E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti i Qeverisë: Tapi për tokat në bregdet

TIRANË - Të gjitha familjet dhe individët, që kanë në përdorim toka bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore brenda vijave të verdha urbane dhe rurale apo në zonat me përparësi zhvillimi të turizmit do të duhet të heqin dorë prej tyre kundrejt një kompensimi që do t'u bëhet me një sipërfaqe simbolike trualli, por që kësaj here do ta marrin në pronësi. Mazhoranca ka miratuar dje në komisionet kuvendore projektligjin e paraqitur që në janarin e vitit 2008 "Për një shtesë në ligjin për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore", sipas të cilit synohet që për të gjitha ato subjekte që kanë marrë në përdorim toka të ish-NB-ve, dhe që në bazë të ligjeve të dala më parë, nuk kanë mundur ta marrin në pronësi, të krijohet mundësia e kompensimit të tyre me troje në sipërfaqe që variojnë nga 300 metra minimalisht në 750 metra në rastin maksimal, duke i zhveshur ato edhe nga e drejta e përdorimit të tokave, që kanë aktualisht. Ndërkohë, në draftin e miratuar dje në një mbledhje të përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe atij të Veprimtarisë Prodhuese i është dhënë një zgjidhje e ngjashme edhe për familjet e zonës së Ksamilit, të cilat kanë toka në përdorim, por pa pasur asnjë status ligjor.

Projektligji

Drafti që pritet të miratohet gjatë seancës së sotme plenare ndryshon ligjin e vitit 1995 "Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore", të përmirësuar me një shtesë të bërë me anë të dekretit të vitit 1996 të ish-presidentit të Republikës, Sali Berisha, por që s'ka mundur të gjejë zbatim për shkak të një procedure të munguar, dhe sipas të cilit, të gjitha ato familje që nuk mund të merrnin në pronësi tokat e dhëna më parë në përdorim, do të kompensoheshin nga shteti për të gjitha rastet kur ky fond tokash do të përdorej prej tij për kompensim të ish-pronarëve, apo edhe për rastet e shpronësimeve për interes publik. Kështu, ndërsa ligji bazë përcaktonte vetëm kategoritë e tokave që nuk mund të kalonin në pronësi të përdoruesve, dekreti i Berishës i vitit '96-të caktonte masën e shpërblimit të tyre po me truall brenda zonave urbane, duke i dhënë familjeve me mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqe truallit deri 1 500 m2, dhe për familjet me më pak pjesëtarë, masa e kompensimit do të zbritej me 200 m2 për çdo pjesëtar më pak. Ndërkohë që projektligji i rimarrë në diskutim i vitit 2008 parashikonte që kjo masë kompensimi të ulej në 500 metra truall në zonat urbane për familjet me mbi 6 anëtarë dhe duke zbritur me nga 100 metra për çdo frymë më pak. Ndërkohë që presioni mediatik dhe ai i opozitës duket se ka detyruar së fundmi mazhorancën të bëjë një amendim të këtij projektligji duke rritur masën e kompensimit për familjet me mbi 6 banorë me 750 metra dhe duke ulur atë me nga 150 metra për çdo frymë më pak, por duke vendosur në të njëjtën kohë dhe një kufij minimal prej 300 metrash. "Ndryshohet sipërfaqja, pra jo 500 metra por 750 metra dhe jo zbritja me 100 por me 150 metra dhe vë edhe një kufi minimal, jo më pak se 300 metra", - tha kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Jemin Gjana, duke cituar ndryshimin që i bëhej nenit 3/1 të projektligjit të paraqitur. Ndërkohë që përcaktimi i truallit se ku dhe do të kompensohen këto 8000 familje, të cilat sot disponojnë rreth 10 300 hektar tokë bujqësore në të gjithë Shqipërinë, në projektligj është i paqartë. Kështu, ndërsa projektligji përcakton se "objekt i kompensimit do të jenë sipërfaqe me troje (tokë urbane)", deputetët që morën pjesë dje në këtë diskutim deklaruan se ky proces mund të kryhet edhe në tokën që këto familje kanë në përdorim. Pra, sipas kësaj logjike, një familje që ka tokë në përdorim do të duhet të lërë pjesën më të madhe të kësaj parcele për të mbajtur si kompensim maksimumi 750 metra dhe minimumi 300 metra. Një rast konkret ku do të ketë efekt direkt ky ligj është edhe zona e Orikumit, ku 600 familjet që protestojnë prej disa muajsh do të kompensohen me troje në masën e përcaktuar më sipër.

Ksamili

Një tjetër ndryshim i modifikuar në ligj ishte dhe neni për rastin e Komunës së Ksamilit, i cili përbënë një rast të veçantë për shkak se familjet që jetojnë atje kanë marrë toka, por pa pasur asnjë status ligjor, pra as i kanë në pronësi as në përdorim. Për këtë arsye edhe për këto 816 familjet e tjera që zotërojnë rreth 1637 hektar toka në Ksamil u përcaktua e njëjta formulë kompensimi si dhe në rastet e mëparshme. Për këtë qëllim, në projektligj u shtua Neni 3/2, i cili u formulua në këtë mënyrë: "Kompensimi me truall në masën e përcaktuar në nenin 3/1 për familjet bujqësore ose individët në komunën e Ksamilit bëhet për: a) familjet dhe individët që figurojnë punonjës në ish-Ndërmarrjen Bujqësore Ksamil dhe b) dhe familjet fshatare të ardhura gjatë periudhës nga 1 gushti i 1991 deri në 4 maj të 1994". Ky rast ka sjellë dhe konfuzion mes deputetëve dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë, që kishin ardhur për të mbrojtur projektligjin, çka ka bërë që në përfundim të mbledhjes shumë prej tyre të mos kuptonin ndryshimet e miratuara. Ndërkohë që për zbatimin e ndryshimit do të ngarkohet Ministria e Turizmit dhe ajo e Transporteve dhe ku pushteti vendor do të ketë një rol ndihmës por jo primar, ndërsa kalimi i trojeve në pronësi do bëhet më VKM.

*****

Shkresa e ish-kryetarit të
ligjeve: Drafti është antiligjor

TIRANË - Ndryshimi që i bëhet ligjit bazë "Për kalimin në pronësi, pa shpërblim të tokës bujqësore" mund të përbëjë shkas që familjet, që do të jenë objekt i tij, por edhe ish-pronarët, të mund ta godasin atë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo pasi amendimi i bërë këtij ligji konsiderohet si antikushtetues, pasi ai kompenson me një truall në pronësi një subjekt të caktuar pavarësisht se ai nuk përfshihet në kategorinë e subjekteve të shpronësuara. Nuk bëhet fjalë për një vlerësim të pavarur, por për një gjykim të specializuar të Komisionit të Ligjeve gjatë vitit 2008 kur ky projektligj është diskutuar një herë më parë dhe ku shumicën e anëtarëve e ka pasur sërish e djathta. Kështu, në raportin për dhënie mendimi, hartuar nga ky komision në datën 4 mars 2008 dhe që mban firmën e ish-kryetarit të atëhershëm të Komisionit të Ligjeve Fatos Beja, bëhet e ditur se komisioni gjatë diskutimit doli me dy mendime të ndryshme për projektligjin, ku i pari e vlerëson atë si në përputhje me politikat e qeverisë dhe i dyti e konsideron si në kundërshtim me kushtetutën. Në raport nuk jepen emrat e deputetëve që kanë mbështetur mendimin e parë dhe të atyre që kanë mbështetur mendimin e dytë, por vetëm renditen një sërë problemesh që sjellë ky projektligj në raport me ligjet dhe të drejtën e pronës. "Projektligji i paraqitur është në kundërshtim me Kushtetutën neni 41 i saj", - thuhet në mënyrë të qartë në këtë raport. Më tej shtohet se "Kalimi i truallit në pronësi për personat që e kanë në përdorim, nuk është i parashikuar në asnjë nga mënyrat e fitimit të pronës të parashikuar në pikën 2 të nenit 41 të Kushtetutës dhe Kodit Civilë", - theksohet më tej në qëndrimin e Komisionit të Ligjeve, duke evidentuar se në të mungojnë konceptet e drejta juridike mbi sistemin e kompensimit, i cili nuk mund të funksionojë mbi ato kategori të popullsisë që nuk kanë tituj pronësie mbi një pronë. Pikërisht duke iu ruajtur këtij handikapi ligjor, disa nga deputetët e mazhorancës që morën pjesë në diskutimet e djeshme të këtij projektligji kanë sugjeruar që nga ai të hiqet termi "Kompensim" për ti prerë rrugë në këtë mënyrë çdo mundësie për ta goditur atë në gjykatë. "Pse duhet ta bëjmë ne atë kompensim, kujt do ja kompensojmë, pasi ne po kalojmë tokë në pronësi, se ne nuk do të kompensojmë pasi nuk do ti japim këtyre familjeve statusin e subjekteve të shpronësuara dhe as të subjekteve që do të kompensojmë", - tha deputeti Eduart Halimi. Ndërkohë që ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka sugjeruar një zgjidhje të sforcuar duke vendosur në projektligj një sqarim se me termin "Kompensim" nënkuptohet vetëm dhënia e një trualli në pronësi. "Ndoshta terminologjia kompensim mund të sjellë një lloj konfondimi ligjor apo kushtetues, por në fakt ne mund të bëjmë diçka, mund të përdorim termin kompensim, por të japim një sqarim se çfarë kuptojmë me të. Por, ne të sqarojmë që kompensim konsiderojmë dhënien e tokës ose kalimi në pronësi. Për këtë ne presim rrugët e ankimimit", - tha Alibeaj.

*****

Debatet

Eduart Halimi:

"Pse duhet ta bëjmë ne atë kompensim, kujt do t'ia kompensojmë, pasi ne po kalojmë tokë në pronës, se ne nuk do të kompensojmë pasi nuk do t'i japim këtyre familjeve statusin e subjekteve të shpronësuara dhe as të subjekteve që do të kompensojmë. Ne atyre do t'u japim një sipërfaqe toke në pronësi. Kështu që edhe termat dhe logjika e ligjit duhet të jetë për dhënien në pronësi këtyre personave, por nuk do japim aty ku e kanë, por do t'ia japim në pronësi diku tjetër. Kjo komprometon gjithë logjikën e ligjit".

Ilir Rusmali:

"Ajo që thotë Halimi është racionale, por ajo na pret degën ku ne jemi ulur. Ne në këtë mënyrë prekim bazën që ka të bëjë me një dekret të presidentit, i cili ka dalë shumë vite më parë që kompensonte familjet që kishin tokë në përdorim me tokë tjetër. Pra, duhet t'i rrimë terminologjisë aktuale. Pra, ne nuk do t'ia japim aty, po do t'ia kompensojmë diku gjetkë. I vetmi ndryshim që mund të bëjmë ne është se mund ta bëjmë që ata "kompensohen me truall në pronësi në zonat urbane".

Enkelejd Alibeaj:

"Ndoshta terminologjia kompensim mund të sjellë një lloj konfondimi ligjor apo kushtetues, por në fakt ne mund të bëjmë diçka, mund të përdorim termin kompensim, por të japim një sqarim se çfarë kuptojmë me të. Por, ne të sqarojmë që kompensim konsiderojmë dhënien e tokës ose kalimi në pronësi. Për këtë ne presim rrugët e ankimimit".

Ardian Kollozi:

"Z. Halimi ka të drejtë dhe ne duhet të japim një zgjidhje më racionale. Unë i referohem Orikumit dhe atje janë 600 familje që sipas këtij ligji do të trajtohen me truall në Orikum. Shkrirja e Agjencive vendore të Kompensimit të Pronave na e largon edhe më shumë këtë proces. Prandaj, ne duhet t'ia kthejmë kompetencat njësive vendore, të cilat do të jenë ato që do ta trajtojnë".

Jemin Gjana:

"Ky proces do të bëhet nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit dhe Ministria e Turizmit në bashkëpunim me pushtetin vendor, por jo vetëm Pushteti Vendor. Do të jenë këto dy institucione që do të përgatisin dokumentacionin dhe kalimi i pronësisë do bëhet më VKM".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›