Drama me dy akte e Taulant Ballës
Në vend të një fejtoni
Akti I: Përballë drejtuesit të emisionit televiziv ç. Peka, këtë herë ndodhej oratori i pandalshëm, me retorikë boshe, që të kujton thënien latine se „fuçia e zbrazët bën më shumë zhurmë kur rrokulliset, sesa fuçia e mbushur“. Ky farë “gojëtári” harron se tani nuk jemi në kohën e Leninit, kur ia mori pushtetin me dhunë social-demokratit Kerenski, duke ulëritur në Dumën e regjimit të ri, në javët e para pas shfronësimit të carit Nikolla II. Dhe, sa për një kujtesë të vogël historike, me këto mënyra revolucionare Lenini ia rrëmbeu vërtet pushtetin qeverisë së përkohshme pluraliste, duke e zëvendësuar këtë me regjimin monist bolshevik, „në emër të „demokracisë popullore“ ( ku fjala e fundit duhet lexuar populiste). Dhe kjo qeverisje shumëkombëshe nuk vonoi që ta shndërronte fshatarësinë e pamasë të regjimit carist, në një mjerim të paparë historik, kur nënat hanin fëmijët e tyre për mbijetesë! Dhjetëra miliona të vdekur nga uria! Fshatarët u kujtuan, më së fundi se, në emër të kolektivizimit, ajo lumturi e propaganduar nuk ishte veçse një ferr! Arsyeja ishte e thjeshtë: gjatë carizmit, së paku, kanibalizmi nuk ekzistonte!
Elokuenca e Taulant Ballës në këtë akt të parë, ishte një imitim i shefit të tij, Edvinit. Ky ish-bllokmen i rangut të dytë, pas disa sprovave të skizofrenisë së tij antikomuniste (1990), kur u ngjitej tribunave të improvizuara, - pa qenë i ftuar, - dhe kur shkruante se komunistët duheshin varur në litar në sheshin e Skënderbeut (!), tani na ishte shndërruar në një komunist të zjarrtë e në një leninist mujshar, të cilit ia kishte përvetësuar metodat e zhvatjes së pushtetit, përmes manifestimeve revolucionare.
Akti I në këtë bisedë sundohej nga një zë i vetëm: nga zgurdha e Taulant Ballës. Drejtuesi i programit ndërpritej hap pas hapi, sapo Peka donte të bënte pyetjen e dytë, pastaj të tretën . . . Oratoria e e Taulantit ishte ngjitur në stratosferë, me përsëritjen e frazave kundërqeveritare, sikur të ishte në sallën e parlamentit, të cilin e quante “ilegjitim”. Ndërsa kryeparlamentaren, zonjën Jozefina Topalli, e përmendte me përkeqësuesen spikerja, sikur ajo të ishte një folëse e rëndomtë dhe provizore e një TV-je! Ia kishte inatin, se kryetarja e parlamentit, ia ndaloi që të ishte i pranishëm në sallën e foltores, për dy javë. Arsyeja?! Le ta shohim në faqen e parë të “G.SH”: “Balla, akuza për korrupsion dhe Berisha në fuqi gjer më 30 prill”. Topalli e përjashton nga Kuvendi”. Ndërsa “Shekulli” nuk e kishte këtë frazën e fundit, duke iu shmangur më tepër së vërtetës. Sepse edhe rrugëve nuk lejohen të bëhen thirrje për marrjen e pushtetit në mënyrat leniniste, siç kishte ndodhur me aleatin e padëshirurar, Kerenskin. Kurse në demokracinë tonë tolerante, Balla na përsërit në parlament fjalët e papërgjegjshme të Spartak Ngjelës se qeverisja Berisha do të binte për tri ditë! Pastaj, meqë “profecia” e tij doli blof, Taku u bë më zemërgjerë: për tri javë! Me këto deklarata del hipokrizi ajo thënia se nuk kërkohet ndryshimi i përbërjes së parlamentit me ngjyrën e parlamentarëve, kur edhe parlamenti vetë është bojkotuar për më shumë se gjysmë viti, si ilegjitim!
Sikur të ishte Peka i ftuari në studion e tjetërkujt dhe i ftuari i vetëm, T. Balla, në rol të drejtuesit të programit, drejtuesit të vërtetë nuk i lejohej as ndërhyrja. Megjithatë z. Peka ndërhyri qetësisht, kur Balla e cilësoi kryetaren e Parlamentarit si spikere:
-Kryetare e parlamentit, thuhet.
-Spikere, përsëriti Taulanti me kryeneçësi! Peka e la Ballën në fluturimet e tij. Veçse me një vështrim nënqeshje, sikur donte të na thoshte se dardha e kishte bishtin prapa!
***
Këtu do të bëjmë një digresion për këta zë-shpella që po na gërvishtin e po na gërryejnë veshët pa prâ. Gjatë luftës Kadri Hoxha ishte Sekretar I i K.P. të qarkut të Elbasanit. Në Labinot kërkonte E. Hoxhën se ky donte takim me Kadriun, për t’u informuar për disa të dhëna në qarkun e Elbasanit. Të mbledhurit për në Konferencë “nuk e dinin” se ku ishte. Por njëri prej të mbledhurve, i tha mënjanë, me zë të ulët: -Shko se e ke në atë pyll, - dhe i tregoi drejtimin, duke parë se mos kishte ndonjë njeri prapa. Kadiu e gjen vërtet atje, duke bërtitur, me sa zë kishte: - “Partia jonë e lavdishme, internacionalja komuniste, shoku Stalin, shoku...!”. Kur iu afrua Kadri Hoxha, ia tha troç se ç’bënte kështu, se mos e shihnin fshatarët!”. - “E ke gabim, shoku Kadri, se ne duhet të stërvitemi edhe në oratorí, si përfaqësuesit e denjë të këtij populli të shumëvuajtur...”. Duhet të përmendim, në kllapë, se shoqja e tij e klasës, Sabiha Kasimati, e kishte vënë në lojë meqë i mbahej goja, pra ishte gagaç. Duhet, ama, edhe të shtojmë se në të ekzekutuarit e pafajshëm të 22 shkurtit të 1951-shit, me marifetin e hedhjes së një bombe në ambasadën sovjetike, ishte edhe Sabihaja e shkretë si ekzekutuar pa gjyq, fajtore që në kohën studentore kishte bërë një shaka që nuk do t’i shkonte ndërmend se do t’i kushtonte kaq shtrenjtë. . .
Edi Rama nuk u shqua në rininë e tij as për basketbollist, as për piktor (përveç skicave propagandistike kundër armiqve, në revistat e Sigurimit), as për harmoni shoqërore me sportistët kolegë. Shquhej vetëm për zërin e tij bubullues. Kjo na sjell në kujtesë tenorin e famshën Enriko Karuzo, kur ishte kryetar i një jurie që përzgjidhte talentet e reja. Njëri nga të rinjtë nuk këndonte, por ulërinte. Si mbaroi, i kërkoi Karuzos sesi mund të klasifikohej në zërin e tij: bas, bariton, tenor apo...
-Tallall, biri im! - iu përgjigj kryetari i jurisë.
Tani ky narcis, EdRama, i dehur me zërin e tij, ka arritur të bëjë karrierë politike, duke mos qenë as politikan,- siç thotë vetë! Taulant Balla u mundua ta imitojë, me sa të mundej, në bisedën me Pekën. Por ...erdhi akti II.
***
Akti II: Mund të meritojë edhe një titull: “Mëk-mëk!”. Tani oratori i mbaroi ato që ne, shikuesit, ia dinim përmendsh, aq herë i kishte përsëritur - ai dhe shokët e tij- , qe të mos përmendim edhe Edvinin.
Pyetjet e Pekës e kishin vënë në kundërthënie me ish-kryetarin e tij të mëparshëm: - Kur kishte të drejtë Taulanti, atëherë, apo tani? Tashmë e uli zërin, filloi t’i mbahej goja, iu flashk oratoria, i dridhej zëri.
Pa e lejuar të merrte veten, pyetja tjetër kishte të bënte me votimin e EdRamës si kryetar bashkie. I pyeturi filloi të përmendte se Edi ishte fitues kaq e aq herë, por aty për aty iu bë pyetja pasuese se kishte fituar me dhjetë përqind të votuesve!
Pyetja tjetër kishte të bënte me thëniet e S. Ngjelës se i ishin vjedhur votat, kur edhe ai kishte konkurruar për kryetar bashkie. Taulanti nuk mund ta hidhte poshtë Ngjelën, se e kishte aleat mitingjesh. Kjo mëdyshësí e bënte që t’i ngatërroheshin fjalët.
Duke mos pasur diktofonin, përgjigjet e tij, tanimë, nuk merreshin vesh. Por edhe të regjistroheshin në diktofon, do të ishin të padeshifrueshme. Kështu, për atë “dardha e ka bishtin prapa”, që e karakterizon këtë akt të dytë, mund ta mbyllim duke thënë se: Akti II filloi me “mëk-mëk” dhe mbaroi me “mëk-mëk”!