E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmirësohet besimi i biznesit

17/02/2011  Industria dhe ndërtimi më optimiste, përmirësojnë treguesin e ndjesisë ekonomike

Bizneset e shërbimeve: Problem rendi dhe siguria, infrastruktura dhe gjendja politike

Përmirësimi i sektorit të industrisë dhe ndërtimit kanë ndikuar në rritjen e treguesit të ndjesisë ekonomike. Vrojtimi periodik i Bankës së Shqipërisë për tremujorin e fundit të vitit 2010 ka rezultuar me një përmirësim të këtij treguesi, i cili shënoi një rritje prej 1.6 pikë përqindjeje dhe kapi nivelin 92.8, duke iu afruar përsëri mesatares afatgjatë. Gjithsesi, sipas këtij vrojtimi, ai mbeti përsëri 7.2 pikë përqindje poshtë mesatares. Por besimi në sektorin e shërbimeve mbetet i ulët. Problem mbetet gjendja e rendit dhe e sigurisë, problemet infrastrukturore dhe gjendja politike në vend.

Sektori i shërbimeve

Treguesi i besimit në shërbime ra me rreth 2.2 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Përmirësimi në balancën mbi situatën aktuale të punësimit nuk arriti të kompensojë zhvillimet negative në dy përbërësit e tjerë të këtij treguesi. Pas vlerësimit shumë optimist në tremujorin e tretë të vitit 2010, bizneset e sektorit të shërbimeve kanë vlerësuar në rënie situatën e përgjithshme ekonomike në vend, në tremujorin e fundit të vitit. “Kuadri ligjor dhe zbatueshmëria e tij, si dhe marrëdhëniet me bankat janë vlerësuar si faktorët kryesorë që pengojnë zhvillimin normal të aktivitetit në sektorin e shërbimeve. Gjendja e rendit dhe e sigurisë, problemet infrastrukturore dhe gjendja politike në vend janë vlerësuar në të njëjtin nivel të një tremujori më parë”, - theksohet në vrojtimin e BSH-së. Faktorët kryesorë që kufizojnë shfrytëzimin e kapaciteteve lidhen me pamjaftueshmërinë e kërkesës dhe kufizimet financiare. Kredia bankare mund të jetë e vetmja zgjidhje për përballimin e kufizimeve financiare. Këto biznese presin rigjallërim të gjendjes së përgjithshme ekonomike të firmës së tyre në tremujorin e parë të vitit 2011, por edhe rigjallërim të punësimit dhe kërkesës.

Sektori i industrisë

Treguesit e besimit në sektorin e industrisë dhe ndërtimit u rritën respektivisht me 5.5 dhe 7.3 pikë përqindjeje. Përmirësimi i besimit në sektorin prodhues balancoi rënien e besimit në sektorin e shërbimeve dhe keqësimin e besimit konsumator. Besimi në këta sektorë ra me përkatësisht 2.2 dhe 1.6 pikë përqindjeje. Sipas vrojtimit, treguesi i besimit në industri ka ndjekur një prirje rritëse që nga pika më e ulët e shënuar në tremujorin e parë të vitit 2009. Përmirësimi në këtë tremujor është shkaktuar kryesisht nga rritja e balancës së prodhimit industrial dhe të punësimit. Vlerësimi i bizneseve të industrisë për ecurinë e ekonomisë në përgjithësi dhe për gjendjen e përgjithshme të bizneseve të tyre më në veçanti, është rritur. Bizneset kanë vlerësuar më pak negativisht faktorët që lidhen me praninë e ekonomisë joformale dhe faktorë të tjerë specifikë lidhur me biznesin e tyre. Gjithsesi, faktorët që lidhen me kuadrin ligjor dhe institucional dhe marrëdhëniet me bankat vijojnë të vlerësohen si faktorët kryesorë që pengojnë aktivitetin normal të tyre. Bizneset kanë vlerësuar në rritje kërkesën totale për mallrat e tyre. Rreth 87 për qind e bizneseve të këtij sektori janë të opinionit se niveli aktual i kapaciteteve të prodhimit është i mjaftueshëm duke marrë parasysh kontratat porositëse. Pritjet e bizneseve të sektorit të industrisë për tremujorin e parë të vitit 2011 janë optimiste. Ata presin që përmirësimi në nivelin e kërkesës, të prodhimit dhe të gjendjes së përgjithshme të biznesit të tyre do të vijojë edhe gjatë tremujorit të ardhshëm.

Sektori i ndërtimit

Besimi në ndërtim regjistroi përmirësim të ndjeshëm në tremujorin e katërt të vitit 2010. Treguesi i besimit të ndërtimit u rrit me 7.3 pikë përqindjeje, por niveli aktual qëndron poshtë mesatares së tij afatgjatë me 9.7 pikë përqindjeje. Përmirësimi i TBN në këtë tremujor është përcaktuar nga përmirësimi i të tre balancave përbërëse të tij, nga balanca e kërkesës, e prodhimit dhe e punësimit. Vlerësimi i bizneseve të ndërtimit për ecurinë e ekonomisë në përgjithësi dhe për gjendjen e tyre të përgjithshme të biznesit shënoi përmirësim. Në përmirësimin e besimit në sektorin e ndërtimit kanë kontribuar perceptimi më pak negativ i pranisë së ekonomisë informale dhe problemeve të tjera lidhur me aktivitetin ndërtues, si për shembull marrja e lejeve të ndërtimit. Gjithashtu, edhe gjendja financiare e bizneseve është përmirësuar sipas opinioneve të bizneseve të ndërtimit gjatë këtij tremujori. Pritjet e bizneseve për ecurinë e ekonomisë në përgjithësi dhe për gjendjen e përgjithshme ekonomike të tyre sinjalizojnë për vijim të prirjes rritëse të ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2011. Prodhimi në sektorin e ndërtimit pritet të rritet në tremujorin e parë. Një prirje e lehtë rritëse pritet të vijojë për çmimet e tyre të prodhimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›