Drejt lirisë Erand Sojli vazhdon suksesin në Teatrin e Metropolit
Shfaqja u nderua me Çmimin Special Mirënjohja, në Festivalin e Dramës Shqipe në Gjilan
Një shfaqje e paralajmëruar për suksesin e saj. Një performancë e shkëlqyer në gjininë Stand-Up Comedy që vjen nga shfaqja Drejt lirisë me autor-aktor Erand Sojlin dhe regji nga Robert Budina, produksion i kompanisë Era Produktions dhe Teatrit të Metropolit. Premiera e këtij tregimi komik ka nisur në funddhjetorin e vitit 2009 dhe më pas shfaqja ka vazhduar rrugëtimin e saj në shumë qytete të Shqipërisë, Fier, Korçë, Elbasan dhe përtej kufijve
shqiptarë në Festivalin e Dramës Shqipe në Gjilan. Në këtë manifestim artistik teatror, kjo shfaqje e pakonkurrencë u nderua me Çmimin Special Mirënjohja nga Kryetarit i Kuvendit të Komunës së Gjilanit, z. Qemajl Mustafa, me motivacionin: Performancë e shkëlqyer artistike, për guximin e temës që trajton, për suksesin e komunikimit me publikun dhe për një nivel të lartë interpretimi nga aktori, Erand Sojli.Përse është e suksesshme?Sa kushton liria e shqiptarëve? Sa mundemi të përballemi me të gjitha problemet tona, duke u nisur nga vetvetja dhe pastaj duke respektuar lirinë e tjetrit? A mund të integrohemi në Evropë vetëm duke u pajisur me një vizë kalimi? Erand Sojli prezantohet përpara publikut në një interpretim të shkëlqyer, me një shfaqje që i tejkalon parashikimet. Një publik i gozhduar për rreth 90 minuta, i cili sheh si në një pasqyrë gjithçka që ndodh me jetën e tij të përditshme, vështirësitë e marrjes së një vize, përballja me botën jashtë kufijve, tundimet e para të jetesës jashtë dhe shumë fenomene të tjera, të cilat nuk janë të panjohura për shqiptarët e lodhur nga liria e një vize. Duartrokitjet nga spektatori nuk janë të rastësishme. Gjithçka ndodh që në minutat e para, ku ndërprerjet e tekstit nga të qeshurat e sallës, vijnë nga prezenca elegante dhe plot humor i Sojlit, komunikimi i tij me një publik të ngrohtë. Spektakli ndodh në një skenë-me një aktor që na përgatit për një tregim komik, i cili arrin të shkrihet me sallën-spektator të gatshme për ta mirëpritur. Ndoshta kjo është edhe gjetja që autori dhe regjisori kanë kërkuar, sfida që tashmë mund të quhet e kaluar me sukses. Ajo që tregohet në skenë jemi NE, boshti qendror i rrëfimit mbetet ikja e shqiptarëve dhe ëndrrat e parealizuara që shpesh mbeten në një valixhe lëvizëse. Me një interpretim të lartë profesional, me detaje shprehëse, me shumë gjetje regjisoriale përpara spektatorit lëvizin paralele të shumta, që hiqen nga autori-Sojli mes batutës, situatës komike dhe personazhe të ndryshme, që falë mjeshtërisë aktoriale vijnë të skalitur në regjistra të ndryshëm vokalë. Teatri ndryshe nga Erand SojliKjo gjini teatrore e panjohur për spektatorin shqiptar po tregon se mundet të jetë e suksesshme kur ndërthuren saktë teksti-interpretimi-regjia. Një vëmendje e kujdesshme nga regjisori Robert Budina na ofron pamje vizuale që zhdërvjelltësojnë monologun e rrëfimtarit dhe na bëjnë të afërt në një situatë skenike, që ndodh aty përpara nesh. Në këtë ndërveprim me publikun, Erand Sojli, na prezantohet edhe si qëmtues i saktë i përzgjedhjes së spektatorit, duke iu hedhur atyre një ftesë performancë, e cila në të gjitha shfaqjet e dhëna deri më tani ka sjellë suksesin. Erandi na dha shpresën se edhe arti teatror shqiptar mundet të sjellë nivele të larta artistike në këtë gjini avangard, krejtësisht të panjohur për skenën shqiptare, na frymëzoi me guximin e tij për të vazhduar në këtë rrugë, është shprehur për median, aktori i mirënjohur, Enver Petrovci. Ky tregim komik, i cili vjen thjesht dhe qetësisht për spektatorin, duke pasur moment kulmore në ato që mund të quhen kapitujt e rrëfimit skenik, duket edhe në thithjen e batutave, ku spektatori ndihet i përfshirë në tekst edhe pas shfaqjes vazhdon të rrëfejë historitë që ka parë në skenë. Drejt lirisë, turneu i suksesitShfaqjet e Elbasanit, Korçës dhe Fierit, me një publik gjithmonë në rritje tregojnë se mundet të gjendet çelësi i komunikimit, edhe për një gjini si ajo e Stand-Up Comedy, ose e njohur edhe me termin One man show. Biletat e shitura në të gjitha teatrot ku ajo është shfaqur është një nga treguesit, që së bashku me profesionalizmin që ofrohet në performancën drejt lirisë na bën të mendojmë se keni edhe një rrugë të hapur për një teatër ndryshe. I konsoliduar tashmë në rrugën e tij si aktor, Erand Sojli na prezantohet si një autor i kujdesshëm i fjalës, që krijon situatën, hedh pyetjet në publik dhe mirëpret përgjigjet nga salla. Tentativa e tij e parë në gjininë One man show ka nisur në vitin 2007 me shfaqjen Një mbrëmje ndryshe me Erandin, një produksion i Teatrit Skampa në Elbasan, i cili kishte në vëmendje robotizimin e artistit, temë e dashur për autorin, ku edhe në shfaqjen Drejt lirisë heq paralele të rëndësishme mes fatit të artistit dhe mbijetesës së vështirë në një jetë shqiptare, ku interesimi kryesor mbetet politika dhe ata, pushtetarët, aktorët më të paguar, sipas Sojlit. Drejt lirisë do të shfaqet në Teatrin e Metropolit në fundjavë, në datat 6 dhe 7 shkurt, ndërsa do të vazhdojë turneun e saj në Kosovë, Shkup, Itali, Francë, me pjesëmarrje në festival të ndryshme të kësaj gjinie teatrore. Shfaqja është një prodhim i kompanisë Era Productions dhe Teatrit të Metropolit dhe mbështetet nga DigitAlb. Drejt lirisë Regjia: Robert BudinaTeksti&Interpretimi: Erand SojliSkenografia&Vizatime: Artur MuharremiNga Julia Vrapi