Studentët e arteve nisin përgatitjet për Njeriu që pa vdekjen me sy
Studentët e Akademisë së Arteve kanë nisur përgatitjet për sezonin e provimeve. Nuk do të ketë vetëm vepra muzikore, por tashmë do të ketë dhe shfaqja teatrore nga studentët, të cilët të udhëhequr nga pedagogët e tyre kanë nisur përgatitjet. Kështu studentët e vitit të tretë në Fakultetin e Artit Skenik të udhëhequr nga pedagogu Birçe Hasko kanë disa ditë që kanë nisur provat për veprën Njeriu që pa vdekjen me sy. Unë po përgatitem për veprën
Njeriu që pa vdekjen me sy të Viktor Eftimiut. Është viti i tretë dhe përgatitjet e tyre lidhen me krijimin e figurës artistike, sepse viti i parë luan vetveten në rrethana të caktuara, ndërsa studentët e vitit të dytë luajnë veten në rrethana ose kushte të autorit. Kjo që po bëj me vitin e tretë është kërkesë e programit, dhe ata duhet të ndërtojnë figurë artistike. Vitkor Eftimiu është akademik rumun, por me origjinë nga Baboshtica, e Korçës. Fillimisht këtë vepër e kanë vënë në Elbasan, ku rolin kryesor e ka lozur Robert Ndrenika. Autori ka parë dhe shfaqjen ,por më pas ai u sëmur dhe vdiq. Ai ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave Rumune, drejtor i teatrit rumun, njeri me kulturë të gjerë dhe ai ka shkruar shumë vepra, ka njohur Rumaninë shumë mirë dhe Shqipërinë po ashtu, pohon pedagogu i Fjalës Artistike Birçe Hasko. Më tej ai shton se vepra Njeriu që pa vdekjen me sy do të vijë në datën 4-5 mars në skenën e Akademisë së Arteve. Ndërkohë që studentët e fakulteteve të tjera po ashtu kanë nisur përgatitjet për këtë sezon provimesh. Ndërkohë që një tjetër projekt i Akademisë së Arteve është të nxisë të rinjtë e saj për të dhënë koncerte, duke u gjetur një pjesë të sponsorëve. Kështu mësohet se nga viti 2008 deri tani janë organizuar mbi 90 koncerte me pjesëmarrjen e studentëve e pedagogëve të Fakultetit të Muzikës. Repertori që luhet në këto koncerte zgjidhet nga provimet e tyre. Në vijim të këtij muaji do të shfaqen edhe koncerte të tjera, të cilët janë të gjithë pa bileta, sipas një tradite, e cila ka nisur nga vitet 90. Në Akademinë e Arteve stina koncertore e iniciuar nga Fakulteti i Muzikës është një aktivitet, që i ka shërbyer gjallërimit dhe dinamikës të jetës kulturore e artistike në kryeqytet. Në vijim të saj ajo ka sjellë për publikun një seri koncertesh, të cilat kanë marrë duartrokitjet e publikut, që ka qenë i pranishëm në këto koncerte.