E Shtunë, 31 Tetor 2026

Draghi: Eurozona nuk është në rrezik

Eurozona nuk është në rrezik të shpërbëhet pavarësisht skenarëve apokaliptikë të hedhur nga disa analistë, deklaroi Mario Draghi, presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, duke gjykuar se ky bllok po ecën në mënyrë të pashmangshme drejt unionit më të ngushtë të anëtarëve të vet.

I pyetur në një intervistë me gazetën franceze Le Monde nëse euro qe në rrezik, Draghi tha: “Jo, absolutisht jo. Ne shohim thjeshtë analistë që imagjinojnë skenare me shpërthime. Ata nuk e kuptopjnë dot se sa i madh është kapitali politik që udhëheqësit tanë kanë investuar në union si dhe mbështetjen nga europianët. Euro është e pakthyeshme.”

Draghi shtoi se në terma afatgjatë, euro ka nevojë të vendoset në themelet e integrimit më të gjerë mes vendeve anëtare.

“Të gjitha lëvizjet drejt bashkimit financiar, buxhetor dhe politik janë për mua të pashmangshme dhe do të sjellin krijimin e institucioneve të reja mbikombëtare,” tha ai.

Udhëheqësit europianë hodhën një hap tjetër drejt integrimit muajin e kaluar në Bruksel kur u ra dakord për të vënë Bankën Qëndrore Europiane në detyrën e mbikëqyrësit të bankave si dhe i dhanë fondit të vet të shpëtimit EMS të drejtën për të financuar bankat në vështirësi.

Gjithsesi, samiti nuk i bindi mjaftueshëm investitorët. Shqetësimet mbi fatin e Spanjës janë rikthyer në qendër të vëmendjes dhe interesat e bondeve 10 vjeçare janë aktualisht në kuotën 7 për qind.

Bursat në Europë dhe SHBA shënuan humbje gjatë javës së fundit dhe euro shënoi rekorde negative kundër monedhave të Australisë, Kanadasë dhe Zelandës së re.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›