E Diel, 1 Nëntor 2026

Drafti për zgjerimin e BE-së: Kosova pa përparim në fushat themelore

PRISHTINË, 30 tetor/ATSH/ Kosova, krahas Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, renditet ndër vendet pa përparim në fushat themelore. Kështu thuhet në draftin e komunikatës vjetore të Komisionit Evropian (KE) për politikën e zgjerimit, të cilën ky institucion pritet ta publikojë javën e ardhshme.

Komisioni vlerëson gjithashtu se Kosova përballet me ndikimin politik dhe atë të grupeve të interesit mbi gjykatat dhe prokurorinë.

Si risi, drafti thekson se përafrimi i plotë i Kosovës me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së është paraqitur “për herë të parë” në kapitullin e veçantë 31.

KE-ja vlerëson se nuk ka përparim në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të paraparë me marrëveshjen e dialogut. Nga vendi pritet ta nisë këtë proces në përputhje me detyrimet nga dialogu, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023. Kërkohet gjithashtu që statusi i strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia të zgjidhet në përputhje me marrëveshjet e dialogut dhe ligjet e Kosovës, “e jo përmes masave të pakoordinuara”, si dhe përmes konsultimeve të strukturuara me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës

Ashtu si në vitet e mëparshme, Komisioni thekson se përparimi i Serbisë dhe i Kosovës në rrugën evropiane lidhet me përparimin thelbësor në normalizimin e marrëdhënieve. “Zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe i Aneksit të saj të zbatimit mbetet i pamjaftueshëm”, thuhet në draft.

“Normalizimi nuk është vetëm kusht në rrugën evropiane. Ai është kyç për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të të dyja shoqërive dhe të rajonit më të gjerë. Mungesa e përparimit ka kosto politike dhe ekonomike dhe rrezikon që të dyja palët të mbeten prapa në një kohë kur procesi i zgjerimit ka marrë sërish hov”, thuhet në dokument. /REL/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›