Drejt dy blloqeve
Nuk shoh mundësi për krijimin e partive të reja.
Vendi po shkon drejt krijimit të dy blloqeve politike.
Hashim Thaçi ka krijuar qeveri shumë të madhe, vetëm për t’i kënaqur partnerët e tij.
Unë do t’i rrisja pagat në disa etapa.
Fatmir Sejdiu e keqinterpretoi marrëveshjen për zgjedhjen e Presidentes.
Nuk do të ketë kurrë bashkim me LDD’në dhe Listën, por koalicionet nuk përjashtohen.
Isa Mustafa, Kryetar i LDK’së, flet për Express.
Express: Ju e keni vlerësuar negativisht punën e Qeverisë në 100-ditëshin e saj të parë. Çka do të bënit ju ndryshe po të ishit në vend të Hashim Thaçit gjatë kësaj periudhe kohore?
I. Mustafa: Po të ishim në vend të tij, nuk do ta bënim një Qeveri kaq të madhe. Mendoj se z. Thaçi i ka krijuar pengesa mjaft të mëdha konsolidimi i Qeverisë dhe zhargitja e bisedave lidhur me kompletimin e saj. Është bërë një Qeveri e madhe - e cila në proporcion me numrin e popullsisë, me çështjet dhe problemet që i ka Kosova - i tejkalon përmasat. Por, ndoshta do ta pengojë edhe veten në kryerjen e disa punëve, për arsye se i kemi disa fusha në të cilat objektivisht nuk është e adresuar mirë përgjegjësia dhe kompetenca e njerëzve. Kemi shumë zëvendëskryeministra, kemi shumë ministra. Ka ministri që nuk iu ka definuar mirë puna, por që janë bërë për arsye të konsolidimit politik edhe të kënaqjes së kërkesave të partive në koalicion. Çështja e dytë, është trajtimi më i mirë i Buxhetit. Mendoj se me nguti është hyrë në këtë buxhet të papërgatitur mirë, pa definuar pasojat që mund të rrjedhin prej një gjëje të tillë. Unë nuk po nisem tash prej pasojave që kemi me marrëveshjen me FMN’në, sepse nuk ka qenë vetëm çështja e pagave ajo që ka rënduar këtë situatë, por kanë qenë edhe burimet jo të definuara mirë të buxhetit dhe shpenzimet buxhetore, të cilat në përmasa shumë më të mëdha i kanë definuar këto. Nuk do të praktikoja të futem në punë, pa pasur një koncept të qartë të zhvillimit ekonomik ose një strategji të qartë. Qeveria tregoi se strategjia u desh të improvizohet, sepse ajo nuk mund të bëhet aq shpejt. Dihet, megjithatë lypset të bëhen analizat e mundësive të zhvillimit ekonomik, faktorëve të zhvillimit ekonomik, trendëve botërorë të zhvillimit ekonomik dhe ne duhet t’u përshtatemi. Edhe është një ngecje që unë tani nuk mund ta definoj se pse ndodhi që brenda këtyre 100 ditëve nuk na njohu asnjë vend, përkundër asaj që pritjet e Kosovës kanë qenë që të bëhen më shumë. Vetë marrja e Qeverisë me vetveten ka shkaktuar që të prolongohet ose të lihet anash një sulm yni që do të duhej të bëhej në diplomacinë ndërkombëtare që megjithatë Kosova të fitojë më shumë njohje dhe ta përmirësojmë pozitën tonë jashtë.
Më shumë në numrin e sotëm të Gazetës Express.