Dragoti për hebrenjtë
Durrës- Nuk ka mundur të kryejë funksionin si kryetar jurie dhe një vizitë në qytetin e Durrësit, duket se e kishte borxh. Regjisori shqiptaro- amerikan Stan Dragoti, vizitoi dje Durrësin, ku takoi edhe kryetarin e Bashkisë, Vangjush Dako, i cili i shprehu keqardhjen që Dragoti nuk mundi të ishte gjatë festivalit të Filmit në Durrës, ku ishte zgjedhur edhe kryetar jurie. Gjatë vizitës së djeshme, Dragoti dhe drejtori i Qendrës Kinematografike bënë të njohur disa të dhëna për projektin që regjisori po zhvillon tashmë në Shqipëri. Bëhet fjalë për realizimin e një filmi me metrazh të gjatë, subjekti i të cilit do të bazohet në ndihmën që shqiptarët u dhanë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Drejtori i QKK-së, Xhevdet Ferri, u shpreh se përfaqësuesit e studios kinematografike “DBJ”, e cila drejtohet nga shqiptaro-amerikanët Dragoti, Bezhi dhe Jusufi kanë shprehur prej kohësh interesimin e tyre për xhirimet e një filmi me temë nga Shqipëria. Është menduar një film mbi fatin e hebrenjve gjatë Holokaustit, si dhe përkrahjen e paçmuar që dhanë familjet shqiptare për ata, duke i pritur dhe strehuar në shtëpitë e tyre. Mësohet se deri tani janë shpenzuar rreth 200 mijë dollarë për realizimin e projektit dhe së bashku me producentët që kanë ardhur nga SHBA, po punohet për të gjetur mbështetjen financiare për përfundimin e skenarit dhe xhirimet e filmit.
M.B