E Diel, 1 Nëntor 2026

AKKP: Mijëra dosje në konflikt me pronat, procedura për verifikimin

Reforma Debati në komision. MPPT zbardh formularët e legalizimeve të vilave në bregdet

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) pranon problemet në sektor, duke deklaruar ekzistencën e mijërave dosjeve me shkelje. Kreu i AKKP-së, Elvis çefa, raportoi dje në Komisionin e çështjeve Ligjore lidhur me projektligjin “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave". Debatet mes deputetëve të dy doraceve politike lidheshin me zgjidhjen e konflikteve dhe verifikimin e vendimeve të padrejta për pronësinë e tokës. Objekt i debatit ishte propozimi ligjor i deputetit demokrat, Enkelejd Alibeaj, i cili u jep të drejtën rreth 8 mijë pronarëve, që kanë aktualisht konflikt pronësie, t’i drejtohen AKKP-së për rishqyrtimin e vendimit të ish-komitetit të Pronave, tani të shkrirë, i cili nuk u ka njohur atyre të drejtën e pronësisë, duke ia kaluar atë një personi tjetër. Iniciativa vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli si antikushtetues nenin që i jepte drejtorit të AKKP-së të drejtën për të rishqyrtuar me nismën e tij dhe pa kërkesë të subjekteve të interesuara, vendime të mëhershme të ish-komitetit të Pronave, të cilat drejtori i agjencisë mund t’i konsideronte abuzive dhe në kundërshtim me ligjin. “Konstatimi nga praktika e punës është që gjykata nuk ka aftësinë profesionale, që mund të ketë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si një organ i specializuar administrativ për hetimin e çështjeve të pronësisë. Duke shkuar më tej, edhe gjykatat e tjera eprore kanë ndryshuar vendime të dhëna nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, totalisht haptazi në kundërshtim me ligjin, kanë disponuar me ndryshime të akteve absolutisht të pavlefshme”, tha çefa. Sipas tij, AKKP është në trajtimin e kërkesave të fundit të pronarëve, ndërsa numërohen rreth 60 mijë kërkesa që kanë marrë vendime këto vite. Agjencia duhet t’i japë zgjidhje procesit brenda dhjetorit të vitit 2011. Sakaq, Ministria e Punëve Publike publikoi dje në Fletoren Zyrtare udhëzimin mbi plotësimin e formularit të legalizimeve për pronat që ndodhen në bregdet. Sipas udhëzimit, janë tre formularë që duhen plotësuar, me të dhëna të detajuara që mundësojnë kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin e njësisë së ndërtuar, duke vërtetuar edhe plotësimin e kushteve financiare.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›