E Hënë, 2 Nëntor 2026

Serioziteti i protestës

Italia në Perëndim, por dhe Hungaria në Lindje, po japin shembuj të një krize serioze të së majtës duke çuar në humbje të konsiderueshme të elektoratit tradicional dhe në konfirmimin e së djathtës si fituese. Mendoj, më shumë se ideologjia e majtë, në krizë është identiteti i politikanit të majtë, që vitet e fundit është çrrënjosur nga parimet më të rëndësishme të së majtës, duke treguar se ka kokën, dëshirat dhe ëndrrat në luksin djathtist, ndërsa këmbët në varfërinë, jetën e vështirë, padrejtësitë, modestinë e njerëzve që përbëjnë elektoratin e saj. Këtë po rrezikon dhe e majta shqiptare postdiktaturë. E nisi me liderin historik Fatos Nano, lukset e tij, dëshirën për pak punë e shumë privilegje; edhe pse sot Edi Rama po përpiqet të bëjë tërësisht të kundërtën, dëmet kanë mbetur.
Shqipëria është një vend i vogël dhe njerëzit dinë shumë për të gjithë. Shfaqjet e disa eksponentëve të Partisë Socialiste në tregje duke treguar çmimet e fruta-perimeve apo të ujit, dritave nëpër shtëpitë e periferive, nuk tingëllojnë të sinqerta. Politikanët që e kalojnë ditën duke dëgjuar dhe çuar në parlament hallet e njerëzve, po bëhen gjithnjë e më të rrallë dhe këtë, më mirë se gazetat, sallonet e televizioneve, e dinë njerëzit. Skenat e politikanëve para kamerave në tregje mund të na kursehen të gjithëve, ashtu si kur bëhen protesta për cenimin e një të drejte themelore siç është ajo e fjalës, të bëhen më shumë përpjekje serioze. Me të drejtë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruci, u shpreh i revoltuar për përjashtimin e deputetit të opozitës nga Kuvendi ndërsa fliste në foltore. Kryetarja Topalli vazhdon të ketë një qëndrim të gabuar në Kuvend, si një mësuese e papërgatitur apo si një prind që nuk sillet njësoj me fëmijët. Nga një anë toleron fjalime si ato që kemi dëgjuar nga kryeministri i Shqipërisë apo ndonjë eksponent i pozitës, e nga ana tjetër nxitohet të ndëshkojë opozitarët, duke nxitur, në vend që të sheshojë, kontradiktat. Po a ka një kundërpërgjigje serioze të socialistëve ndaj kësaj sjelljeje jo korrekte të kryeparlamentares? Duke u kthyer te protesta e tyre, kur deklarojnë1 minutë heshtje, duhet të jetë 1 minutë, ose në mënyrë simbolike 40 apo 50 sekonda, por 26 janë vërtetë shumë pak. Duke protestuar, deputetët opozitarë të inatosur, sa vunë maskat në gojë (që krijonin dhe ilaritet për formën) i mbajtën vetëm 26 sekonda dhe nxituan t'i heqin. Shumë mund të thonë, po ç'rëndësi ka forma, përmbajtja, mesazhi janë thelbi i asaj që politikanët opozitarë bënë! Ndryshe nga ç'mund të mendohet, forma në politikë thotë shumë, sidomos në impenjim serioz të asaj që kërkon. Një performancë më e dobët se ajo e disa organizatave jofitimprurëse para Kuvendit, e dëmton protestën dhe kauzën politike të rëndësishme të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›