E Diel, 1 Nëntor 2026

Drama e Tuluzës, Sarkozy masa të reja anti-terror

Drama e Tuluzës shtyu presidentin francez Nicolas Sarkozy të paraqesë një projekt-ligj të ri mbi masat e luftës anti-terror, ndërsa kreu i ekzekutivit Francois Fillon propozoi që adoptimi të bëhet sa më shpejt, mundësisht përpara zgjedhjeve presidenciale nëse do të mund të arrihet konsensusi politik.

Kryeministri la të kuptohej se drafti i ligjit mund t`i paraqitet Këshillit të Ministrave brenda disa ditësh dhe në rast se gjendet kompromisi në Asamblenë Kombëtare e Senat do të hidhet në votë përpara zgjedhjeve për shefin e Elizesë.

Por socialistët, që kontrollojnë Senatin preferojnë të presin të mandatuarin e ri si president dhe meqenëse kanë votat e mjaftueshme për ta bllokuar këtë nismë, edhe mund t`i përdorin dhe ta vonojnë shqyrtimin e tekstit pas zgjedhjeve.

Më shumë se sa sfondi i propozimit, të majtën e shqetëson ajo që e sheh si përpjekje të qeverisë për të instrumentalizuar cështjen. Në fakt, episodi i Tuluzës, mënyra se si u menaxhua situata e krijuar atje dhe shpejtësia me të cilën u identifikua e agresori e u kalua në veprim, i kanë shtuar pikë Sarkozy.

Sondazhet e fundit të opinionit e vendosin atë në krye, duke parashikuar madje edhe një fitore me 30 përqind në raundin e parë kundrejt rivalit kryesor, Francois Hollande. Imazhi i luftëtarit të paepur të krimit, që Sarkozy shfaqi gjatë krizës, ka forcuar akoma më shumë edhe avantazhin e tij ndaj kandidates së Frontit Kombëtar, Marine le Pen.

Sic komenton “Le Monde”, situata këtë javë ndryshoi edhe në rrafsh politik, duke i lejuar Sarkozy, së akuzuar më herët për flirtim me ekstremin e djathtë me qëllimin të rrëmbente ca vota nga Le Pen, të ripozicionohej pa qenë nevoja të ndryshonte qendrimin e vet politik.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›