Drejt monopolit energjetik

Për 25 vitet e ardhshme, kosovarët do të furnizohen me rrymë vetëm nga një investues. Së paku, kjo pritet të ndodhë nëse projekti “Kosova e Re” ndërtohet sipas modelit aktual.
Ekspertët e energjetikës thonë se ky model do të krijojë monopol në tregun e energjisë në vend. Saktësisht, 98 për qind e potencialit energjetik pritet t’i shkojnë investuesit që do ta marrë “Kosovën e Re”.
Luan Shllaku, drejtor i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, ka thënë se me modelin aktual për ndërtimin e projektit “Kosova e Re”, do të shkohet kah monopoli në tregun e energjisë në vend.
“Kosova B do t’i jepet investitorit të Kosovës se Re. Në fakt, rreth 98 për qind e potencialit energjetik në vend do t’i shkojnë investitorit privat”, ka thënë Shllaku.
Më e keqja nga krejt kjo, sipas tij, është se kosovarët për 25 vite e ardhshme duhet ta blejnë energjinë vetëm nga ky investues.
“Qytetari nuk do ta ketë mundësinë të blejë energji aty ku është më lirë. Kjo është e sanksionuar me ligjet ndërkombëtare”, tha ai. Për më tepër, Shllaku thotë se nuk është bërë ende një vlerësim mjedisor strategjik.
Përveç Kosovës B, investuesi do ta ketë në dispozicion Sibovcin për periudhën 25 vjeçare. Kjo nënkupton që do të shërbehet me thëngjill pa asnjë kufizim.
Por, sipas Shllakut, Qeveria e Kosovës e ka marrë edhe një obligim tjetër. Atë që nëse qytetarët nuk ia paguajnë rrymën investuesit, atëherë do të jetë Qeveria që do ta kryejë ketë punë.
“Në këtë mënyrë, katerciprisht e forcojmë monopolin”, ka thënë Shllaku.
Ndërkaq, ekspertja e energjetikës, Pranvera Dobruna, problem e sheh edhe mungesën e infrastrukturës ligjore në këtë fushë.
Ajo thotë se duhet ta kemi një strategji të qartë, para se të futet kapitali privat në energjetikën kosovare. Aktualisht, sipas saj, nuk jemi në pozitë fort të favorshme që të tërheqim investues seriozë.
“Sa më pak që jemi prezent me politika në rajon, aq më pak kanë me na vlerësu”, ka thënë Dobruna.
Këto rreziqe i ka paralajmëruar edhe Banka Botërore përmes një raporti. Aty thuhet se qeveria mund të futet në obligime tek investuesi duke u detyruar t’ia blejë rrymën nëse nuk i shitet në tregun kosovar. Gjithashtu ka treguar se duhet të subvencionojë në KEK për të ndaluar monopolin e energjisë në vend.
Edhe Komisioni Evropian nuk e ka miratuar këtë model të tregut dhe ka kërkuar harmonizimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian.
Ndryshe, projekti “Kosova e Re” ka kohë që po zvarritet. Fillimisht problemet me tërheqjen e investuesve, e më vonë edhe reduktimi i kapaciteteve nga 2100 megavate në 600 sosh.
Ish-ministrja e Energjetikes, Justina Shiroka-Pula, ka thënë se krejt këto shtyrje janë bërë sherri i ndërkombëtarëve. Sipas saj, që nga fillimi i këtij projekti kanë qenë këshilltarët e transaksionit, me propozimet e tyre çdo herë me të ndryshme dhe presionet tjera ndërkombëtare, që këtë projekt e kanë lënë pa u zhvilluar.
“Si pasojë e këtyre ndërhyrjeve, projekti ka pësuar ndryshime të cilat kanë pamundësuar që të vihet të një propozim konkret dhe i definuar”, ka thënë Pula.
Pula ka akuzuar direkt këshilltarët e transaksionit se ata nuk kanë mbrojtur interesat e Kosovës, duke dyshuar se të njëjtit kanë mbrojtur interesat e kompanive që synojnë të jenë investuese në energjetikën kosovare.