E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët merituan heqjen e vizave

Kryeministri Berisha i dorëzon komisionerit të BE-së për zgjerimin, Stefan Fyle dosjen e përgjigjeve për përparimin e regjistruar në reformat më të rëndësishme. Anëtarësimi në BE, realizimi i idealit të kombit për rikthimin në familjen evropiane

Fyle: Sapo të merret vendimi, nuk do vonohet me burokracira lëvizja e lirë e shqiptarëve

Kreu i qeverisë Sali Berisha, dorëzoi dje në selinë e Komisionit Evropian, draftin e përgjigjeve të Pyetësorit, i njohur ndryshe si dokumenti i integrimit të Shqipërisë. Pas mbërritjes në Bruksel dhe ligjërimit në konferencën e organizuar nga fondacioni “Robert Schuman”, kryeministri Berisha u takua me komisionerin e BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, ku i dorëzoi draftin voluminoz, mbi të cilin do ndërtohet rruga e integrimit të Shqipërisë drejt strukturave evropiane.
Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë takim nga ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu dhe ambasadorja e Misionit të Shqipërisë në BE, Mimoza Selimi.
Palët zhvilluan fillimisht një takim me dyer të mbyllura, ndërkohë që më pas të dy zyrtarët e lartë, Berisha dhe Fule dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Kryeministri Berisha e vlerësoi dorëzimin e Pyetësorit, si një moment tepër të rëndësishëm për vendin, duke nisur kështu realizimin e idealit për mbarë kombin, integrimin Evropian. Berisha tha se Shqipëria ka bërë progres të çmuar vitet e fundit dhe se tani vjen krenare në Bruksel, për të marrë një vlerësim pozitiv për punën reformatore të bërë nga qeveria.
Në këtë aspekt, kreu i ekzekutivit, garantoi institucionet e BE-së për përmbushjen e çdo kriteri dhe realizimin e çdo reforma, që do të afronte Shqipërinë me familjen e vlerave evropiane.
“Për mua është një moment shumë historik. Në përgjigjet e 2284 pyetjeve, të dërguara në Shqipëri, përmes pyetësorit, qeveria ka punuar me përkushtim maksimal. Ky është momenti më i rëndësishëm i vendit tim. Jemi të vendosur për ta kthyer Shqipërinë në idealin e saj kryesor, të integrimit evropian. Këtu ka më shumë se 1200 zyrtarë që kanë punuar. Vendi im nuk është aq i njohur, por ai ka punuar shumë. Nëse kthehemi 18 vite më parë vendi im cilësohej si një nga vendet më të varfra të planetit, dhe me institucione jashtë funksionimit dhe tani vendi im sjell këtu përgjigjet e BE, me shpresën më të mirë për tu pranuar. Tani, vendi im, pret një opinion nga KE-ja. Komisioneri Fule më tha se ky është një fillim i ri, por ky është një moment shumë interesant për vendin tim. Unë e quaj këtë si një moment të një përpjekje dhe energjie të re dhe jam i sigurt se gjatë muajit që vijnë ne do të bëjmë ç’është e mundur që të kemi një vlerësim pozitiv. Falënderoj Komisionin Evropian, institucionin që nga muaji i parë i rrëzimit të Murit të Berlinit, ka kontribuar duke investuar miliarda euro, për ndërtimin e Shqipërisë. Komisioni Evropian, është institucioni që ka ndihmuar më shumë vendin tim”, u shpreh kryeministri Berisha.
Nga ana tjetër, Komisioneri për Zgjerimin, Fule, theksoi në fjalën e tij se qeveria shqiptare ka arritur të realizojë një paketë të rëndësishme dhe me përgjigje domethënëse për progresin e vendit.
Ai tha se tani detyra i kalon Komisionit Evropian, për të përpunuar sa më shpejt opinionin, mbi përgjigjet e Pyetësorit.
“Më lejoni të shpreh vlerësimin tim për punën e të gjithë institucioneve që kanë marrë pjesë në realizimin e një libri të tillë. Tani na takon ne të analizojmë përgjigjet, të organizojmë misionet, ekspertët për të verifikuar çështje të ndryshme, për të kryer konsultime, për të krijuar opinionin tonë. Mendimi i komisionit do të jetë i drejtë dhe do të vlerësojë në përputhje me gatishmërinë e Shqipërisë. Koha kur do të jepet opinioni do të varet nga cilësia dhe informacionet që kemi marrë. Ju arritët të plotësonit këtë paketë të rëndësishme, dhe jeni përgjigjur në mënyrë kaq domethënëse. Më lejoni të shpreh falënderimin tim, për ata që bënë këtë punë, kaq voluminoze. Mendimi i KE do të jetë i drejtë dhe do të vlerësojnë, në përputhje më dëshirën e Shqipërisë, pra në mbështetje të aspiratës së saj. është këshilli ai që do të vlerësojë në hapa të tjerë”, u shpreh Komisioneri, Fule.
Berisha dhe Fule prekën edhe çështjen e liberalizimit të vizave. Kreu i qeverisë shqiptare, shprehu angazhimin e Shqipërisë, për të përfituar nga ky proces në bazë të meritës, duke theksuar se janë plotësuar të gjitha kushtet teknike.
Zyrtari i lartë i Brukselit, theksoi se shqiptarët do lëvizin të lirë në hapësirën “Schengen”, menjëherë pas dhënies së vendimit nga KE, moment ky që pritet të zyrtarizohet gjatë periudhës së verës. “Në diskutimin që patëm, i mirëprita zhvillimet politike në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave dhe Shqipëria ka arritur shumë në këtë proces. Liberalizimi i vizave është një proces vërtetë me merita dhe KE do të bëjë një propozim në momentin e parë që do të vërehet plotësimi i kërkesave. Për sa i takon Komisionit, ne jemi plotësisht të angazhuar të ndihmojmë vendin tuaj, në rrugën drejt proceseve të integrimit”, deklaroi Komisioneri Stefan Fule.
Ndërsa kryeministri Berisha, u shpreh se qeveria është e përgatitur që gjithçka t’i thuhet hapur, lidhur me kriteret dhe dhënia e vlerësimit në bazë të meritës.
“Ne duam çdo vlerësim në bazë të meritës. Sigurisht që do të ketë, një vendim të KE, do të ketë një komision të ministrave të Brendshëm ose të Jashtëm, do të ketë një vendim të PE. është një vlerësim shumë transparent dhe jemi të kënaqur për një vlerësim të tillë, që gjithçka të na thuhet hapur, për detyrimet tona”, deklaroi kryeministri Berisha.

Pyetje-përgjigjet e plota gjatë konferencës së përbashkët për shtyp Berisha-Fyle

Pyetje për Komisionerin Fule
Mesa duket, ka ende problem në lidhje me zgjedhjet pasi dy partitë kryesore nuk po arrijnë konsensus në lidhje me këtë çështje. Komisioni Evropian do të presë zgjedhjet e reja për të dhënë një mendim apo do të bëni të ditur opinonin për statusin e kanditatit përpara zgjedhjeve?
Në lidhje me opionin, ne tani kemi informacionet që na duhen për të filluar procesin e vlerësimit dhe të përgatitjes së këtij opionin. Nuk do të presim deri në zgjedhjet e ardhshme për të dhënë opinionin tonë. Në të njëjtën kohë duhet të them se këto zgjedhje përfaqësojnë një vulë demokracie për vendin përkatës. Ne jemi të angazhuar në një proces i cili nuk është se do të përfundojë në këto zgjedhje, do të duhen disa vite. Ne do të shohim qëndrueshmërinë e demokracisë në Shqipëri. Me siguri do të ndjekim me interes edhe zgjedhjet lokale të viti 2011 dhe shpresojmë shumë që qeveria dhe opozita do të bëjnë ç’është e mundur që kësaj here, vlerësimi i ODHIR dhe OSBE-së të jetë shumë më pozitiv se ç’ka qenë herën e fundit.

Pyetje për kryeministrin Berisha
çfarë rezultati prisni nga Komisioni Evropian duke pasur parasysh se ka 7 muaj që Shqipëria nuk po plotëson kriteret e Kopenhagenit?
Përsa u takon zgjedhjeve, është tashmë e njohur se ODHIR dhe OSBE erdhën në përfundimin se zgjedhjet plotësuan shumicën e standarteve dhe sipas raportit nuk pati manipulime apo numërime të parregullta. Ky është përfundimi i watch-dogut ndërkombëtar. Ka një kërkesë nga ana e opozitës për të rinumëruar votat, pasi gjykata e Apelit ka marrë vendim për ta hedhur poshtë këtë kërkesë. Qeveria ime dhe unë vetë, jemi tërësisht të hapur për të kryer çdo hetim, por ndarja e pushteteve është një nga dy- tre parimet bazë të çdo vendi të lirë. Ne kemi bindjen tonë të thellë se kuadri ynë ligjor se kuadri ynë kushtetues ligjor siguron të gjitha mundësitë për respektimin e shtetit ligjor. Shqipëria i ka të gjithë potencialet dhe mundësitë që të sigurojë transparencë të plotë duke respektuar plotësisht institucionet dhe shtetin ligjor. Kjo është edhe arsyeja pse unë vazhdoj të mbetem shumë i angazhuar që të bëj maksimumin, që të bëj më të mirën për të dyja këto që thashë. Gjithashtu, dua të sqaroj këtu pëpara të gjithëve, i kam ofruar dhe vazhdoj t’i ofroj udhëheqësit të opozitës që të hartojmë çdo amendament të mundshëm, madje të ndryshoj edhe sistemin e zgjedhjeve, unë do ta votoj pa kushte. Me kushtin e vetëm që të kem një mendim të një organi ndërkombëtar, qoftë të Komsionit të Venecias apo të ODHIR për zgjedhjet e ardhshme. Dhe do të punojmë që të bashkëpunojmë me opozitën.

Pyetje për komisionarin Fule
Siç thatë, ky është një fillim i ri, por meqenëse përmendet bojkotin parlamentar, situata politika është larg të qenurit e përshtatshme dhe ju dërguat një mesazh mjaft të rëndësishëm në Tiranë, lidhur me bojkotin që deri tani nuk ka ndryshuar shumë. çfarë ju bën ju të besoni tani se kjo situatë do të ndryshojë?
Mesazhi që transmetuam kur ishim në Tiranë, vazhdon të jetë akoma në fuqi. Ne, e diskutuam edhe sot këtë çështje dhe unë përsërita që duhet akoma shumë për të bërë. Unë vura në dukje se ka një dritare për të bërë diçka. Të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces, kanë përgjegjësi për të gjetur një zgjidhje në mënyrë të atillë siç e kërkojnë KE.

Pyetje për Kryeministrin Berisha
çfarë garancish i keni dhënë komisionierit se ju do të bëni ç’është e mundur që të ndryshoni situatën politike?
Zgjedhjet janë një proces themelor, pjesmarrësit nuk do të bien asnjëherë dakord, nëse nuk do të pranojnë vendimet e arbitrave që kanë zgjedhur së bashku. Së bashku me opozitën ne zgjodhëm Gjykatën e Apelit; së bashku me opozitën ne zgjodhëm Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që votoi 7 me 1 për çdo mandat në parlament; së bashku me opozitën ne pranuam organin ndërkombëtar që erdhi për t’u kujdesur për zgjedhjet; së bashku me opozitën kam pranuar disa ndërmjetës dhe asnjëhetrë nuk do të refuzoj të pranoj këdo që të jetë. Jam i gatshëm të siguroj sensibilitetin më të madh në lidhje me këtë çështje. Komisionin i Këshillit të Evropës erdhi në Shqipëri me një dëshirë shumë të mirë dhe unë i pranova të gjitha ata që më propozuan ato, por propozimet u hodhën poshtë nga opozita. Unë synoj të vazhdoj punën time sepse vazhdoj të jem plotësisht i bindur se nuk ka asnjë dokument në vendin tim, i cili nuk mund të bëhet transparent si votimi, qoftë fletë-votimi, qoftë çdo gjë tjetër, por duhet të ndiqen procedurat që janë të shkruara në ligjet e vendit. Ju i njihni propozimet e mia. Sistemi ynë ligjor i siguron njëkohësisht edhe transparencën, ashtu edhe respektin dhe ne duhet t’u përmbahemi këtyre.

Pyetje për komisionarin Fule
Përpara të se të vinte këtu dhe përpara se t’ju dorëzonte përgjigjet e pyetësorit, kryeministri u shpreh se po priste një opionion objektiv nga ju dhe ne e dimë që Komisioni është institucioni më i mirë për ta bërë këtë. Ajo që unë dua të pyes është se që prej 7 muajsh, që nga fillimi i mandatit të kësaj qeverie nuk ka stabilitet politik në vend. A do të merret kjo parasysh dhe cila do të jetë pasoja?
Opinioni i Komisionit do të jetë pa diskutim objektiv dhe gjithëpërfshirës. çështja është se sa çështje do të përfshihen te siguria. E vetmja çështje që varet nga qeveria e Shqipërisë dhe opozita e saj, është nëse do t’i referohemi si një çështje ende e pazgjidhur, me të gjitha implikimet që ka në lidhje me rekomandimet tona dhe me vendimet e vendeve anëtare, apo do t’i referohemi si një çështje e zgjidhur në bazë të parimeve që përmendi kryeministri dhe e mbështetur në parimet e njohura dhe të pranuara nga përgjegjësia e të dyjave palëve, me një frymë evropiane.

Pyetje për kryeministrin Berisha
Ka një paqartësi kur bëhet fjalë për vendimin. Të gjithë në Shqipëri thonë se vendimi për vizat do të merret përpara verës. Këtu kemi parasysh propozimin e komisionit apo vendimin që do të marrë Këshilli i Ministrave?
Së pari më lejoni të bëj të qartë se ne asnjëherë nuk kërkojmë diçka të cilën ne nuk e meritojmë. Dhe nuk është çështje krenarie, por është çështje përgjegjësie. Ne duhet të bëjmë punën tonë, kjo është në interesin më të mirë të çdo qytetari shqiptar. A e bëjmë punën apo nuk e plotësojmë atë që na kërkohet? Kjo është motoja ime në çdo gjë. Ju po më pyesin për procedurat e komisionit. Por unë nuk jam anëtar i komisionit, unë jam kryeministri i një vendi. Sigurisht që do të ketë një vendim të komisionit, do të ketë një komision, siç më thanë të ministrave të brendshëm apo të jashtëm, do të ketë një vendim të parlamenti, kjo është procedura që ndiqet. Por ajo që është pozitive për mendimin tim është se kemi të bëjmë me një vlerësim shumë objektiv dhe transparent siç thatë ju dhe ne jemi shumë të kënaqur dhe të lumtur që të shohim një vlerësim të tillë kaq transparent. çdo gjë do të na thuhet hapur dhe kjo është shumë pozitive.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›