Gripi i derrit, vaksinohet personeli mjekësor
TIRANË- Personeli mjekësor ka qenë i pari që është vaksinuar ndaj virusit A/H1N1. Në Infektivin e QSUT-së janë vaksinuat mjekët, infermierët dhe stafi që është në kontakt me pacientët e infektuar me gripin e derrit.
Pas kësaj do të vaksinohen me radhë edhe pjesa tjetër e stafit në qendrat shëndetësore për të vazhduar me kategoritë e përfshira në listën e riskut; fëmijët, të sëmurët me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna.
Dje, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli ka tërhequr vëmendjen për kategoritë që nuk duhet të vaksinohen.
Në mënyrë kategorike, sipas tij nuk duhet ta marrin këtë vaksinë personat që janë alergjikë ndaj vezës. Bashkë me këtë kategori, nuk mund të bëhet vaksina tek fëmijët që nuk kanë mbushur ende 1-vjeç. Sa për personat e tjerë, sipas Yllit efektet anësore janë njësoj si për çdo lloj vaksine tjetër. Skuqje në vendin e injektimit dhe temperaturë.
Ylli ka sqaruar më tej se vaksina është 0.5 miligramëshe dhe pacienti që e bën atë fiton imunitet brenda 8 ditëve. Mësohet se sasia e parë do t'u ofrohet fëmijëve mbi një vjeç me një sëmundje kronike shoqëruese dhe disa grupeve të personelit shëndetësor me ekspozim më të madh ndaj pacientëve të sëmurë me AH1N1, siç janë infeksionistët, reanimatorët apo pediatrit.
Vaksina përmban virusin e inaktivuar dhe adjuvantin me bazë fosfat alumini. Ajo është e prodhuar nga derivate të vezës dhe për këtë arsye nuk jepet tek personat me alergji ndaj vezës.
Për personat mbi 12 vjeç aplikohet dozë e plotë prej 0,5 ml, ndërsa për fëmijët nga 12 muajsh deri 12 vjeç gjysma e dozës.
Ndërkaq, garantohet se të gjitha qendrat shëndetësore ku do të kryhet kjo vaksinë kanë marrë masat për antidotet në rastet e alergjive.
Sa për panikun e krijuar në vendet që e kanë aplikuar tashmë këtë vaksinë, specialistët kanë pohuar se nuk ka asgjë të dokumentuar për këto pasoja.