E Diel, 1 Nëntor 2026

Draskoviç: Kosova, fqinji më i afërt

Pa dërgimin e ambasadorit në Prishtinë, sepse këtë askush nuk e kërkon, Serbia duhet ta pranojë Kosovën si fqinjin më të afërt dhe më të veçantë- ka thënë lideri i Lëvizjes Serbe për Ripërtëritje (SPO), Vuk Draskoviç.

Sipas tij, Serbia duhet të heqë dorë nga institucionet paralele në Kosovë dhe nga ruajtja e integritetit joekzistues territorial dhe sovranitetit shtetëror dhe të përqendrohet në mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë dhe ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore serbe, dhe të pranojë pjesën jostatusore të Planit të Ahtisarit.

B92 raporton se ai ka thënë që Serbia shpenzon 400-600 milionë euro në vit për institucionet paralele, “më konkretisht 4.000 euro për çdo serb në Kosovë, por këto para nuk arrijnë tek ata”, ndërsa ka shtuar se veriu i Kosovës është bërë parajsë e kriminalitetit, të cilin e organizojnë njerëzit nga shërbimet sekrete të Slobodan Miloseviçit.

Ndërkohë, kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, ka theksuar se Beogradi duhet të tregojë gatishmëri që Kosovën, ta pranojë si parter të barabartë dhe në këtë mënyrë t`i hapë rrugën anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në takimin e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut është vlerësuar se Serbia për shkak të zhvillimit të saj dhe hyrjes në BE duhet thelbësisht ta ndërrojë politikën e saj, të pranojë realitetin në Kosovë dhe të anëtarësohet në NATO.
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›