As dy milionë

Dilemat se sa është numri i banorëve të Kosovës i ka hequr Ismail Sahiti, zyrtar i Entit të Statistikave. Sipas tij, nuk jemi as 3.5, as 2.5 milionë, por afër 2 milionëshit.
“Diku mund të jemi te 2 milionëshi”, tha ai të shtunën për Express.
Sipas Sahitit, kjo shifër ka dalë në bazë të punës që kanë bërë ekipet në terren për 15 ditë të procesit të regjistrimit.
“Kjo shifër është, nuk ka tjetër. Në këtë 2 milionësh të banorëve gjithsesi ka ndikuar edhe mosregjistrimi i diasporës”, ka theksuar Sahiti.
Sipas tij, kryeqyteti i Kosovës i ka vetëm 200 mijë banorë.
“ Prishtina, në bazë të punës që është bërë, i ka diku rreth 200 mijë banorë”.
Përderisa Sahiti nuk ka përtuar të flasë për numrin e banorëve, për shifrat ka qenë mjaft i rezervuar Ibrahim Shabani, kryeshef ekzekutiv i ESK-së.
Ai ka thënë se njerëzit nga “arat” mund të flasin për çfarëdolloj shifre, por i vetmi institucion që e ka të drejtën ekskluzive për të bërë publike shifrat, është ESK-ja.
“Unë mund t’ju them se jemi 5 milionë, 2 milionë, 3.5 milionë, por këto nuk janë rezultate të sakta. Procesi i regjistrimit është duke vazhduar edhe në disa komuna dhe shifrat mund të rriten orë pas ore”, ka thënë ai për Express.
Sipas Shabanit, 30 qershori i këtij viti është afati i fundit kur ESK`ja duhet të dalë me rezultate preliminare.
“Por, besojmë se me rezultate preliminare rreth numrit të banorëve që ka Kosova do të dalim para kësaj date”.
E Majlinda Lulaj, zëdhënëse në Ministrinë e Administratës Publike, ka thënë se bazuar në Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, ESK shtë institucioni kompetent për prezantimin dhe publikimin e rezultateve.
“Në projekte të tilla të mëdha dhe dinamike, përmendja e shifrave nuk është e preferuar dhe as e lejuar, meqenëse paraprakisht të dhënat duhet të grumbullohen dhe me pas të vërtetohet saktësia dhe kualiteti i tyre. Vetëm atëherë kur të dhënat të kenë kaluar nëpër hapat e vlerësimit të saktësisë dhe validitetit, institucioni kompetent (ESK ) do të bëjë publikimin e të dhënave në mënyre zyrtare”, ka thënë ajo për Express.
Për kosovarët që jetojnë jashtë vendit, e që nuk janë regjistruar në këtë fazë, ajo ka një shpjegim.
“Me këtë regjistrim kanë ekzistuar listat suplementare, në të cilat rezidentët kanë mundur të deklarojnë familjarët që jetojnë jashtë, e të cilët kanë qenë pjesë e ekonomisë së tyre familjare para se të linin Kosovën. Përfshirja në këto lista e qytetarëve tanë që jetojnë në shtete të tjera nuk e shter kurrsesi nevojën për të vazhduar edhe më tutje identifikimin dhe kërkesën për të ditur numrin e saktë të qytetarëve të Kosovës nëpër botë. Në të ardhmen edhe ESK, edhe institucionet tjera të vendit do të vazhdojnë punën në këtë drejtim, për të siguruar të dhëna të sakta në bashkëpunim edhe me shtetet tjera, gjithandej nëpër botë, ku kemi qytetare të Kosovës”, ka thënë Lulaj.
AAK kritikon Qeverinë për regjistrim
Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sërish kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës, siç janë shprehur, për mosplanifikim të duhur të regjistrimit të popullsisë. Në një konferencë për media, të shtunën, anëtarja e Kryesisë së AAK-së, Melihate Tërmkolli, ka thënë se janë bërë shkelje në regjistrimin e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, regjistrimin e pasurisë së ekonomive familjare dhe se është vërejtur një qasje ndryshe ndaj qytetarëve shqiptarë dhe atyre serbë.
“Kjo tregon qartë se qeveria, përpos pushtetit të vet, nuk brengoset për asgjë tjetër - aq më pak për ato që janë interes i qytetarëve të vendit. Janë bërë shkelje në regjistrimin e të rriturve, janë bërë shkelje në regjistrimin e qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit, nuk janë regjistruar madje as si qytetarë jorezidentë, në veçanti fëmijët që janë lindur jashtë vendit. Janë bërë shkelje në regjistrimin e pasurisë të ekonomive familjare dhe, po ashtu, është bërë një qasje ndryshe ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ndryshe ndaj qytetarëve serbë”, ka thënë Tërmkolli.
Për më tepër, Tërmkolli regjistrimin e popullsisë në Kosovë e ka quajtur edhe regjistrim mbi baza etnike, jo për shkak siç ka thënë ajo të decentralizimit që është bërë në baza etnike, por edhe qasjes jokorrekte të institucioneve të regjistrimit.
Peja me 140 mijë banorë
Peja i ka rreth 140 mijë banorë. Kaq mendohet se do të dalin edhe zyrtarisht pas regjistrimit. Kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, ka thënë se nga të dhënat paraprake, komuna e Pejës ka të regjistruar mbi 95 mijë banorë. Sipas tij, deri në përmbylljen e procesit do të ketë afër 140 mijë banorë. “Bazuar në të dhënat që i kemi, 30-40 për qind janë popullatë jorezidente, banorë të Republikës së Kosovës, gjegjësisht të komunës së Pejës, por që jetojnë jashtë Kosovës. Atëherë shifra e popullatës së komunës sonë do të jetë rreth 140 mijë banorë”, ka thënë Berisha.
Sa i përket regjistrimit të popullatës serbe, ai ka konfirmuar se këtij procesi i janë përgjigjur mbi 70 për qind e serbëve të Gorazhdecit, fshat ky i banuar ekskluzivisht me serbë.
Në Prizren u regjistruan edhe kinezë, danezë, çekë...
Në Prizren, janë regjistruar edhe kinezë, danezë, çekë dhe të tjerë. Koordinatori për sensibilizim, Nexhat Çoçaj, ka thënë për KosovaLive se projekti për regjistrim në këtë komunë ka shkuar sipas parashikimeve, ndërkaq përveç shqiptarëve, të cilët përbëjnë shumicën e banorëve, janë regjistruar edhe boshnjakët, turqit, pjesëtarët e komunitetit RAE dhe disa serbë. Sipas Çoçajt, disa nga shtetasit e huaj, e që tashmë prej një viti jetojnë në Kosovë, janë paraqitur në Komisionin Komunal për Regjistrim duke dëshmuar me dokumentacion përkatës dhe duke parashtruar kërkesë për regjistrim.
Serbët
Në pjesën veriore të Kosovës, regjistrimi as që ka nisur. Serbët nuk pranuan të marrin pjesë në procesin e organizuar nga institucionet e Kosovës. Kryetari i komunës paralele serbe të veriut të Mitrovicës, Krstimir Pantic, ka thënë se ata do të regjistrohen vetëm atëherë kur në Serbi të fillojë regjistrimi i popullsisë, i cili pritet të nisë në tetor të këtij viti. “Në emër të regjistrimit të popullsisë bëhet regjistrimi i vetëm atyre serbëve që aktualisht jetojnë në Kosovë, ndërsa përjashtohen afro 250 mijë serbë, të cilët dhunshëm janë larguar nga shtëpitë e tyre në Kosovë. Me këtë tentohet të krijohet një pasqyrë artificiale e numrit të serbëve që jetojnë në Kosovë dhe në këtë mënyrë të legalizohet spastrimi etnik i serbëve nga Kosova. Për këtë arsye, serbët e veriut nuk marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë që bëhet nga institucionet e Kosovës”, ka thënë Pantic.
Në pjesën veriore të Kosovës ende nuk është e qartë se si do të bëhet regjistrimi i popullsisë nga institucionet e Kosovës. Përfaqësuesi i Komisionit Europian në Prishtinë, Kjartan Bjornson, thotë se në mënyrë që regjistrimi të bëhet edhe atje, nevojitet një marrëveshje e nivelit të lartë, duke mos specifikuar se nga kush duhet të arrihet kjo marrëveshje.
Fakte
Deri në ditën e 12-të të regjistrimit të popullsisë, numri i banorëve të regjistruar në Kosovë ishte 1.5 milionë vetë. Nga regjistrimi i 95 për qind të qytetarëve të Prishtinës, rezulton se në kryeqytet jetojnë vetëm rreth 200 mijë banorë. Rezultatet paraprake të regjistrimit do të bëhen publike në muajin qershor të këtij viti, ndërsa ato përfundimtaret pas një viti.