E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iu del punë

Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli ende nuk i kanë kryer punët. Pacolli pret që gjithçka të sqarohet javën e ardhshme, kur do të marrë vesh saktësisht edhe për kompetencat e tij si zëvendëskryeministër. Por partnerët do ta kenë të vështirë rindarjen e ministrive. Aktualisht PDK’ja është e gatshme t’i japë vetëm një dikaster AKR’së, e jo dy siç është duke kërkuar ky subjekt. Nga Express më 17 prill 2011 në ora 08:16

Behgjet Pacolli ende nuk e ka të definuar se me çfarë pune do të merret në cilësinë e Zëvendëskryeministrit të Parë në Qeveri.

Ai pret që të kthehet në Kosovë gjatë javës së ardhshme dhe të sqarojë të gjitha dilemat rreth pozitës së tij në Qeveri, sikurse edhe ato rreth ndarjes së posteve të tjera qeveritare me PDK’në.

Edhe pse i emëruar si zëvendës i Thaçit dhe me përshkrim të punës për sjellje të njohjeve dhe të investimeve të huaja në Kosovë, Pacolli thotë se aktivitetet e tij lobuese po i bën në kapacitete private.

“Nuk di, sepse nuk kemi diskutuar për kompetenca”, ka thënë Pacolli, për Express, të shtunën.

Ai ka shpjeguar se ndodhet në një vizitë jashtë kontinentit të vjetër me qëllime lobimi.

“Aktivitetet e mia janë krejtësisht private. Javën e ardhshme do të jem në zyrë dhe krejt do të qartësohet”, ka thënë Pacolli në një bisedë të shkurtë përmes telefonit.
Por kjo nuk është puna e vetme që Thaçi dhe Pacolli kanë për ta kryer.

Gjatë javës së ardhshme pritet të rinegociohet marrëveshja PDK-AKR sa i përket ndarjes së pushtetit në Qeveri.

Burime të Expressit brenda Qeverisë kanë thënë se Hashim Thaçi është duke menduar t’ia ndajë AKR’së vetëm edhe një ministri, e jo dy siç po kërkon Behgjet Pacolli dhe AKR’ja.

Çështja e ndryshimeve të marrëveshjes mes PDK’së dhe AKR’së është aktualizuar pas largimit të Pacollit nga posti i Presidentit.

Zyrtarë të AKR’së insistojnë se do t’i marrin dy ministri, duke i preferuar ato që kanë të bëjnë me ekonominë.

“Ne jemi marrë vesh me PDK’në që neve na takojnë edhe dy ministri”, ka thënë ushtruesi i Detyrës së Presidentit të AKR’së, Ibrahim Makolli.

Ai pret që kompletimi i Qeverisë pritet të bëhet deri në fund të kësaj jave dhe të mos shtyhen më afatet.

“Jemi të bindur se deri në fund të javës së ardhshme do të finalizohet marrëveshja mes partnerëve të koalicionit”, ka shtuar Makolli.

Ndryshe, burime të Expressit kanë thënë se PDK’ja është duke e shqyrtuar edhe mundësinë e shkurtimit të posteve për Listën dr. Ibrahim Rugova, e cila ka fuqi politike prej një deputeti.

Por, njëri prej themeluesve të Listës, Bujar Bukoshi thotë se marrëveshja me PDK’së është në fuqi dhe nuk ka lëvizje të tjera tash për tash.

“Jo s’ka asgjë zyrtare”, ka thënë shkurt Bujar Bukoshi, të shtunën.

Në anën tjetër, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë ditë më parë për Express se bisedimet me AKR’në janë duke vazhduar, derisa ka konfirmuar se “marrëveshja do të publikohet shpejt”.

“Është Kryeministri duke i zhvilluar bisedat me përfaqësuesit e Koalicionit, në anën tjetër kemi menduar të bëjmë një balancë tash pas pozitës konsensuale të Presidentit”, ka thënë Kuçi.

Ai pati përmendur fuqinë politike të secilës parti në koalicion për të pretenduar edhe postet qeveritare.

“Balanci do të jetë proporcional me fuqinë politikë që e ka AKR’ja. Vetë hyrja e Pacollit në Qeveri – tash është krijuar një balancë më e mirë, ndërsa për të tjerët do ta shohim, do të jenë pjesë e negociatave”, ka thënë Kuçi.

Qeveria e Kosovës është votuar në fund të shkurtit në Kuvendin e Kosovës, por ende po vazhdon të funksionojë pa u bërë kompletimi i posteve të zëvendësministrave.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›