E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Dr. Emilio Çika sjell librin monografi: Rëndësia e diplomacisë ekonomike dhe si u zhvillua 10 vitet e fundit

Dr. Emilio Çika është prezantuar me librin monografik “Diplomacia ekonomike”. I ftuar në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu, pedagogu dhe zv. Dekani i Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, tregoi për punën tre vjeçare me këtë studim. “Studimi lidhet me diplomacinë ekonomike, një fushë pak e rrokur në librin akademik dhe universitar. Është një studim që ka ardhur natyrshëm sepse është në fushën time kërkimore, një ndër fushat që jam specializuar, vazhdimësi e disertacionit dhe doktoraturës.”

Monografia sjell hulumtime të reja. “Ajo përfshin aktualitetin ndërkombëtar në botën e sotme, e cila ka një zhvillim të jashtëzakonshëm që na prek tërthorazi ose drejtpërdrejt. Diplomacia ekonomike është një nga fushat më të rëndësishme. Po merr një hov të jashtëzakonshëm si një nga mjetet më të rëndësishme të politikës së jashtme të çdo shteti.”

Diplomacia ekonomike mori hov më të madh pas viteve 1990. “Pas përplasjes ideologjike të viteve ‘90, me rënien e Murit të Berlinit dhe Bashkimit Sovjetik merr një rëndësi të veçantë. Kemi një dominim të globalizmit, një zhvillim i cili të çon drejt nevojës së bashkëpunimit, shtrirjes së tregut dhe nevojës që ka shteti për të shfrytëzuar të gjitha mënyrat për të shtrirë ndikimin e tij ekonomik dhe për të përthithur investime brenda vendit.”

Emilio Çika tregon se kalimi nga sistemi ekonomik i centralizuar në atë të tregut të lirë shënon periudhën kur filloi shfrytëzimi i diplomacisë ekonomike. “Por një rëndësi të madhe merr veçanërisht pas vitit 2013. Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste, të paktën në retorikë kemi një zhvillim ku i jepet rëndësi politike zhvillimit të diplomacisë ekonomike, kemi krijimin e një drejtorie të posaçme në Ministrinë e Jashtme. Megjithatë Shqipëria është një vend i vogël dhe kapacitetet e shfrytëzimit të diplomacisë ekonomike, qoftë dhe ekonomisë së saj janë të limituara.”

Sipas Çikës, diplomacia ekonomike mund të ushtrohet në disa forma që të mund të sjellë përfitime. “Ambasadat e Shqipërisë jashtë vendit duhet të luajnë një rol jashtëzakonisht shumë aktiv për ushtrimin e diplomacisë ekonomike. Ambasadorët janë përfaqësuesit e shtetit që duhet të luajnë një rol kryesor, po kështu atashetë ekonomikë të vendit. Zyrtarët e lartë që nga kryeministri dhe ministrat e linjës duhet të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që jep diplomacia ekonomike për të përthithur investime që janë më se të nevojshme për Shqipërinë, akoma më shumë në fazën që po kalojmë, sepse krizat ekonomike po shpeshtohen. Shteti shqiptar duhet të shfrytëzojë të gjitha mënyrat që të arrijë të përmbushë nevojat, në mënyrë që impaktet e krizave të jenë sa më të vogla në ekonominë e vendit.”

Për ta bërë këtë, Çika sugjeron institucionalizimin e diplomacisë ekonomike. “Të paktën një zv. ministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme të kishte në kompetencat e tij shfrytëzimin dhe ushtrimin e diplomacisë ekonomike, jo vetën në vartësi administrative por t’i jepet i gjithë portofoli në mënyrë që të ketë akses dhe të jetë ai përgjegjës për diplomacinë ekonomike të vendit.” 

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›