Lushnja,të gjithë presin kthesën me Besëlidhjen
Lushnjarët luajnë fort me të fortët, ndërkohë që ka zëra se disa futbollistë nuk japin atë, për të cilën paguhen
Verdhejeshilët janë të impenjuar këtë fundjavë në shtëpi për të luajtur dhe për të marrë detyrimisht tri pikët ndaj një kundërshtari, që mban kreun në tabelën e renditjes së kategorisë së parë, Besëlidhjes. Lushnjarët kanë shfaqur mangësi në 4 ndeshjet e luajtura deri më tani, duke marrë 5 pikë nga 12 të mundshmet, ndërkohë që lezhjanët kanë 9.
Fakt është se me ekipe si Besëlidhja, në fillim të fazës përgatitore të verës, Lushnja është shfaqur mjaft mirë dhe ka fituar në miqësore, por, me kalimin e kohës dhe me ndryshimin e formacionit nga të rinjtë e dikurshëm në emrat me peshë, ka diferencë. Diferenca shikohet fare qartë në rënien e lire që ka bërë skuadra lushnjare, që në ndeshje mjaft të lehta në letër ka vuajtur dhe ka humbur pikë.
Mos ndoshtalushnjarët e pretendimeve për në superiore kanë nevojë të përballen me skuadra të forta për të treguar se kush janë? E vërteta është se Lushnja luan më mirë kundër ekipeve të forta dhe humbet me kundërshtarë të dobët, që ndoshta i neglizhon.
Rendimenti i senatorëve Është e qartë se ka punë për të bërë në radhët e lushnjarëve. Futbollistët e njohur lushnjarë janë turpëruar në ndeshje si ato me Vlorën, Himarën dhe Skraparin, ndërkohë që ka zëra se në grup ka edhe nga ata që nuk japin atë për të cilën paguhen.
Gjithsesi, sanksione deri më tani nuk ka pasur, as nga stafi dhe as nga presidenca. Sigurisht, kjo e fundit, duke parë ecurinë e skuadrës, duhet të kishte ndërhyrë, por ndoshta nuk ka përvojën e duhur në këtë drejtim.
Komunikim i munguar Një tjetër element është se asnjëherë nuk është publikuar ndonjë deklaratë për shtyp nga drejtuesit e klubit, presidenca apo edhe stafi teknik. Mendësia e profesionalizmit, ku kërkohet të arrihet, bëhet me transparencë, që vjen edhe si kërkesë e kohës, sepse të gjithë, duke përfshirë edhe presidentin, paguhen nga taksapaguesit lushnjarë.
Për ndeshjen me Besëlidhjen, që kryeson kampionatin, pritet nga të gjithë kthesa e futbollistëve lushnjarë, edhe pse misioni është i vështirë. Por, nëse i referohemi historikut, skuadra lushjare ka ditur të triumfojë kundër lezhjanëve.
