E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drama e 27-vjecarit nga Fieri, e ka të pamundur transplantin e veshkave

TIRANË- Drama e një të riu nga Fieri i cili ka mësuar rastësisht se vuan nga një sëmundje e rëndë në veshka dhe dëshmia tronditëse e babait të tij përcillet nga News 24. Ky i fundit i bën apel shtetit, pasi ka harxhuar më parë të gjitha kursimet e familjes për të mundësuar analizat mjekësore.

27 vjecari nga Fieri Jetnor Manaj, të dyja veshkat i ka të dëmtuara. Këtë fat të hidhur ka vetëm një muaj që e ka mësuar.
“Kisha enjtje të këmbëve, pafuqi totale, nuk kryeja dot asnjë punë, pastaj iu nënshtrova analizave. Njëra veshkë nuk punon fare, ndërsa tjetra vetëm pak”, thotë Jetnori për News 24.

Me lot në sy, babai i Jetnorit tregon se sëmundja e të birit është e rëndë dhe sipas ekzaminimeve të shumta, rezulton se të dyja veshkat e 27-vjecarit kanë dalë jashtë funksionit. Në një situatë të tillë, që sa vjen e rëndohet, mjekët i kanë kërkuar atij të kryejë transplantin e njërës veshkë të paktën.

“Ne si prindër mendonim që do ndryshonin gjërat në familjen tonë në drejtim të ekonomisë...E nisa për një punë tjetër në Fier dhe e gjeta në spital. Kjo na ka shqetësuar jashtë mase, jemi zero në të gjitha drejtimet. I kërkoj ndihmë shtetit të na mundësojë financiarisht kryerjen e transplantit”, u shpreh

Duket se gjendja e vështirë ekonomike ia ka lidhur duart kryefamiljarit të familjes Manaj, i cili pasi ka harxhuar të gjitha kursimet e familjes, mëson se vuan edhe vetë nga sëmundja e veshkave. Këtë e mësoi kur iu nënshtrua analizave për tu bërë dhuruesi i veshkës për të birin.

“Për fatin tim të keq edhe unë dola i sëmurë. Kam hepatitin B, c’ka më detyron të mos ia jap dot djalit veshkën. I kam harxhuar të gjitha kursimet...tani po shikoj mundësinë që t’ja dhurojë nëna veshkën djalit”, thotë ai mes lotëve të dhimbjes.

Vetëm një vit më parë Jetnori u diplomua për mjekësi veterinare dhe shumë shpejt pritet të nisë punë e të krijojë familje, por më parë duhet që dikush t’i shpëtojë jetën.
(m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Fier, i nevojitet transplant veshkash, 27 vjecari apel për ndihmë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›