E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Spoti i qeverisë, Berisha abuzoi me lekët e shqiptarëve

Kryetari i Asamblesë Kombëtare i PS-së, Gramoz Ruçi tha se Berisha abuzoi me ligjin

TIRANË- Kryetari i Asamblesë Kombëtare i PS-së, Gramoz Ruçi, ka deklaruar dje se kryeministri Sali Berisha ka abuzuar me lekët e qytetarëve shqiptarë duke prodhuar dhe transmetuar një spot të mirëfilltë elektoral. “Sali Berisha ka abuzuar me ligjin, duke përdorur taksat e shqiptarëve për propagandë elektorale. Sali Berisha ka abuzuar me barazinë e të gjitha subjekteve politike para ligjit, duke thyer kornizën ligjore që i ndalon këto subjekte të prodhojnë spote televizive. Sali Berisha ka abuzuar me vetë vendimin e qeverisë së tij, që i ndalon institucionet shtetërore të shpenzojnë për spote televizive për të reklamuar punën e tyre”,- tha dje Ruçi përmes një konference për shtyp. Kryetari i Asamblesë Kombëtare i PS-së i bëri dje apel Kryeministrit shqiptar që të mos shpërdorojë detyrën dhe lekët e shqiptarëve për të bërë propagandë të paligjshme elektorale.

Përpos apelit të Partisë Socialiste nga ana e qeverisë nuk është bërë asnjë transparence mbi përbërjen e komisionit që është marrë më prodhimin e reklamës në fjalë, e aq më shumë për fondin limit për transmetimin e këtij spoti. Kryeministri Sali Berisha ka shkelur vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave për procedurat që ndiqen për prodhimin dhe shpërndarjen e spoteve me paratë e taksapaguesve në median e shkruar dhe elektronike. Pikërisht, në nenin 6 të vendimit, që bën fjalë për blerjen, zhvillimin, prodhimin bashkëprodhimin e programeve, reklamave për transmetimin nga operatorët radiotelevizive ose botimin në median e shkruar, thuhet se titullari i institucionit për prodhimin e një reklame, në këtë rast Kryeministria, duhet të urdhërojë ngritjen e një komisioni prej 5 vetash për ndjekjen e procedurave për të ftuar të gjithë mediat e interesuara për transmetimin e spotit. Më tej, në pikën 9 të vendimit, thuhet se ftesa për negociata drejtuar organeve të masmedias duhet të publikohet në faqen e internetit të qeverisë, gjë që nuk fakt është bërë. Përpos spotit që vazhdon të transmetohet në çdo orë të ditës dhe thirrjes së Kryeministrit për të denoncuar korrupsionin në celularin e tij, nga ana e qeverisë nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar mbi procedurat që janë ndjekur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›