E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpagim për Luljetën

Prindërit e Luljeta Kurtajt kërkojnë dënim maksimal për ata që ua mbytën të bijën. Atyre iu dhemb shumë që vajza u pre në besë nga kushërirat e veta. Kurtaj u ngulfat me një shall nga vajzat e axhës, ndërsa dashnori i njërës nga to u ndihmoi që kufomën ta hedhin në lumë. Nga Nexhmije Ahmeti më 16 shkurt 2011 në ora 07:44

Sa herë ta thërrasë dikush në telefon, një fotografi i del përpara. E buzëqeshur dhe plot jetë. Fotografia është e një vazje të re, e cila qe gjashtë muaj nuk jeton më. Xhafer Kurtaj nga fshati Obri e Epërme, e mban në telefon fotografinë e së bijës. Përpiqet të mbahet i fortë, por shpesh e tradhtojnë lotët.

Xhaferi e ka të vështirë të pranojë faktin se vajza e tij nuk është më në mesin e të gjallëve. Por, më të rëndë dhimbjen e këtij 46-vjeçari e bën fakti se ajo u vra nga të afërm të tij.

Luljeta Kurtaj u mbyt nga vajzat e xhaxhait të saj, Afërdita dhe Adelina. Ato kanë pranuar se kanë vrarë Luljetën, e për të fshehur krimin, në ndihmë u ka dalë Mehmet Krasniqi nga Malisheva.

Prindërit e Luljetës kërkojnë dënim maksimal për autorët e krimit.

“Nuk mund të pajtohem me një dënim të butë. Asgjë nuk do të ma kthejë në jetë vajzën time, por edhe nuk pajtohem që ata që ia ndërprenë jetën, të marrin dënime të vogla”, thotë Xhaferi.

Ndërkaq nëna e Luljetës, duke qarë, mallkon ato që ia kanë vrarë vajzën. “M’e vra çikën në ma t’mirën kohë pa iu ba kurgja...”, thotë Aza Kurtaj.
“Ata duhet me i dënu shumë, le të kalben në burg”.

Aza rrëfen për Express ditën kur vajza e saj ka dalë për të fundit herë nga shtëpia. 24 gushti i vitit të kaluar do të mbetet përjetë i ngulitur në mendjen e Azës. Vajza e saj ishte nisur për punë, por nuk ishte kthyer më.

Luljeta punonte si moderatore në radion lokale, në qytezën e Drenasit, por gjatë ditës kishte shkuar te vajza e axhës së saj, Afërdita, e martuar në Komoran. Familja e kishte pritur si zakonisht që të kthehet nga puna në orën shtatë të mbrëmjes, por ajo nuk kishte ardhur. Gjëja e parë që i kishte shkuar në mendje Xhafer Kurtajt, ishte se vajza mund t’i ishte martuar diku. Por, se i vjen e vdekur, nuk kishte menduar kurrë. E, aq më pak se vrasëset do të jenë mbesat e tij.

Këtë e kishte kuptuar pasi që kufoma e vajzës së tij, pas tri ditësh, ishte gjetur në lumin Drin i Bardhë. Dy motrat dhe bashkautori i vrasjes kishin menduar ta hedhin kufomën në lumë, në mënyrë që t’i humbin gjurmët e krimit. Mirëpo, policia e Drenasit shumë shpejt iu kishte rënë në gjurmë autorëve të vrasjes, nëpërmjet një numri telefoni.

Xhafer Kurtajt i kanë ardhur plot SMS në emër të vajzës së tij, nga një numër telefoni. Ky numër kishte çuar hetuesit te shtëpia e Afërditës në Komoran. Ajo i kishte shkruar xhaxhait të saj, në emër të Luljetës, të cilën e kishte vrarë, se kinse ishte rrëmbyer dhe ishte viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore.

Tash Afërdita Rexha, Adelina Kurtaj dhe Mehmet Krasniqi janë në paraburgim dhe kanë pranuar fajësinë. Të akuzuarit kanë pranuar të dënohen me burgim prej mbi dhjetë vjet, por këtë s’e ka pranuar babai i së ndjerës. “Unë ia kam lanë në dorë këtë punë drejtësisë, por nuk do të pajtohem me ato dënime”, thotë Xhafer Kurtaj.

Atij i është thënë edhe se ka të drejtë të kompensimit material, por nuk ka vendosuir ende çka të bëjë. Thotë se do t’i respektojë vendimet që i merr gjykata, ndërkaq nuk e ka ndërmend t’i falë familjet e të akuzuarve.

Por, njëjtë nuk ka vepruar me vëllain e tij, babain e vajzave vrasëse, të cilit menjëherë ia ka falë gjakun. Megjithatë, pranon se raportet që i ka pasur më herët me të, tash janë më ndryshe. Vrasja e vajzës e ka tronditur shumë.
Afërdita Rexha e kishte ftuar Luljetën në shtëpinë e saj dhe i kishte kërkuar që t’ia lante një borxh dashnorit të saj, Mehmet Krasniqi, nga Drenovci i Malishevës.

Mirëpo, kur Luljeta kishte kërcënuar se do t’ia publikonte marrëdhënien jashtëmartesore me Mehmetin, Afërdita e kishte mbytur. Në ndihmë i kishte dalë edhe motra, Adelina. Për ta fshehur krimin, i kishte ndihmuar Mehmeti. Me veturën e tij, kufomën e Luljetës e kishte dërguar nga Komorani, ku ishte kryer krimi, në Zajm të Klinës, tek “Ura e Haxhisë”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›