E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frenimi dhe pengimi i Iranit

19-11-2011 / Gazeta 55

Nga Roger Cohen (Nju Jork Tajms)

Në vitin 1980, Saddam Husseini e pushtoi Iranin. Ai mendonte se iranianët ishin tejet të përçarë, si rezultat i revolucionit të tyre dyvjeçar dhe se nuk do të bënin shumë rezistencë. Megjithatë, hesapi i doli keq, pasi që iranianët u bashkuan, kundërshtimet e brendshme ndaj teokracisë së ajatollahut Khomenei u shtypën dhe Irani u bë një, për t’u përballur me armikun. Nuk ka nevojë që t’i shkojmë më tej analizës, për ta kuptuar se si do të reagonte Teherani, po qe se Izraeli apo SHBA-ja e bombardojnë atë, në përpjekje për ta ndalur programin bërthamor të këtij shteti. Një shoqëri iraniane, e cila sot konsiderohet si përzierje e gjallërishme e depresionit, përçarjeve dhe jofunksionalitetit – e mbikëqyr nga një lider suprem brezhnjevian, që nuk i ka punët mirë me presidentin e pamatur – do të bashkohej sa hap e mbyll sytë. Kjo, sipas fjalëve të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Leon Panetta, mund të ketë “pasoja të padëshiruara”. Në mesin e këtyre pasojave do të ishin ngritja drastike e viktimave amerikane në Irakun dhe Afganistanin fqinj; hakmarrja direkte apo indirekte (përmes Hezbollahut) ndaj Izraelit; një valë e radikalizimit, pikërisht në kohën kur ideologjia xhihadiste duket e lodhur dhe Pranvera Arabe ndodhet në një kthesë delikate; goditja e rëndë për ekonominë globale, si rezultat i çmimeve të ngritura të naftës; ringjallja e reputacionit rajonal të Iranit, si një shtet tjetër mysliman që përballet me bombat e Perëndimit; rritja e aktiviteteve terroriste, si dhe gara rezultuese iraniane për një armë bërthamore.
Këto janë parashikime tragjike. Tragjike është edhe mundësia që Irani të bëhet fuqi bërthamore. Dhe, pikërisht këtu qëndron problemi. Ashtu si edhe në një film të keq, kriza bërthamore iraniane vazhdon të kthehet në qendër të vëmendjes. Tani jemi në vazhdimin e vazhdimit të vazhdimit. Graham Allison, profesor i Harvardit dhe strateg i njohur në fushën e sigurisë, e ka krahasuar atë me “krizën raketore kubane, të shtrirë në një periudhë më të gjatë kohore”. Ashtu siç ka qenë rasti tashmë sa vjet, liderët izraelitë po paralajmërojnë se nuk ka mbetur edhe shumë për ta shmangur një sulm ushtarak; kandidatët presidencialë republikanë janë duke bërë gara se kush do ta ndalonte më parë programin bërthamor iranian; Irani po e vazhdon ecjen e vet prej breshke drejt bërjes fuqi bërthamore, derisa Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore po gjen dëshmi të besueshme se ky shtet po mundohet të prodhojë bombë. Në këtë mes, unë i vërej katër elemente të rëndësishme. Së pari, Irani thotë nuk është duke u marrë me këmbëza bërthamore dhe detonatorë të precizitetit të lartë, për shkak se synimi i këtij shteti është gjenerimi i elektricitetit. Mirëpo, Irani po synon të bëhet shtet me kapacitet ushtarak bërthamor, gjë kjo e zakonshme për rajonin ku ndodhet (Izraeli, Pakistani, India dhe Rusia). Së dyti, mungesa e progresit iranian drejt këtij synimi nuk lidhet vetëm me kundërmasat efektive (virusi Stuxnet, shkencëtarët e vdekur), mirëpo edhe me inercionin e rrënjosur dhe dykuptimësinë; Ali Khamenei, lideri suprem, “është gardian i revolucionit”. Programi bërthamor është ngjitës nacionalist për një shoqëri të brishtë, edhe nëse ai nuk të shpjerë askund. Së treti, Irani, i lëkundur nga kryengritja e vitit 2009, ndodhet në krizë: kërkesa për valutë e ka rritur vlerën jozyrtare të dollarit; skandali i madh bankar ka vënë theksin mbi korrupsionin një rritje, derisa tensionet midis superstrukturës hyjnore të Republikës Islame (Khameneit) dhe presidentit të zgjedhur (me vota të vjedhura) janë më se evidente.
Së katërti, humbësi i madh i Pranverës Arabe ka qenë Irani, për shkak se kryengritjet kishin të bënin me llogaridhënien dhe përfaqësimin, gjëra këto të cilat ua mohoi Revolucioni Iranian autorëve të saj, pasi që u kishte premtuar liri. Askush nuk gjen inspirim tek modeli iranian. Thënë shkurt, liderët e Republikës Islame – mirëpo jo edhe populli iranian – janë armiku i Perëndimit dhe Irani po synon të ketë kapacitet ushtarak bërthamor. Mirëpo ky shtet po heziton, është i ndarë dhe po ashtu nuk dëshiron luftë. Khamenei po plaket dhe është e paqartë se si do të zëvendësohej ai. Zgjedhjet e reja presidenciale brenda disa vjetësh do të shpalosnin sërish kundërthëniet paralizuese të Republikës Islame.
Këto rrethana i japin SHBA-së dhe Izraelit hapësirë për aksion efektiv, po qe se ato mund t’i rezistojnë prirjes për aksion të papritur ushtarak. Synimi duhet të jetë rritja e përçarjeve të brendshme të Iranit dhe jo bashkimi i këtij shteti përballë një armiku të përbashkët. Më 1946, kur shkroi “Telegramin e gjatë”, përmes të cilit lindi politika e frenimit, George Kennan konstatoi se Bashkimi Sovjetik ishte po ashtu armik ideologjik i Perëndimit, ndonëse i stërngarkuar dhe ekonomikisht i dobët. Ai gjykoi në mënyrë të drejtë se ky shtet do të mund të frenohej përmes vendosmërisë. Irani, më i paparashikueshëm sesa Bashkimi Sovjetik, mund të ndalet nga prodhimi i bombës, madje edhe pa aksion ushtarak. Ajo që duhet të bëhet është një politikë e frenimit dhe pengimit. Frenimi mund të bëhet përmes përforcimit të mbrojtjeve në Izrael dhe në Gji, një proces ky që tashmë është duke u zhvilluar. Pengimi i tij mund të bëhet përmes misioneve sekrete (virusit Stuxnet e tjera), përmes masave të bllokimit në qasjen ndaj valutave dhe përmes “karantinës” së ngjashme me vendimin e John Kennedyt karshi Kubës gjatë krizës së raketave.
Durimi do të shpaguhet me kohë. E koha nuk është në anën e Republikës Islame.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›