E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen krimet e rënda, ulet zbulueshmëria

Në analizën 6-mujore, kreu i policisë evidenton problemet me hetimet. Këtë vit, 7 vrasje më shumë

Hetimi i Krimeve të Rënda nuk ka qenë në parametrat e kërkuar nga drejtuesit e policisë, pasi siç vë në dukje drejtori i Përgjithshëm, krimet kundër personit dhe kundër pronës janë rritur. Nga ana tjetër, zbulueshmëria për to ka ardhur në zbritje. Ky shqetësim, i vënë në dukje nga ana e kreut të policisë, Hysni Burgaj, është shoqëruar edhe me shtimin e numrit të vrasjeve për këtë vit, ku janë shënuar shtatë vrasje më shumë.

Vrasjet dhe plagosjet

Në ambientet e Ministrisë së Brendshme, nën drejtimin e ministrit Basha dhe kryepolicit Burgaj, u zhvillua analiza gjashtëmujore e punës së policisë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka bërë një rezyme për të gjithë departamentet e varur prej tij, duke vënë në dukje shqetësimin që kishte për krimet e rënda si dhe vjedhjet. Sa i përket hetimit të krimeve të rënda, Burgaj ka vënë në dukje ato kundër personit dhe kundër pronës. Sipas të dhënave, gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, nga policia janë evidentuar 388 vepra penale kundër personit dhe janë zbuluar 357, ose 92% e tyre. “Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009, ka një rritje të veprave penale kundër personit dhe ulje të zbulueshmërisë”, deklaroi Hysni Burgaj. Më tej ai shpjegoi se rritja ka të bëjë me 33 vepra penale më shumë, ndërkohë që zbulueshmëria është ulur me 3%, pasi në vitin 2009, për të njëjtën periudhë, zbulueshmëria ishte 95%. Më tej, policia vuri në dukje se po nga hetimi i krimeve të rënda janë zbuluar 15 krime të vjetra kundër personit, nga të cilat 10 janë vrasje. Pra, policia për gjashtë muaj ka zbuluar dhjetë vrasje të vjetra. Ndërkohë, për këtë vit janë evidentuar 51 vrasje, ndërsa për të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin regjistruar 44 vrasje. Këtë 6-mujor policia ka mundur të zbulojë 44 vrasje nga 51 të ndodhura, ose 86% të tyre. Krahasuar me një vit më parë, Burgaj ka deklaruar se nga 44 vrasje ishin zbuluar 35, pra 80% e tyre, kështu që ka një rritje të zbulueshmërisë së vrasjeve me 6%. Por problemi mbetet te vrasjet e rënda, ku shumë prej tyre nuk janë zbuluar, ndërsa te të zbuluarat janë futur edhe ato vrasje që kanë ardhur nga sherre ordinere. Gjithashtu, drejtori i Përgjithshëm vuri në dukje një ulje të numrit të vrasjeve të mbetura në tentativë, krahasuar me gjashtë muajt e parë të vitit 2009. Për këtë problem është bërë edhe një analizë pa praninë e mediave.

Vjedhjet me armë

Krimet kundër pronës, të cilat sërish bëjnë pjesë te krimet e rënda, nuk kanë dalë dhe aq mirë sa pritej, duke shënuar shifra shumë të ulëta zbulueshmërie. Në lidhje me këtë sektor, në analizën e policisë u deklarua se gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2010 janë evidentuar 2153 vepra penale dhe janë zbuluar 955, ose 44% e tyre. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit tha se ka pasur një rritje shumë të madhe dhe ulje zbulueshmërie me 2%. Sipas tij, gjatë vitit 2009 kanë ndodhur 1669 vepra penale dhe janë zbuluar 760, ose 46%. Pra, për vitin 2010 ka rritje me 484 vepra penale dhe ulje zbulueshmërie. Ky fakt ka të bëjë edhe me një problem tjetër, që sipas të dhënave zbulueshmëria shënon përqindjen më të ulët se gjithë sektorët e tjerë të policisë. Megjithatë, pa u ndalur shumë në këtë aspekt, kreu i policisë shtoi se gjatë kësaj periudhe janë zbuluar edhe 113 krime të vjetra kundër pronës.

Por, gjatë këtij viti janë shtuar shumë edhe vjedhjet me dhunë dhe ato me armë. Sipas të dhënave zyrtare, për gjashtë muaj janë evidentuar 80 vjedhje me dhunë dhe janë zbuluar vetëm 40 ose 50% e tyre, ndërkohë që në vitin 2009 janë evidentuar 53 dhe janë zbuluar 29, ose 55% e tyre. “Siç vërehet, kemi një rritje të kësaj vepre penale me 27 vepra penale më shumë, si dhe ulje të fuqisë zbuluese me 5%”, konstatoi Burgaj. E njëjta ka ndodhur edhe te vjedhjet me armë, por Burgaj nuk është ndalur shumë, duke deklaruar shkurt se kanë ndodhur 25 vjedhje me armë dhe janë zbuluar 15 prej tyre.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›