Afganistan dhe problemet e Iranit (shto këtu edhe Lindjen e Mesme).
Por pavarësia e njëanshme me një Rusi të ngulur fortë në rolin e superfuqisë balancuese, duket se është e paevitueshme tashmë. Ndaj kosovarët më 11 dhjetor, më 11 janar a shkurt, në një datë çfarëdo, do ta shpallin pavarësinë. S`kanë opsion tjetër, s`kanë më fuqi të durojnë fundin e durimit të shtetur popullor kosovar. Prandaj pavarësia do të vijë. Dhe sipas skenarit, ajo do njihet e para nga Kroacia. (Sigurisht ky vend do shpërblehet me një ftesë për në NATO vitin e ardhshëm.) Pra ne nuk do të jemi të parët. Për shumë arsye, që në dukje janë të thjeshta e të pranueshme. Pastaj njohja do vijë me radhë në rajon, me Maqedoninë, Malin e Zi, ndoshta Bosnjen (mbetet ende i paqartë reagimi i Republika Serpska-s), dhe menjëherë pas tyre do ta njohë Uashingtoni zyrëtar. Kjo do të çelë udhën e daljes së problemit nga rajoni, do lehtësojë barrën e Shqipërisë, e cila do kryejë detyrën e saj amnore. Pas saj, procesi do vazhdojë me njohje individuale të shteteve të tjera (sigurisht pro amerikane) dhe me ato të Bashkimit Europian. Ndërsa Britania e Madhe (këtu përfshi komonuellthin) dhe Franca do ta njohin, çelësi i BE-së mbetet Gjermania dhe pas saj Italia. Në rast se ato do të rreshtohen që në fillim në krah të pavarësisë, gjithçka në union do të rrokulliset drejt njohjes së përgjithshme. Do ketë edhe vende që s`do ta njohin Kosovën për ca kohë, porse është i gjallë shembulli i Izraelit, që në një mënyrë apo tjetër ekziston si shtet e realitet, dhe ka "ulësen" e tij në OKB.
Ky është vetëm një nga skenarët e mundshëm, të pavarësisë së Kosovës, e cila do të vijë, por koha mbetet ende e paqartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›