Drafti, gjuetarë tashmë me konkurrim
Qeveria ka miratuar projektligjin ku përcakton konkurrimin si mënyrën e vetme për të marrë licencën e Gjuetisë
Çdo individ i apasionuar pas gjuetisë së kafshëve apo shpendëve të egra, tashmë, për të ushtruar këtë veprimtari do të duhet t’i nënshtrohet konkurrimit. Pra, ashtu si një subjekt privat që konkurron për të fituar një tender për një shërbim publik i nënshtrohet konkurrimeve publike, ashtu edhe çdo person që kërkon të ushtrojë gjuetinë sportive apo edhe atë turistike duhet të shpallet më parë fitues nëpërmjet procedurave konkurruese të organizuara nga drejtoritë përkatëse të Shërbimit Pyjor në çdo rreth. Këtë e ka vendosur qeveria shqiptare në një prej mbledhjeve të saj të fundit, duke miratuar projektligjin “Për mbrojtjen e faunës së egër dhe gjuetinë”.
Drafti
Në ligjin aktual në fuqi mbarështimi i faunës së egër, gjuetisë, sportive apo turistike, përcaktohen si veprimtari që ushtrohen nga persona fizikë e juridikë që janë të pajisur me leje përkatëse. Ndërkohë që për marrjen e lejes nga personat e interesuar deri më tani është dashur vetëm leja e armës së gjahut, aplikimi dhe pagimi i detyrimeve financiare shtetit. Ndërsa me projektligjin e ri, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, si ministria e linjës, ka propozuar një ndryshim rrënjësor në këtë drejtim. Kështu, për të marrë licencën apo lejen e praktikumit të gjuetisë, individët e interesuar do të duhet që të konkurrojnë nëpërmjet procedurave publike. Sipas këtij ndryshimi, neni 23, i ligjit ekzistues, ndryshon si më poshtë: “Personat, fizikë ose juridikë, mund të ushtrojnë veprimtaritë e mbarështimit të faunës së egër, si dhe gjuetisë sportive e turistike, kur shpallen fitues në procedurat e konkurrimit publik, të organizuara nga Drejtoria përkatëse e Shërbimit Pyjor ose për pyjet dhe kullotat komunale nga njësitë e qeverisjes vendore”. Ndërkohë që kërkesat që duhet të plotësojnë subjektet për pjesëmarrjen në konkurrim publik për veprimtaritë e mësipërme është lënë për t’u përcaktuar me urdhër të ministrit të Mjedisit.
Konkurrimi
Konkurrimi publik shpallet dhe organizohet nga drejtoritë përkatëse të Shërbimit Pyjor për pyjet dhe kullotat në pronësi të shtetit dhe nga njësitë e qeverisjes vendore, për pyjet dhe kullotat komunale. Me fituesin lidhet kontrata përkatëse, e cila mund të jetë me kohëzgjatje të ndryshme. Nëpërmjet kësaj procedure sipas relacionit shoqërues të projektligjit, Ministria e Mjedisit synon që të krijojë mundësi për një pjesëmarrje sa më të gjerë të konkurruesve për një veprimtari të caktuar, si dhe mundësi të barabarta konkurrimi për të gjitha subjektet e interesuara në ushtrimin e veprimtarive të përcaktuara në ligj, duke synuar njëkohësisht që të risë shanset për zgjerimin e investimeve dhe për mbarështimin e faunës së egër të vendit tonë. Gjithashtu, nëpërmjet këtij ndryshimi tentohet që të ndihmohet biznesi vendas dhe i huaj, për të rritur investimet në fondin e gjuetisë. Nisma për ndryshimin e ligjit ekzistues bëhet në kuadër të reformës rregullatore të praktikave licencuese.