E Diel, 1 Nëntor 2026

Nevoja e dialogut dhe tolerancës në globalizëm

Nevoja për dialog midis popujve dhe besimeve, është bërë më e theksuar prej ngjarjeve që kanë ndodhur në vitet e fundit. Dialogu ndërfetar është parë si një prej alternativave për të shumëpërfolurën “përplasja e civilizimeve”. Ata që nuk pajtohen me teorinë që përplasja e civilizimeve është e pashmangshme, këmbëngulin në dialogun e civilizimeve, një shkëmbim vështrimi që ka për qëllim një pasurim të ndërsjellë, një shkëmbim mendimesh që çon drejt kuptimit më të thellë të bashkëjetesës në këtë planet.

Vlerat bazë që janë tipare të shek.XXI janë: modernizmi, pluralizmi, individualizmi dhe religjioni. Disa pretendojnë që modernizmi i ka bërë njësh jetën vetjake dhe shoqërore duke krijuar forma të reja të jetës fetare, kulturore dhe pluralizmit politik. Megjithëse trajtohet me pikëpamje të ndryshme, modernizmi ka krijuar dy nënfenomene ideologjike: zhvillimin dhe globalizmin. Shumë teoricienë e kanë përshkruar modernizmin prej perspektivës së shtimit të sovranitetit njerëzor përtej kufirit të tyre dhe përparimit të shkencës.

Kjo lidhje e drejtpërdrejtë e vendosur midis shkencës, nga njëra anë, dhe aftësive e sovranitetit, nga ana tjetër, ka treguar mundësinë që u jepet shteteve të superfuqishme për të sjellë forma të reja të dominimit të vendeve dhe popujve të tjerë. Pasionet imperialiste në kohët moderne kanë prodhuar konsekuenca të shumta e të rënda.
Meqë globalizmi ka një kuptim të tillë ideologjik, shumë e shohin të jetë thjesht një imperializëm klasik nën një emër tjetër. Ideologjik ose jo, globalizmi ka shkaktuar një ndryshim fondamental në të gjitha fushat, nga ato ekonomike dhe të shkencave shoqërore, në marrëdhëniet e politikës, në fushën e ligjeve, në historinë dhe gjeografinë e administrimit të shtetit.

Në fakt, globalizmi ka vulgarizuar pasurinë, teknologjinë, pluralizmin demokratik, prodhimin, dhe konsumin. Dhe pas kësaj përsëri, ka ndihmuar të shpalosen të gjitha llojet e përdhosjes: njerëzore, mjedisore, ose politike. Varfëria, ndotja ekologjike, armët e shkatërrimit në masë, terrorizmi dhe violenca janë globalizuar si jo më mirë. Globalizimi i dijeve, pushteteve dhe teknologjive është pasuar prej teorisë së një konflikti të mundshëm midis kulturave dhe qytetërimeve. Për pasojë, të gjitha këto, që janë rezultat i modernizmit apo globalizmit, kanë vendosur një numër të madh konceptesh në rend të ditës. Një duzinë konceptesh janë përcaktuar ose ripërcaktuar brenda kontekstit të modernizmit, demokracisë dhe pluralizmit: të qenët njerëzor, individualizmi, liria e të menduarit dhe feja, politika, shoqëria dhe toleranca kulturore, konflikti me konkurrencën, dialogu me konfliktet....

Nuk ka dyshim se bota sot ka nevojë për dialog ndërmjet kulturave dhe qytetërimeve më shumë se kurrë më parë dhe me shumë urgjencë. Shkenca dhe teknologjia e armatimeve - mbase jo krejtësisht, por në një masë domethënëse - mund të jetë e shqetësuar prej shpërdorimit të saj për manipulime ideologjike. Ky lloj i manipulimit ideologjik të shkencës dhe teknologjisë përhap dhe përgjithëson kërcënimet fetare, kulturore, shoqërore si dhe dallimet krahinore. Reagimet më të mëdha kundër globalizmit vijnë nga të gjithë vendet e botës që janë në zhvillim. Ky reagim nuk mund të shihet vetëm si një kundërpërgjigje ndaj modernizmit. Dimensionet ideologjike të modernizmit janë perceptuar, në një sens të gjerë, si një kërcënim ndaj religjioneve sovrane, kombësive, historisë, kulturës dhe identitetit. Atëherë një situatë e tillë mund të shkaktojë grindje të reja në konfliktet e ngjallura. Nga njëra anë, për pothuajse një çerek shekulli, platformat e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë dëshmuar një proces me diskutime të ashpra, të rëndësishme dhe me një rrezik të madh, të tillë si një përplasje civilizimesh.

Me ngjyrimet e tyre politike dhe ideologjike, këto janë teza që kanë ardhur nga shekuj të trazuar. Ndoshta akoma mijëra mendimtarë dhe burra shteti, gjykojnë dhe mendojnë për të ardhmen e njerëzimit. Tezat e Hantingtonit për konfliktin e civilizimeve kanë qenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe kanë fituar një vend të gjerë dhe shumë fondamental në diskutimet globale të dekadës së fundit. Jehona dhe efektet e kësaj teorie në marrëdhëniet ndërkombëtare vazhdojnë akoma. A mundet që modernizmi dhe globalizmi të mos realizojnë më shumë konstruktivitet; a mundet që ata të mos përqendrohen më shumë te vlerat njerëzore dhe etike? Ata që mendojnë t'u përgjigjen këtyre pyetjeve, përpiqen t'i minimizojnë ato ose t’i shohin thjesht si një problem për t'u perceptuar.

A janë modernizmi dhe globalizmi, në fakt, kaq fenomene të thjeshta që ata ta minimizojnë problemin thjesht për t’u perceptuar dhe për t’u kuptuar? Globalizmi dhe modernizmi në terma ideologjike janë kuptuar prej popujve që vijnë nga kultura dhe qytetërime të ndryshme në formën e konflikteve të shkuara dhe llogarive të këqija. Në këtë mënyrë, tezat e këtyre, të të njëjtëve Hantington dhe Fukujama, që - deri diku - u ndeshën me parashikimet, vijnë në ekzistencën e kësaj platforme të brishtë.

Në anën tjetër, bashkë me problemet kronike të qytetërimit modern, të tilla si përhapja e terrorizmit global, dhuna dhe armët e shkatërrimit në masë, nga të cilat, çdo njëra shkon në mbështetje të tezave të konflikteve, janë bërë edhe përpjekje serioze që vënë në dukje përputhjet midis shoqërive me kultura të ndryshme dhe qytetërimeve përmes demokracisë, tolerancës, dashurisë dhe dialogut. Këto kanë spikatur më tepër në çerekun e fundit të shekullit të kaluar. Këto përpjekje nuk kanë shkaktuar, direkt ose indirekt, ndonjë konflikt të brendshëm me modernizmin ose globalizmin. Ato kanë prodhuar më shumë vlera etike universale dhe fondamentale njerëzore, si edhe dinamizëm për të kapërcyer aspektet shkatërruese të modernizmit dhe globalizmit...

Reagimin e ashpër kundër tezave të Hantingtonit, në fakt, e shfaqi nevoja e zjarrtë për konkurrencë dhe dialog, ndonëse veprimet konkrete që janë marrë në drejtim të vënies së themeleve për konkurrencën dhe dialogun, janë fare pak për t'u përmendur. Ose përpjekje të tilla nuk kanë pasur efekt global. Arsyet e këtij qëndrimi të përgjithshëm të heshtur dhe indiferent duhen kërkuar në efektet e transformimeve moderniste tek njerëzit dhe shoqëria. Është fakt që modernizmi ka nxitur individualitetin, materializmin dhe instinktet vetjake të njerëzve në kundërshtim me shoqërinë, i ka larguar njerëzit nga gjithçka që ata mbajnë të shenjtë, humane dhe etike, nga dashuria, përkujdesja, përkushtimi dhe vetësakrifica. Në fund, pasoja ka qenë një qenie njerëzore e ulët, që jeton vetëm me instinktet egoiste. Kur vështrojmë degradimin e qytetërimit të sotëm, ajo që kuptojmë është - për çfarëdolloj arsye - se gjithçka përfundon tek problemi i njeriut. Rruga për të shpëtuar qytetërimin bashkëkohor prej shkatërrimit të shpejtë është t'i riedukojmë qeniet njerëzore në bazë të dashurisë, tolerancës dhe dialogut....

Njerëzit presin tolerancë dhe mirëkuptim prej prindërve në shtëpi në përgjigje të djallëzisë, prej mësuesve në përgjigje të gabimeve në shkollë, prej atyre viktimave të pafajshme ndaj të cilëve është vepruar dhe janë dhunuar pa të drejtë, prej prokurorëve dhe gjykatësve në gjykatë, prej komandantëve në ushtri, prej inspektorëve të policisë dhe prej gjykuesit. Ndërkaq, është shumë e rëndësishme që të meritohet ajo që kërkohet. Dikush që nuk fal, nuk mund të ketë të drejtë të kërkojë mirëkuptim. Në vendet ku mbizotëron korrupsioni, intoleranca dhe mungesa e mëshirës, nocione të tilla si liria e mendimit, kritika e qytetëruar, shkëmbimi i ideve në përputhje me normat e drejtësisë dhe debati i paanshëm janë të përjashtuara, është e pakuptimtë të flasësh për përfundimet e logjikës dhe frymëzimit.

* Sociolog, Master SHPU, Tiranë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›