Drafti djallëzor i kodit rrugor
***
Asllan Dogjani
Këto ditë kur shqiptarët po hapin vrima të reja në rripat e mesit, për të vazhduar procesin e shtrëngimit të barkut, e nënshkruar nga kryeministrit na ka mbërritur nëpër duar një projektligj që katërfishon masat e gjobave për shkelësit e kodit të qarkullimit rrugor.
Në të gjitha pikat e ndryshimeve vihet re shtimi i sasisë së gjobës nga dy deri në katër apo më shumë herë, ndërkohë që vihet re se gjoba më e vogël për shkeljen më të vogël është fiksuar përgjithësisht në shifrën 2 mijë lekë të rinj. I parë teknikisht ky propozim më duket tejet i gabuar, madje djallëzor. Pyetja e parë që mund të bëj është: Mos vallë duke i thyer në mes me gjoba të tilla shqiptarët ne do të kemi më pak se 400 aksidente me vdekje dhe me rreth 1500 të plagosur në vit? Mos vallë drejtuesit e automjeteve e mbledhin mendjen vetëm duke i gjobitur dhe duke u shtrënguar në të njëjtën mënyrë mundësitë financiare për mbijetesë? Po të vazhdojmë të mendojmë në këtë mënyrë na del se të gjithë fajin për përgjakjen e rrugëve dhe trafikun e pranishëm në Tiranë e paskan qytetarët që posedojnë mjete lëvizëse. Pra shteti, po sipas kësaj logjike, ka ndërtuar e mirëmban rrugë pa gropa, me semaforë në çdo vend ku duhen dhe nga ata që nuk fiken kur ikën energjia elektrike ose kur u do qejfi, me policë që zbatojnë kodin rrugor në mënyrë të përpiktë dhe që ua hedhin surratit lekët të gjithë atyre që tentojnë ti korruptojnë. Ndërsa duke i gjykuar këto propozime me këmbë në tokë më del se nuk ka ndonjë arsye që të shtohen masat e gjobave të qarkullimit rrugor deri në katërfishin e atyre aktuale për këto arsye:
Sepse nuk di, as unë as njerëzit që më rrethojnë, që nga Tirana, deri në Kukës e Tropojë, që shqiptarët në të njëjtën periudhë kohore të kenë përftuar edhe rritje të rrogave në të njëjtin përpjesëtim progresiv, pra dy deri në katër herë. Sepse duke parë se gjobat propozohet të rriten katërfish pa bërë asnjë lloj diferencimi për shkeljet dhe llojin e shkeljes, sërish më duket një projektligj abuziv, pasi kjo do të thotë se nuk është bërë asnjë analize se si janë zbatuar dispozitat e kodit rrugor ekzistues dhe çfarë efektesh kanë pasur.
Sepse unë nuk mendoj se rritja e numrit të aksidenteve ka ardhur si rezultat i masave të ulëta ndëshkimore të parashikuara në kodin ekzistues, por mendoj se kanë ardhur si rezultat i moszbatimit të masave ekzistuese, korrupsionit në radhët e policisë, infrastrukturës së keqe rrugore, mungesës së vendeve për parkim, pafuqisë së shtetit për të rritur rolin edukativ nëpër shkolla për këtë specifikë, etj.
Për më keq akoma në këtë projektligj të ri është lënë një kufi i lartë mes sanksionit minimal dhe maksimal për të njëjtën shkelje, duke bërë që caktimi përfundimtar i nivelit të ndëshkimit të mbetet në dorë e punonjësve të rëndomtë të policisë së qarkullimit rrugor, duke rritur në këtë mënyrë abuzimin e korrupsionin. Sepse tashmë të gjithë e kanë të qartë dhe të konfirmuar se pothuaj të gjithë punonjësit e policisë së qarkullimit rrugor e kanë bërë traditë të përfitojnë nga pozita e tyre për të bërë një dorë lekësh korruptivë, në shumicën e rasteve në marrëveshje dhe duke i ndarë me shefat.
Le të mbetemi këtu. Marrim ndryshimet që kërkohen të bëhen në nenin 140 pika 9, ku thuhet: Cilido që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km në orë ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga 10 mijë deri në 40 mijë lekë dhe me pezullimin e lejes së drejtimit deri në tre muaj!
Si mund ti lihet në dorë një polici të ketë një hapësirë të tillë?! Kjo, natyrisht duke parë dhe gjendjen e njohur financiare të shqiptarëve, përfshirë edhe policinë, do të çonte në rritje të korrupsionit.
Po le të vijmë në qendër të muhabetit. Nuk ka asnjë dyshim që e gjitha kjo është një tjetër masë djallëzore e qeverisë për të mbushur ca vrimëza të vogla në buxhetin e shtetit. Të gjithë qytetarët tashmë ose e kanë ndier në kurriz, ose i kanë vënë re se si janë lëshuar të mbushin blloqet me gjoba jo vetëm policët e qarkullimit, por edhe ata të rendit. Gjoba që i vënë masivisht, sikur të kishin ndonjë aksion me goditje të përqendruar, si të kohës së Enverit, për të përmbushur. Por edhe gjoba që në shumë raste i vënë në mënyrë kriminale, vetëm duke fiksuar traga të automjeteve të ndryshme që kalojnë nëpër rrugë pa shkelur aspak kodin e qarkullimit. Pasoja: Shqiptarë të terrorizuar që shtyhen pranë Komisariatit të Qarkullimit Rrugor, në Kinostudio, në radhë për të paguar gjobat.
Kjo tentativë për të shtuar në maksimum nivelin e masës së gjobave të shkelësve të kodit rrugor, që falë shumicës së kartonëve, ka shumë të ngjarë edhe të kalojë në parlament, mua më duket shumë e ngjashme edhe me aprovimin pak kohë më parë të një sërë ndryshimeve për taksimin automjeteve. Ndryshime të cilat, duke stimuluar shitjen e makinave të reja dhe kuptimisht të shtrenjta, shkuan në disfavor të shqiptarëve më të varfër e më të këputur, posedues të mjeteve të vjetra të tipit Benz 240, me të cilat një shumicë deri tani kanë siguruar koren e bukës për familjen e fëmijët e tyre.
Pikërisht ky kontingjent njerëzish të varfër që posedojnë makina të vjetra kanë qenë edhe më të shënjuarit nga gjobat e policisë së qarkullimit rrugor. Këta njerëz pa përkrahje dhe larg të qenit në radhët e borgjezisë së re të krijuar (një togfjalësh që i pëlqen veçanërisht kryeministrit tonë) janë në të dyja rastet viktimat e vërteta të ndryshimeve, qoftë të taksave, që tashmë është bërë realitet, qoftë të projektit të fundit të katërfishimit të sasisë së gjobave. Vihuni në vendim e një hallexhiu që në fillim të vitit tjetër do i duhet të paguajë rreth 50 mijë lekë të rinj për të marrë taksat e Benzit të tij të vjetër 240, të cilin e ka përdorur edhe duke e mbushur me çimento e llaç, për të ushqyer familjen. Më tej vendoseni veten në qarkullim me Benzin e vjetër pa e paguar ende taksën dhe momentin kur para sysh shfaqet tabela ndaluese e policit të qarkullimit. Ky polic pas 1 janarit 2012 do i dijë mirë hallet e këtyre Benzave të vjetër. Ballafaqimi nuk ka nevojë për koment. Në rastin më të mirë do ja hidhni duke paguar ryshfet e do qarkulloni derisa të ndaleni nga një tjetër polic. Eh, nuk keni mundësi të blini një makinë të re! Sepse fati nuk ju ka sjellë mundësi të përfshiheni në radhët e borgjezisë së kryeministrit. Prandaj para se ky projektligj të kalojë ashtu si edhe ai i taksave të makinave, unë mendoj se do të ishte më mire, që në vend që të rritej masa e gjobave, të shiheshin mundësi të tjera për zvogëlimin e problemeve me qarkullimin.
Për mendimin tim në këtë rast do të ishte me vend implementimi i sistemit të vlerësimit me pikë të lejes së drejtimit, sikurse është implemetuar dhe funksionon pothuaj në të gjithë vendet e Bashkimit Europian dhe në të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit, përfshirë fqinjët tanë. Gjithashtu unë mendoj se duhet të merret edhe eksperienca e vendeve të BE-së në drejtim të diferencimit të drejtuesve të mjeteve sipas afatit të marrjes së lejedrejtimit deri në tri vitet e para, ku duhet të parashikohen nivele shpejtësie dhe nivele ndëshkimi apo edhe nivele përdorimi mjetesh sipas fuqisë dhe kapaciteteve motorike për këta drejtues, duke qenë se janë ndër shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve rrugore.
E kombinuar kjo me aplikimin e koncepteve ne trajtimin e pagesave të primeve të sigurimit në ligjin e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike, do të jetë një masë efikase për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndryshimin e mënyrës së sjelljes së drejtuesve të rinj të mjeteve. Këto dhe të tjera mundësi, që një qeveri në shërbim të qytetarëve mund të gjejë, sigurisht që do të përshëndeteshin nga të gjithë. Ndërsa shpata e gjobave në këtë kohë krizash, të paktën mua, më duket një zgjidhje djallëzore, madje e dëshpëruar.