E Diel, 1 Nëntor 2026

Draft menaxhimi i mbetjeve, Bashkia kërkon zgjidhje urgjent

16/02/2011  Ministri Mediu: Të miratohen venddepozitimet e përkohshme, 4 zonat e nxehta në Elbasan

ELBASAN- Ministria e Mjedisit ka prezantuar në Elbasan draft-menaxhimin e mbetjeve urbane. Ky draft i asistuar nga IMPAEL është bazuar planin kombëtar për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve që ka si qëllim që deri në 2025-ën të arrijë riciklim të më shumë se gjysmës së mbetjeve urbane. Ministri Mediu në fjalën e tij pranoi se Elbasani është zgjedhur, pasi përbën një problem të madh nga pikëpamja mjedisore. Sipas tij, një pjesë e këtyre problemeve janë trashëguar, një pjesë janë hasur rishtas nga transformimi urban, por që kërkojnë zgjidhje.

Elbasani, zonë e nxehtë

Ndër 35 pikat e nxehta të përcaktuara në bashkëpunim me UNEP, 4 janë përcaktuar në territorin përreth Elbasanit. Zonat e përcaktuara si hotspote janë Impianti Balëz, Uzina e Ferrokromit, ish-Kombinati Metalurgjik dhe miniera e hekur-nikelit në Përrenjas. Sipas ministrit, impianti i Balzës është zgjidhur me një projekt të PNUD-së, ndërsa do të kërkohen strategji për pikat e tjera. Së fundi, ministri u ndal në vendgrumbullimin aktual të mbetjeve. Ai tha se është në gjendje të keqe, në anë të lumit dhe djegia e vazhdueshme shkakton cilësi të keqe të ajrit. Po ashtu shtoi se ka tre opsione për zgjidhjen e këtij problemi si: ndërtimi i një landfilli rajonal, përdorimi si lëndë djegëse nga fabrika e çimentos, ndërtimi i një gjeneratori për prodhim energjie duke përdorur mbetjet si lëndë djegëse. Ai kërkoi ngritjen e një bordi të përbashkët për shqyrtimin e të gjitha mundësive dhe ideve për një zgjidhje sa më optimale. Por ndërkohë kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, tha se ne jemi sërish në pikën A për sa i përket zgjidhjes. Ai theksoi se Bashkia është e gatshme të bashkëfinancojë, të financojë apo të bashkëpunojë për zgjidhjen sa më urgjente të problemit të mbetjeve. Sejdini tha se bashkëpunimin me privatët do të sillte një zgjidhje të pranueshme. Kreu i Bashkisë madje deklaroi se Bashkia është e gatshme të pranojë idetë e argumentuara dhe zgjidhjet përkatëse të ofruara nga institucionet kompetente, por tashmë problemi duhet të shtrohet konkret. Takime të tilla, tha Sejdini, janë shumë të mira, por qytetarët presin që të mos jetojnë më me mbetjet dhe tymin e djegies së tyre. Në fund ka ndërhyrë sërish ministri i Mjedisit duke theksuar se vendimi më i fundit i Këshillit të Ministrave kërkon që çdo njësi vendore në bashkëpunim me strukturat rajonale dhe të Ministrisë së Mjedisit të përcaktojnë vendet e grumbullimit provizore larg qendrave të banuara, lumenjve, përrenjve dhe burimeve të ujit të pijshëm. Ndërkohë specialistët e Komisionit Evropian kanë theksuar se landfilli është zgjidhja më pak e pranueshme për politikat e BE-së. Ata kanë inkurajuar diferencimin e mbeturinave dhe menaxhimin dhe përpunimin e tyre në një vendgrumbullimi të përkohshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›