Drafti për ndryshimet në Kodin Penal, Çela: Ashpërsimi i dënimeve me burgim s’është zgjidhje

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka reaguar në lidhje me draftin e prezantuar për ndryshimet në Kodin Penal.
Përmes reagimit të tij të publikuar në faqen zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, Çela shkruan se në draftin e prezantuar për ndryshimet në Kodin Penal “vihen re rregullime të caktuara në pjesën e përgjithshme të draftit që rrezikojnë ta kthejnë sjelljen e kundërligjshme të individit në një moment të caktuar në kohë në potencialisht të dënueshme përgjatë gjithë jetës, duke i shkuar ndesh parimeve të sigurisë juridike dhe humanizmit”
Për këtë arsye sipas tij, këto parime “do të duhej të ishin qartësuar që në nisje të punës për draftimin, si produkt i atij reflektimi mbarëshoqëror të munguar, por thelbësisht të domosdoshëm, për të ndërmarrë ose jo këtë iniciativë”.
Ai shkruan më tej se ashpërsimi i dënimeve me burgim nuk është zgjidhja e vetme dhe më e mirë sipas propozimeve që vijnë nga drafti për ndryshimet në Kodin Penal.
“Përtej sa më sipër, nisur edhe nga çfarë diskutohet këto ditë në media mbi draftin, nuk mendoj se ashpërsimi i dënimeve me burgim është zgjidhja e vetme dhe më e mirë për morinë e problemeve që kalon vendi, në një kohë që kemi një nga kodet me dënime nga më të ashpra në nivel evropian.
Këtë qëndrim ne e kemi mbajtur institucionalisht edhe në të gjitha proceset ligjbërëse kur na është kërkuar opinion ligjor. Po ashtu duhet kuptuar që rregullimet në ligjin penal ndikojnë drejtpërdrejtë në aplikimin e normave procedurale dhe harmonizimi i tyre nuk mund të bëhet pa u paraprirë nga një qasje vizionare për ku duam të shkojmë”, shkruan Çela.
Çela shkruan se ky draft vjen në një moment mjaft të vështirë për sistemin e drejtësisë i cili ende vuan nga mungesat masive të organikës dhe mbingarkesës së dosjeve.
Sipas Prokurorit të Përgjithshëm, drafti i sjellë në këtë kohë do të thellonte kaosin në hetime dhe procese gjyqësore.
“Ardhja e draftit në këtë moment mjaft të vështirë për drejtësinë, kur sistemi ende vuan nga mungesat masive në organika dhe mbingarkesa e jashtëzakonshme e dosjeve, nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të thellonte shumëfish kaosin në hetim dhe proceset gjyqësore, për shkak të konfuzionit të paevitueshëm që do të sillte zbatimi i normave të reja penale.
Kjo mund të vihet re lehtësisht edhe në mungesën e një kontributi real të magjistratëve në dhënien e opinioneve mbi draftin që nga viti 2023, pikërisht për shkak të ngarkesës së papërballueshme në punë që nuk i lejon të përfshihen cilësisht në një proces kaq delikat dhe të rëndësishëm”, shkruan Çela, ndërsa shton se “më tepër se për një kod të ri penal, sot vendi ka nevojë urgjente për ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale, për të korrigjuar gjërat që po shkojnë keq në funksionimin e tij dhe për të lehtësuar proceset nga burokracitë e panevojshme, që po ndikojnë në zvarritjen e hetimeve dhe gjykimeve”.
/rtsh.al/