E Shtunë, 31 Tetor 2026

A mund të kenë individët një impakt?

19-11-2011 / Gazeta 55

Nga Micheal Dobbs (Foreign Policy)

Sapo jam kthyer nga një konferencë në Moskë kushtuar përvjetorit të njëzetë të rënies së Bashkimit Sovjetik. Konferenca u organizua nga fondacioni Gorbaçov. Për fat të keq ai burrë shteti e anuloi pjesëmarrjen e tij në minutën e fundit – ai duhej të merrte veten nga një operacion në sy – Në konferencë pati një diskutim për rolin e liderit në histori. Por a mund të bëjnë individët një ndryshim vendimtar - apo ata janë thjesht lodër e forcave më të mëdha historike, të tilla si përplasja e ideologjive, ngritja dhe rënia e perandorive, kufizimet gjeografike dhe zhvendosja e fatit të ekonomisë?
Mendoj se komunizmi përfundoi keq për arsye të identifikuara nga diplomati amerikan George Kennan më shumë se katër dekada më parë. Në “Telegramin e Gjatë” të famshëm të tij Kennan këmbëngulte se sistemi monolit sovjetik përmbante brenda vetes farën e vdekjes së tij. Ai parashikoi se zhvillimi i ekonomisë shtetërore përfundimisht do të shkonte në kolaps për shkak të  peshës së kontradiktave të saj, dhe se polakët, baltikët dhe kombet e tjera të shtypura kurrë nuk do të pajtoheshin me qeverisjen e centralizuar të Moskës. Pikëpamjet e Kennan ishin në përputhje me ato të një udhëtari aristokrat francez, Marquis de Custine, një shekull më parë:
Në një vend të qeverisur në këtë mënyrë, zemërimi vlon kohë më parë se sa të shpërthejë, ndërsa rreziku përqaset nga ora në orë, e keqja vazhdon të tejzgjatet, dhe kriza përhapet gjithmonë e më shumë. Edhe nipërit tanë mund të mos e arrijnë shpërthimin, por sot ne mund të themi se shpërthimi është i pashmangshëm, por ndërkohë nuk mund të parashikojmë kohën kur ai do të ndodhë.
Rënia e komunizmit mund të ketë qenë e pashmangshme, por koha e rënies dhe mënyrën se si ndodhi ishin përcaktuar nga veprimet dhe vendimet e njerëzve të vdekshëm. Ish-Jugosllavia na kujton në mënyrë tronditëse se si gjërat mund të kenë shkuar në Bashkimin Sovjetik, se si Gorbaçovi kishte miratuar strategjinë e mbijetesës politike të  Sllobodan Milloshevicit dhe se si kishte luajtur me kartën e nacionalizmit, duke nxitur ankesat e rusëve etnikë në Ukrainë, shtetet baltike, dhe në Azinë Qendrore. Superfuqia komuniste do të ishte shndërruar në një “Jugosllavi nukleare”.
Në fund, pas disa hezitimeve, Gorbaçovi i mbeti besnik parimeve të tij demokratike. Ai refuzoi të shpërthente dhuna mes shtetasve të tij vetëm që ai të mbetej në pushtet. Përpjekjet e tij për të krijuar një jetë të re nën një shtet një-partiak  në agoni, përfunduan me dështim absolut, por ai arriti diçka që ai nuk e kishte parashikuar kurë ta arrinte. Ai arriti të çmontonte diktaturën më të qëndrueshme totalitare të shekullit të 20 me një minimum gjakderdhjeje dhe dhune. Kjo i kushtoi atij vendin e punën - por të paktën ai nuk përfundoi para një gjykate ndërkombëtare për krime lufte në Hagë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›