E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejt votimit

Vendimi i PDK’së që posti i Presidentit t’i jepet AKR’së ka përshpejtuar konstituimin e institucioneve të reja. Seanca konstituive e Kuvendit tani është caktuar për 21 shkurt. Nëse marrëveshja për ndarjen e ministrive përmbyllet këtë javë, të hënën mund të votohet edhe Presidenti, edhe Qeveria. Nga Valmir Klaiqi më 16 shkurt 2011 në ora 07:41

Marrëveshja për koalicionin qeveritar do të përmbyllet këtë javë, ndërsa konstituimi i institucioneve javën e ardhshme.

Të mërkurën nuk është mbajtur asnjë takim zyrtar mes PDK’së dhe partnerëve të koalicionit, por duket se vendimi që posti i Presidenti t’i jepet AKR’së do të mundësojë krijimin e institucioneve të reja disa ditë më herët se që ishte parashikuar.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në përbërje të vjetër, ka vendosur dje që seanca e parë e Parlamentit të mbahet të hënën më 21 shkurt.

Në këtë seancë është paraparë të bëhet betimi i deputetëve, zgjedhja e Kryeparlamentarit dhe pesë nënkryetarëve.

Nëse PDK-AKR dhe partnerë të tjerë të koalicionit arrijnë marrëveshje edhe për ndarjen e ministrive, atëherë ka mundësi që të hënën Kuvendi të mbajë edhe një seancë tjetër, në të cilën do të votohet për zgjedhjen e Presidentit dhe Qeverisë.

Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, i cili deri të hënën ishte kandidat i PDK’së për President, ka deklaruar se tërheqja e tij ka ardhur pas kompromisit të arritur për bashkëqeverisje me AKR’në. Ai tha se ka qenë i gatshëm ta ushtrojë postin e Presidentit për një mandat të plotë.

“Thënë sinqerisht unë e kam pasur gatishmërinë t’i shërbejë vendit dhe popullit tim, por megjithatë edhe kështu si jam ndihem shumë mirë”, ka thënë Krasniqi.
Ai ndihet viktimë e kompromisit mes PDK’së dhe AKR’së.
“Jo nuk ndihem i tradhtuar. Koalicionet dhe bisedimet për koalicion i nënkuptojnë edhe kompromiset. Më ka rënë hise që unë të jem viktimë e kompromiseve”, ka thënë Krasniqi.
Anëtari i Kryesisë së Kuvendit, që nuk do të jetë më deputet, Naim Maloku nga AAK’ja, ka vlerësuar pozitivisht arritjen e marrëveshjes së koalicionit, në mënyrë që në Kosovë të përfundojë ngërçi politik.

Maloku ka thënë se edhe partia e tij duhet ta vlerësojë si lajm të mirë arritjen e marrëveshjes mes PDK’së dhe AKR’së, përderisa i ka bërë thirrje Grupit parlamentar të AAK’së që të jetë opozitë konstruktive.

“Sinqerisht lajm i mirë për Kosovën është marrëveshja e koalicionit. Personalisht mendoj ashtu, besoj se kështu duhet të mendojë edhe partia ime. Kosova duhet të bëhet me Qeveri, me Presidencë, me institucione. Ky është obligim që e kanë marrë partitë politike dhe deputetët me votën e qytetarëve të Kosovës. Mendoj që këtë ngërç institucional që po zgjat që katër muaj dhe që nuk e kanë merituar qytetarët e Kosovës, por edhe kjo besoj se është një pjesë e mësimit tonë në demokraci, pjesë e një rruge që si shoqëri dhe si parti duhet ta kalojmë”, ka thënë Maloku.

Ndryshe, të martën zyrtarët të PDK’së dhe AKR’së do të vazhdojnë të enjten negociatat për koalicionin qeveritar.

Memli Krasniqi nga PDK’ja ka deklaruar se marrëveshja për koalicion do të finalizohet gjatë kësaj jave.

“Çështja themelore për këto biseda ka qenë pozicioni i presidentit. Tani kur Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme t’i japë Presidencën AKR’së, besojmë se gjithçka do të ndryshojë edhe për sa u përket pozicioneve të tjera. Besojmë që dy-tri ditët e ardhshme pritet qartësim edhe për çështjet që ndërlidhen me përfaqësimin e AKR’së në numra të caktuar të ministrive, të PDK’së, por edhe të partnerëve të tjerë”, ka thënë ai.

Nuk e pengojnë ndërkombëtarët

Zëvendëspresidentja e AKR’së, Mimoza Kusari-Lila është e bindur se Behgjet Pacolli do të zgjidhet President i Kosovës. Ajo mohon të ketë ndonjë pakënaqësi apo pengesë nga ndërkombëtarët për liderin e AKR’së.

“Nuk ka asnjë dyshim. Kandidati i vetëm i prezantuar për President është Behgjet Pacolli, lideri i Koalicionit për Kosovë të Re. Ne besojmë se zgjedhja e tij do t’i japë hapësirë dhe përmirësim institucionit të Presidentit të Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila, duke shtuar se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë rezistencë apo dyshim nga ndërkombëtarët për Pacollin dhe zgjedhjen e tij president i Kosovës.

“Kjo është një çështje e konsumuar e spekulimeve mediale, përndryshe ekziston mbështetje e fuqishme ndërkombëtare për presidentin Pacolli”, tha ajo.

“Besojmë se do ta marrë shumicën e nevojshme për t’u shpallur President i Republikës së Kosovës. Diskutime me deputetë nuk janë zhvilluar. Natyrisht, do të ketë mbështetje nga deputetët e koalicionit. Besojmë se asnjë parti nuk do t’u japë urdhër deputetëve për të mos e votuar Presidentin”, ka thënë Kusari-Lila për Express.

Ajo tha se me PDK’në ende nuk është biseduar se cilat ministri do t’i marrë AKR’ja.
“Ne kemi folur për tri aspekte. Për përmirësimin e imazhit të Kosovës, forcimit të institucioneve demokratike dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Nuk i kemi specifikuar dhe nuk dëshirojmë t’i bëjmë publike derisa janë subjekt i diskutimit të brendshëm të koalicionit”, ka thënë Kusari-Lila.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›