E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia:Fillon konflikti midis qeverisë dhe CEZ-it

Ministri Prifti akuzoi dje OSSH-në së po u ndërpret në mënyrë të padrejtë energjinë konsumatorëve duke shkelur kontratën me qeverinë

TIRANË - Çmimi i energjisë elektrike ka përkeqësuar marrëdhëniet midis qeverisë dhe pronarëve të rinj të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Që prej muajit shtator kur kjo e fundit aplikoi për rritjen e çmimit të energjisë ka pasur dekarata të dyanshme në lidhje me këtë argument por pa kaluar në akuza direkte.

Ndërkohë, dje ka qënë dita kur këto kontradikta midis palëve u shfaqën hapur kur ministri Ekonomisë, Dritan Prifti, akuzoi drejtpërdrejt OSSH-në se ka filluar ndërprerjet pa shkak te energjisë elektrike për konsumatorët duke shkelur marrëveshjen për furnizimin pa shkëputje të tyre. Disa orë më vonë, reagoi edhe kompania e cila hodhi poshtë akuzat e Priftit duke vërtetuar kështu çarjen në marrëdhëniet midis tyre.

Gjatë fjalës së tij, Prifti theksoi se kompania nuk do të lejohej që të kryente ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike. Në lidhje me këtë -vijoi- ai, unë kam dërguar shefin e kabinetit të marrë pjesë në mbledhjen e bordit të OSSH-së për t'i transmetuar shqetësimin tonë për situatën.

"Nga informacionet që kam marrë ditët e fundit të cilat dhe i kam verifikuar më del që OSSH-ja është duke bërë stakime në një mënyrë të padrejtë dhe për zona të tjera të vendit për të cilat nuk ka arsye që të bëhen. Ne kemi firmosur një marrëveshje me OSSH-në që të ketë furnizim pa ndërprerje për të gjithë konsumatorët", - tha Prifti.

Sipas ministrisë së Ekonomisë, operatori i shpërndarjes vazhdon ende të aplikojë dënimin kolektiv të konsumatorëve duke e shkëputur enegjinë për shkak të atyrë që nuk e paguajnë atë, ndërkohë që ka një marrëveshje midis qeverisë dhe investitorëve për dhënien fund të kësaj metode.

"Kemi një marrëveshje që nuk mund të ketë dënime kolektive. Edhe pse një pjesë e një lagjeje nuk paguan energji elektrike nuk mund të vuajë e gjithë lagjia apo i gjithë qyteti.

Nëse i gjithë fshati nuk e paguan energjinë por ka qoftë edhe një familje që është e rregullt atij nuk duhet t'i pritet energjia, "- vijoi më tej ai duke vënë në dispozicion të qytetarëve edhe një numër telefoni për të denoncuar rastet e ndërprerjes se padrejtë të energjisë në të gjithë territorin e vendit.

Në një dalje publike një ditë para shpalljes së tarifave të reja të energjisë elektrike për vitin 2010 nga ERE, drejtori i Bordit të OSSH-së Josef Hejsek, deklaroi se do të fillojë ndërprerja e energjisë për ata persona që nuk e shlyejnë atë.

Konfirmohet gjithashtu se krahas konsumatorëve të tjerë, borxhlinj ndaj OSSH-së janë edhe disa institucione shtetërore. Gjatë fjalës së tij Hejsek deklaroi se ky borxh kapte shifrat e 3 miliardë lekëve.

Sipas tij, debitorët kishin afat deri javën e kaluar për të shlyer borxhet ndaj kompanisë ndërsa më pas do të fillonte shkëputja e energjisë për secilin prej tyre.
Debatet midis qeverisë dhe pronarëve të rinj të Operatorit të Sistemit të Shpërndartjes kanë ardhur në rritje që prej aplikimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike duke shpërthyer ditën e djeshme me akuzat e ministrit Prifti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›