E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Jo bojkot zgjedhjeve të 8 majit

17/02/2011  Kthimi nga Strasburgu, kreu socialist bën publik qëndrimin e kampit opozitar

“Zgjidhja krizës është kthimi i partive para gjykimit të popullit, në zgjdhje të lira”

“Ne nuk e kemi konsideruar si të vlefshëm bojkotin e zgjedhjeve vendore dhe nënvizoj se për ne zgjidhja e plotë e kësaj krize është kthimi i partive para gjykimit të popullit me zgjedhje të lira e të ndershme. Përballë regjimit vrastar të kusarisë ne do të bëjmë gjithçka për zgjedhje të lira e të ndershme, duke demonstruar paqësisht dhe duke qenë të pranishëm në Parlament”, - ky ishte qëndrimi më i ri i Partisë Socialiste, i bërë me dije nga vetë kreu i saj Edi Rama. Parë në këtë këndvështrim, duket qartë tashmë fakti se lidershipi socialist ka vendosur të përjashtojë opsionin e bojkotit të zgjedhjeve të 8 majit, por nga ana tjetër ky kamp nuk tërhiqet nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme, si e vetmja zgjidhje e krizës. Pas kthimit nga vizita e tij në Strasburg kreu socialist preferoi që përmes një konference për shtyp të informojë opinionin publik mbi pozicionin e ri të partisë më të madhe opozitare. Në këtë mënyrë, duke iu referuar pikërisht deklaratave të ardhura nga BE-ja mbi situatën politike në vend, Rama paralajmëroi se kriza rrezikon të thellohet, nëse nuk ndërmerren hapat e sugjeruar nga partnerët ndërkombëtarë. “Pra, edhe për Evropën Shqipëria nuk është më në ngërç, por në krizë të thellë, spiralja e së cilës bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. Ndërkohë që Evropa pret plotësimin e kritereve të Kopenhagës, porosia e zotit Miroslav Lajçak tregon se Evropa kërkon zgjidhje reale dhe demokratike të krizës”, - vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij. Gjithashtu kryetari socialist shprehu gatishmërinë e PS-së për të kontribuar në suksesin e Evropës për zgjidhjen e krizës në Shqipëri, e cila sipas tij i ka rrënjët te vjedhja e zgjedhjeve. “Do bëjmë gjithçka që Shqipëria të dalë nga kriza, që shqiptarët të mos vazhdojnë të paguajnë faturën e kësaj krize, që i ka rrënjët te zgjedhjet e vjedhura dhe te kusaria e këtij pushteti”, - nënvizoi Rama sa i takon një çështje të tillë. Ndërkaq në deklaratën e tij, kreu socialist u ndal dhe tek protesta e ditës së nesërme, ku jo vetëm rikonfirmoi organizimin e saj por njëkohësisht ftoi të gjithë qytetarët të jenë pjesë e saj. “Të premten në orën katër ne do të rikthehemi në bulevard edhe në emër të atyre që u vranë më 21 janar, edhe për ata që janë vrarë më parë dhe që drejtësia nuk është lejuar të hetojë”, - u shpreh, Rama, gjatë fjalës së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›