Dosti: Elbasani me fat për shtyrjen, ka mundësinë të konsolidohet
Ndihmëstrajneri Muharrem Dosti pohon se ekipi ka shansin të rregullojë shumë gjëra këto 10 ditë, pasi nuk do të luajë këtë të shtunë
Ekipi i Elbasanit vijon përgatitjet në kompleksin sportiv “Shefqet Lamçja”. Elbasani do ta ketë pushim këtë javë, sepse ndeshja me Luftëtarin është shtyrë për shkak të angazhimit të disa lojtarëve me ekipet kombëtare U-19 dhe U- 21. Sipas numrit 2 të stolit verdheblu, Muharrem Dostit, ky pushim do ti shërbejë mjaft stafi teknik, sepse do të ketë në dispozicion kohën e mjaftueshme për të rregulluar disa defekte që ka ekipi.
Kështu, verdheblutë duhet të mendojnë për ndeshjen me Adën në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, ndërkohë që atë me Luftëtarin do ta luajë në muajin tetor. Në këtë mënyrë, Elbasani do të ketë shansin të marrë një tjetër 3-pikësh në fushën e tij në një ndeshje, për të cilën mund të përgatitet me më shumë komoditet, aq më tepër që do të ketë ta gatshëm edhe mesfushorët Mateos Toçi dhe Orgest Gava, mjaft të nevojshëm për ekipin.
“Është shans për ne që ndeshja me Luftëtarin është shtyrë, sepse do të kemi më shumë kohë dhe mundësi për ta konsoliduar ekipin. Ndeshja në Gjirokastër u shty për shkak të grumbullimit të lojtarëve të rëndësishëm tanët me ekipet kombëtare, që do të thotë se pa ta do të kishim mangësi. Janë lojtarë si Gava dhe Toçi, që mbajnë jo pak peshë në ekip, shprehet zëvendëstrajneri Muharrem Dosti.
Ada Sipas Dostit, grupi po stërvitet me shumë seriozitet për ndeshjen që Elbasani do të luajë pas gati 10 ditësh në shtëpi me Adën, që vlerësohet, sepse ka një ecuri pozitive në këtë kampionat: “Tani mendojmë vetëm për ndeshjen me Adën, që duhet vlerësuar maksimalisht, nisur nga rezultatet që ka arritur. Është një ekip që nuk ka pësuar asnjë humbje dhe kjo nuk është pak.
Kuptohet që për ne është detyrim fitorja dhe me këtë mendim e presim këtë ndeshje. E kemi deklaruar vazhdimisht se në fushën tonë nuk lëshojmë pikë. Kërkoj nga lojtarët që të jenë sa më të përqendruar në stërvitje, pasi vetëm duke punuar shumë do të arrijmë rezultatet që dëshirojmë të gjithë, ka theksuar në fund Dosti.
Një lajm i keq për Elbasanin është dënimi i mbrojtësit Sekseni me 5 ndeshje. Është një dënim që i prish shumë punë ekipit verdheblu, duke ditur se mbrojtja ka pasur probleme gjatë ndeshjeve të fundit të kampionatit, pasi mungojnë edhe Kaçuli dhe Kacollja.
