Meta: “Maxhoranca dhe Berisha kryeministër deri në 2013-n”
Eljona Ballhysa
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, ka hedhur poshtë dje mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në vend. Ai është shprehur i bindur se koalicioni PD-LSI do të drejtojë vendin deri në zgjedhjet e vitit 2013. Sipas Metës, ky koalicion është i qëndrueshëm dhe falë ndryshime që i janë bërë Kushtetutës, është e vështirë të ndryshosh maxhorancën apo të rrëzosh qeverinë. Zëvendëskryeministri, duke iu referuar kthimit të opozitës në Kuvend, është shprehur se maxhoranca është e hapur të pranojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, por në përputhje me Kushtetutën, duke nënkuptuar se nuk do të pranohet kërkesa për hapjen e kutive të votimit apo rinumërim votash. Ai gjithashtu ka garantuar se ashtu sikurse është premtuar, brenda këtij viti do të miratohet liberalizimi i vizave për shqiptarët për të udhëtuar të lirë drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Zgjedhjet
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, ministri i Jashtëm, i pyetur nëse kriza politike në vend rrezikon të sjellë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, është shprehur se kjo nuk mund të ndodhë pasi maxhoranca është solide dhe koalicioni PD-LSI është funksional. Më tej ai i bëri thirrje Partisë Socialiste që të tregohet e duruar pasi zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen më 2013. “Çështja e ndryshimit të qeverisë apo e kryeministrit është e pamundur, për arsye se koalicioni është shumë i qëndrueshëm dhe ka një maxhorancë solide; së dyti, është 10 herë më e vështirë sesa ka qenë para 2 ose 3 vjetësh, falë ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës. Kështu që zgjedhjet e reja janë vetëm në qershor të vitit 2013. Të gjithë duhet të përgatiten për këtë sfidë në kohën e duhur, sepse kush fillon para kohe, lodhet më shpejt”, - është shprehur zëvendëskryeministri Meta.
Komisioni
Më tej, zëvendëskryeministri Meta ka përshëndetur rikthimin e opozitës në Parlament, duke thënë se maxhoranca është e hapur për ngritjen e komisionit hetimor, por, nga ana tjetër, e quan të pajustifikueshëm mosmarrjen në konsideratë nga opozita të propozimit të ndërkombëtarëve për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias. “Jemi të hapur për ngritjen e komisionit parlamentar dhe për t’i dhënë shumicën që kishte kërkuar apo kryesimin e komisionit. Është element pozitiv futja e deputetëve të Partisë Socialiste në Kuvend brenda afatit kushtetues dhe njëkohësisht besoj se propozimet e tyre do të shqyrtohen sipas procedurave të Parlamentit, në mënyrë që ky komision hetimor parlamentar të ngrihet dhe të realizojë ato detyra që janë kërkuar, natyrisht duke respektuar vendimet e gjykatave. Është njëkohësisht për të ardhur keq që kundërshtojnë edhe institucione tepër të njohura ndërkombëtare përsa i takon ligjit dhe demokracisë, siç është Komisioni i Venecias”, - u shpreh zëvendëskryeministri. Ndërsa për deklaratat opozitare se nuk do të kthehen në Parlament pa u hapur kutitë, Meta u shpreh se, nëse thonë se nuk do të kthehen në Parlament pa hapur kutitë, atëherë do të thotë se kanë ardhur në Parlament për të mos djegur mandatet. “Nëse ata nuk hyjnë sërish në Kuvend do të thotë se kanë ardhur se u digjeshin mandatet. Ata po tregojnë se nuk kanë vullnet për të ecur në rrugën e dialogut dhe zgjidhjes së pretendimeve që kanë”, - është shprehur Meta. Sipas tij, nuk mund të merret në konsideratë kërkesa e PS-së për të hapur kutinë e Ruzhdies për shkak se për këtë kuti ka vendosur Gjykata dhe se Parlamenti nuk mund të shqyrtojë vendimet e gjykatave, pasi do të ishte shkelje e rëndë e kushtetuese.
1 Mars 2010