Drafti i PS-së dhe kërkesa për hetimin e plotë të zgjedhjeve
Në seancën e datës 25 shkurt, Partia Socialiste theu bojkotin 6-mujor të Kuvendit duke u futur në këtë institucion ku dhe 64 deputetët e kësaj partie bënë betimin. Ata gjithashtu depozituan në Kuvend një draft që parashikon hetimin e plotë të procesit zgjedhor. Drafti që propozohet për ndryshimin e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, është një nismë që synon që komisione të tilla, në të gjitha rastet, të kryesohen me shumicë nga opozita, përmes së cilës të hetohen në mënyrë të plotë të gjitha aspektet e një procesi zgjedhor; konkretisht, procesin e numërimit, rolin e administratës në fushatë, shpërdorimin e aseteve publike etj. Në projektligjin e propozuar pala që kërkon transparencën nuk synon të përmbysë rezultatin përfundimtar dhe as shfuqizimin e zgjedhjeve. “Shtrirja e interesit është për të gjetur se deri në çfarë shkalle shtrihen parregullsitë dhe se si kanë ndikuar këto parregullsi në rezultatet e zgjedhjeve në zonat zgjedhore në funksion të realizimit të transparencës së plotë mbi procesin zgjedhor”, - thuhet në argumentet që ka paraqitur PS-ja bashkëngjitur draftit ligjor. Sipas argumenteve, “komisioni nuk ka për qëllim dhe nuk do të ndërhyjë në veprimtarinë e institucioneve të tjera dhe nuk do të kundërshtojë asnjë vendim të Gjykatës zgjedhore apo ndonjë vendim tjetër”. Përmes saj evidentohen përgjegjësitë ligjore dhe institucionale të subjekteve të përfshira në proces, si dhe do të propozohen masa legjislative, administrative etj., për të garantuar në të ardhmen standardet zgjedhore të vendeve anëtare të NATO-s dhe të BE-së. Propozuesit e këtij projektligji shprehen se raporti përfundimtar që shkon në Kuvend jep rekomandime lidhur me ndryshime të mundshme ligjore për të parandaluar përsëritjen në të ardhmen të fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin dhe kur çmohet se është rasti, marrjen e masave të mëtejshme nga organi i Prokurorisë. Ndër propozimet e PS-së të shtruara në projektligjin që i është dorëzuar maxhorancës për diskutim është edhe objekti i hetimit të proceseve zgjedhore, ku përfshihet edhe mundësia për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore. “Vëzhgimi i materialeve zgjedhore të mbyllura në kuti dhe i fletëve të votimit do të bëjë të mundur kuptimin e shkallës së mospërputhjes mes të dhënave të shpallura dhe realitetit”, - thuhet në argumentet e paraqitura nga PS-ja në draftin ligjor. Një tjetër detaj që propozohet nga hartuesit është se anëtarët e komisionit parlamentar dhe personeli ndihmës “janë përgjegjës për ruajtjen e sekretit shtetëror gjatë hetimeve”, sipas legjislacionit që parashikon dokumentet e klasifikuara. Ky draft është përpiluar duke pasur parasysh kushtet aktuale dhe realitetin e prodhuar pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. PS-ja i kërkon Kuvendit miratimin e projektligji me procedurë të përshpejtuar.
1 Mars 2010