E Diel, 1 Nëntor 2026

Drafti për ndryshimet në Kodin Rrugor, eksperti: Duhen rishikuar me kujdes. Jo masa drastike për patentat, nuk ulin automatikisht aksidentet

Eksperti i sigurisë rrugore, Berti Koxha, i ftuar në emisionin “Miremengjes Shqipëri”, ka komentuar propozimet e reja të qeverisë për ndryshime në Kodin Rrugor, duke theksuar se ato duhet të trajtohen me kujdes dhe jo me qasje të menjëhershme ndëshkuese drastike.

Sipas Koxhës, pas ngjarjeve të rënda si ajo e ndodhur në Durrës, ka pasur një reagim të fortë publik dhe institucional, por kjo nuk duhet të çojë në vendimmarrje të nxituara.

“Këto ndryshime duhen parë me kujdes dhe duhet një kohë diskutimi me ekspertët, për të kuptuar efektet reale që sjellin në sigurinë rrugore”, u shpreh ai.

Duke iu referuar masave të propozuara, Koxha kritikoi veçanërisht ashpërsimin e ndëshkimeve për drejtuesit që kapen nën efektin e alkoolit, përfshirë edhe heqjen e përhershme të lejes së drejtimit në raste të përsëritura.

“Në vendet e Bashkimit Europian nuk aplikohet heqje e përhershme e patentës vetëm për dy raste shkeljeje të alkoolit. Masat janë të shkallëzuara dhe proporcionale”, theksoi eksperti.

Ai shtoi se në Shqipëri kufijtë e alkoolit dhe ndëshkimet janë tashmë të përcaktuara, duke filluar nga gjobat administrative deri te ndjekja penale në raste më të rënda, por theksoi se problemi kryesor mbetet zbatimi dhe jo vetëm ashpërsimi i ligjit.

Koxha ngriti gjithashtu shqetësimin se rritja e masave administrative nuk sjell domosdoshmërisht ulje të aksidenteve nëse nuk adresohen drejtuesit problematikë dhe përsëritësit e shkeljeve.

Sipas tij, një zgjidhje më efektive do të ishte krijimi i një databaze kombëtare për drejtuesit problematikë, përfshirë ata që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit, lëndëve narkotike apo kryejnë sjellje të rrezikshme në rrugë.

Ai theksoi gjithashtu rolin e policisë rrugore në identifikimin dhe monitorimin e këtyre kontingjenteve, duke shtuar se institucionet kanë tashmë mjetet për të ndërtuar një sistem të tillë.

Sa i përket propozimit për kufizimin e qarkullimit të drejtuesve të rinj gjatë orëve të natës, Koxha e vlerësoi si masë jo shumë efektive, duke argumentuar se aksidentet nuk lidhen domosdoshmërisht me orarin, por me sjelljen në timon.

Në përfundim, eksperti theksoi se siguria rrugore duhet të mbështetet në tre shtylla kryesore: edukimin e drejtuesve, përmirësimin e infrastrukturës dhe zbatimin efektiv të ligjit, duke kërkuar koordinim më të madh mes institucioneve përgjegjëse.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›